LAJMI I FUNDIT:

Ministria e Transportit sqaron se pse kanë dështuar provimet për patentë shoferë

Ministria e Transportit sqaron se pse kanë dështuar provimet për patentë shoferë

Kandidatët të cilët kishin aplikuar të hyjnë në provim për patentë shofer në Qendrën e Patentë Shoferit në Prishtinë, sot nuk kanë pasur mundësi t’i nënshtrohen këtij provimi, pasi ekzaminerët munguan për shkak se nuk kishin kontratë për punë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, kaosi në këtë Qendër ka ardhur pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Zyrtarët Publikë më 11 shtator, përcjell Telegrafi.


“Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ju informon se aktualisht është duke punuar në zgjidhjen e çështjes së mbajtjes së testimit praktik për patentë shofer, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Zyrtarët Publik . Me skadimin e vendimeve të ekzaminerëve, ky ligj që në fuqi hyri me 11 shtator 2019, ka shfaqur paqartësi që kërkojnë analizë ligjore drejt vazhdimit të angazhimit të tyre. Me këtë rast, departamentet përkatëse të MIT janë angazhuar për gjetjen e zgjidhjes të kësaj situate, gjithnjë të bazuar në ligj”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Në fund, MIT kërkon mirëkuptim nga kandidatët që nuk kanë mundur t’i nënshtrohen testimit të cilin do të mund ta realizojnë shumë shpejt. /Telegrafi/