Modelja australiane Miranda Kerr konsiderohet si një nga gratë më të bukura në botë, dhe tani ajo ka zbuluar se çfarë e ndihmon më shumë në ruajtjen e pamjes së saj perfekte.

Konkretisht, ajo deklaroi se sekreti i bukurisë qëndron në kujdesin për sistemin nervor.


"Gjëra të thjeshta si teknikat e meditimit Vedik, frymëmarrja e thellë ose ecja zbathur ndihmojnë të gjithë trupin tuaj të gjejë ekuilibrin. Kur sistemi juaj nervor është i qetë, kjo reflektohet në lëkurën, humorin dhe energjinë tuaj. Kjo harmoni e brendshme është vërtet themeli për shkëlqimin e jashtëm", tha ajo.

Përveç sa më sipër, ajo praktikon edhe terapinë me dritë të kuqe, ose fotobiomodulimin.

"Përdor rrezet infra të kuqe për të ndihmuar me gjithçka, nga përtëritja e lëkurës deri te rikuperimi i muskujve dhe rregullimi i sistemit nervor. Është e mahnitshme se çfarë ndryshimi bën, jo vetëm në lëkurën time, por edhe në mënyrën se si ndihem në trupin tim", tha ajo për New York Post.

Terapia me dritë të kuqe mund të zvogëlojë rrudhat dhe shenjat e strijave, të zbehë njollat e diellit dhe të pastrojë aknet. Përveç këtij trajtimi, Kerr rekomandon gjithashtu aplikimin e SPF çdo ditë.