Ministrja e Turizmit në Shqipëri inspekton plazhet: 10 metrat nga bregu i detit janë hapësirë publike, jo për privatët

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro, ka zhvilluar sot një inspektim në disa prej plazheve të vendit, duke u ndalur te respektimi i hapësirës publike në vijën bregdetare.
Ajo ka theksuar qartë se në të gjitha plazhet, përfshirë edhe ato të menaxhuara nga subjekte private, deri në 10 metra nga vija e ujit është territor publik dhe qytetarët kanë të drejtë të qëndrojnë aty pa u penguar apo detyruar të paguajnë.
“Minimalisht 7,5 metra distancë nga bregu i detit në plazhet ranore është hapësirë publike, edhe në plazhet e menaxhuara. Asnjë subjekt privat nuk ka të drejtë të largojë, kërkojë pagesë, apo të konfliktohet me qytetarët në këtë zonë që mbrohet me ligj”, deklaroi Kumbaro.
Ministrja nënvizoi se është detyrë e Policisë Bashkiake dhe e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit të ndërhyjnë në rastet e shkeljes së këtij rregulli, por gjithashtu apeloi për mirëkuptim dhe vetëdije nga bizneset, në mënyrë që të mos krijohen tensione apo abuzime që dëmtojnë imazhin e turizmit shqiptar.
“Bizneset janë të lutura të tregohen mirëkuptuese për të mos krijuar insinuata që cenojnë imazhin e vetë atyre dhe të Shqipërisë turistike”, përfundoi Kumbaro, duke ritheksuar rëndësinë e respektimit të ligjit dhe të drejtave të qytetarëve në hapësirat bregdetare./Telegrafi/


















































