Ndërtimi i hidrocentraleve dhe operimi i tyre në mënyrë të pakontrolluar vazhdon të jetë kërcënim për ujërat dhe lumenjtë, sidomos për rrjedhën e tyre natyrore dhe biodiversitetin.

Banorët thonë se ndalja e ujit për veprimtari të ndryshme po bëhet çdo ditë në dëm të mjedisit.


“Dje nuk kishte as 10 për qind të këtij uji, sot është pak më mirë. Është krejtësisht si një përrua i vogël. Ndonjëherë nuk ka ujë ose ka shumë pak, madje mund të shihen disa peshq duke notuar”, thotë një nga banorët.

Kjo situatë bëri që ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, së bashku me inspektorë dhe zyrtarë të tjerë përgjegjës të ministrisë, të ndërmarrin inspektime rutinë në disa zona të Shtërpcës për të verifikuar nëse hidrocentralet po veprojnë në përputhje me ligjin dhe kushtet mjedisore.

Inspektimet përfshinë rrjedhën e ujit, turbinat e hidrocentraleve, si dhe verifikimin e detajuar të dokumentacionit.

Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, tha se mbrojtja e lumenjve dhe ujërave është fokusi kryesor i institucionit që ajo drejton.

“Ne jemi një ekip i ri në ministri dhe kemi disa plane. Është e rëndësishme të vendoset ligjshmëri dhe të sigurojmë që ligji të respektohet në të gjithë sektorët që mbulon ministria. Një ndër sektorët më të rëndësishëm janë ujërat. Do të fokusohemi që ujërat e shtetit të shfrytëzohen në mënyrën më të qëndrueshme të mundshme dhe të mos keqpërdoren apo keqmenaxhohen. Mbrojtja e lumenjve dhe ujërave është fokusi ynë kryesor”, ka thënë ajo.

Gjatë inspektimit u hasën mungesa në dokumentacion dhe disa mangësi të tjera, të cilat sipas ministres, duhet të evidentohen dhe të analizohen më tej nga inspektorët mjedisorë. Ndërkaq, në ditët në vijim u tha se do të përpilohet raporti përkatës, përmes të cilit pala do të njoftohet për vërejtjet dhe hapat që do të ndërmarrë institucioni.