Miqësorja luksoze përfundon baras (Video)

Azurrët me stilin e tyre karakteristik, shëno një gol dhe pastaj mbroje rezultatin, edhe njëherë e dëshmuan në këtë ndeshje miqësore, ndërsa albionët u munduan me lojën e tyre të shpejtë të thyenin mbrojtjen e çeliktë të italianëve, transmeton Telegrafi.
Ishte lojtari i skuadrës angleze të Southhamptonit, Graziano Pelle, ai që e realizoi golin e vetëm për italianët në minutën e 29 -të të takimit. Pele dërgoi topin me kokë në portën e Joe Hartit, pasi morri një harkim të saktë nga ana e Giorgio Chiellinit.
Mysafirët në pjesën e dytë e kërkuan më tepër golin e barazimit dhe këtë e arritën në minutën e 79-të takimit. Ishte zëvendësuesi Andros Towsend që realizoi golin e barazimit, pas një goditje të fuqishme të topit nga largësia prej 18 metrave.
Megjithëse te dyja skuadrat e kërkuan golin e fitores, ndeshja përfundoi me rezultat të barabartë (1-1).
Kujtojmë se ditë më parë Italia barazoi (2-2) ndaj Bullgarisë në kuadër të kualifikimeve të evropianit 'Francë 2016', ndërsa Anglia triumfoi para shikuesve të vet kundër Lituanisë me rezultat të thellë 4-0. /Telegrafi/


















































