Ministria e Integrimit, BE-ja dhe Shqipëria
Ngritja e Ministrisë së Integrimit në Republikën e Kosovës është një lajm i mirë jo vetëm për ithtarët Bashkimit Evropian por edhe për ithtarët e çështjes kombëtare. Trajtimi i integrimit, në nivel ministrie dëshmon për rëndësinë që ka koordinimi dhe bashkërendimi veprimtarisë të të gjithë institucioneve në proceset integruese. Drejtimi dhe koordinimi teknik i procesit të integrimit i cili është funksion i Ministrisë së Integrimit, bart një peshë të rëndësishme jo vetëm në bashkëpunimin me BE-në por edhe me Shqipërinë.
Zhvillimi i procesit të integrimit nënkupton adaptimin e kuadrit ligjor institucional si dhe politikave të ndryshme publike në një linjë me BE-në. Në dallim nga bashkëpunimi me BE-në, i cili bart shumë dimensione (dhe kushte), bashkëpunimi me Shqipërinë (në kuptim të këtij procesi) bart kryesisht dimension ekonomik, duke u ravijëzuar në përpjekjet për të maksimizuar shkëmbimet tregtare dhe marrëdhëniet ekonomike në një treg të përbashkët. Në këtë kuadër është e mundur që Kosova dhe Shqipëria paralel me koordinimin e procesit të integrimit në BE, të koordinojnë edhe një proces integrimi më të thelluar në mes veti në raport me BE-në.
Sa i takon dimensionit ekonomik, trendi i globalizimit kërkon reduktimin e barrierave ne tregti dhe diferencave në praktika për të qene sa më të konkurueshëm në një botë që zvogëlohet çdo dite. Kjo çon në nevojën për hapësira ekonomike dhe për zona influence. Vet krijimi i OBT-se ka për synim reduktimin e barrierave tarifore dhe jo-tarifore në tregti.
Sa i takon barrierave jo-tarifore çështja është e komplikuar rast pas rasti. Mund ti ndajmë në dy kategori, në barriera natyrore dhe artificiale. Barrierat natyrore kanë të bëjnë me ekzistencën e kulturave të ndryshme mes dy apo më shume vendeve apo popujve. Kanë të bëjnë me diferencat në mentalitet, me klimën e mosbesimit, me paragjykimet, me mosnjohjen praktikave etj. Diferencat natyrore shoqërohen për pasoje edhe me sisteme të ndryshme duke ndërtuar edhe barriera artificiale, si administrative etj.
Në frymën e proceseve globalizuese dhe liberalizimit, reduktimi i barrierave artificiale apo administrative, dhe për më tepër përafrimi i praktikave me anë të marrëveshjeve apo rregulloreve te përbashkëta(rasti i BE-së), synon që gradualisht të reduktojë edhe barrierat natyrale. BE është një shembull i unifikimit të praktikave deri në një treg të përbashkët. Ekzistenca e barrierave natyrale apo diferencave në mes shteteve anëtare i ka kushtuar unionit dekada për të konsoliduar një treg të përbashkët.
Nga ana tjetër ka edhe raste të ekzistencës së barrierave artificiale të pashoqëruara me ekzistencën e barrierave natyrale siç është rasti i marrëdhënieve Shqipëri Kosovë. Arsyet historike të këtyre barrierave dihen. Nuk ekziston asnjë lloj dallimi mes shqiptarësh në rajon i cili mund të pengojë heqjen e barrierave administrative apo krijimin e një tregu të përbashkët. Atë që Evropa e bën me shume sforco me anë të BE-së, mes shqiptarësh është më se natyrale. Për më tepër, sa do që BE të unifikohet nuk do ta arrije kurrë (nuk është një komb). Megjithëkëtë të dy vendet kanë sot më shumë prioritet unifikimin e praktikave dhe krijimin e një tregu të përbashkët me Sllovakinë (kjo e fundit është anëtare e BE-së) sesa unifikimin e praktikave në hapësirën mbarë shqiptare. Për më tepër që integrimi rajonal, është një sfide e para anëtarësimit e vendosur si kusht ne kapitullin e parë të çdo MSA-je (Marrëveshja e Stabilizim Asociimit mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit).
Të dy vendet kanë kuadër ligjor relativisht te ri, dhe janë në fazën fillestare të ndërtimit të sistemeve apo implementimit të shume politikave dhe praktikave, të cilat kanë shume ndikim në ekonominë e vendeve tona. Shqipëria dhe Kosova asistohen në procesin e integrimit edhe nga misione të ndryshme asistence teknike. Çdo mision asistence në Shqipëri apo në Kosove ka për mision edhe përgatitjen e një terreni sa më të favorshëm për biznesin e vendit sponsorizues. Kjo arrihet edhe përmes draftimit të kuadrit ligjor, sistemeve dhe politikave të cilat krijojnë premisa të favorshme për ekspansionin e ekonomisë së tyre.
Sipas rastit politika të ndryshme publike janë konceptuar nën ndikimin e modeleve të ndryshme, në funksion te agjencisë që ofron asistencë teknike, apo të edukimit të konceptuesve të politikës në fjalë. Nëse marrim rastin e Shqipërisë do të shohim se jo vetëm ligje dhe politika te ndryshme janë te ndikuara nga doktrina dhe praktika të ndryshme perëndimore, por edhe brenda të të njëjtit ligj mund të hasim përplasje
ndikimesh. I tillë është p.sh rasti i Kodit Civil shqiptar.
Përafrimi i legjislacionit me atë të BE-së (acquis communautaire) është pjesa më e rëndësishme e misionit të Ministrisë së Integrimit të Kosovës apo Shqipërisë. Në këtë proces Ministria e Integrimit mund të inkurajojë një tendencë unifikuese mbarë shqiptare në rrjedhat e hartimit të strategjive dhe legjislacionit. Duke synuar të njëjtën model për përafrimin e legjislacionit dhe të njëjtën qasje për shume politika. Nëse ky inkurajim do të rezultojë i suksesshëm do të çojë në unifikimin e shumë fushave, duke u bërë garant i përshpejtimit të zhvillimit të bashkëpunimit në këto fusha e si pasoje edhe i ekonomisë mes dy vendeve.
Në respekt të ndryshimit mes unifikimit dhe përafrimit të legjislacionit, është e mundur që brenda BE-së, nën suazën e përafrimit, të krijohen zona të ndryshme influence më të unifikuara në raport me pjesën tjetër të Unionit (BE). Ka një diferencë në mes unifikimit dhe përafrimit. Për dallim prej unifikimit, përafrimi për shkak të diferencave, konsiston në krijimin e një kuadri rregullator të ngjashëm, dhe lejon adaptimin deri në një masë të caktuar të teksteve të ndryshme nën të njëjtin kuadër rregullator. Në emër të kësaj lirie shtete të ndryshme të ndodhura nën ndikime të ndryshme kanë zgjedhur modele të ndryshme duke krijuar zona të influencave ekonomike.
Në këtë kuadër të dy vendet tona, duke mos pasur barriera natyrale, e kanë plotësisht të mundur të ndërtojnë sisteme dhe praktika pothuajse të unifikuara duke krijuar një zonë ekonomike të unifikuara në raport me pjesën tjetër. Unifikimi mund të përfshijë nga strukturat e mbikëqyrjes së tregut, tregu i kapitaleve, hyrja dhe dalja nga tregu, sistemi tatimor, sistemi i qeverisjes vendore, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, deri te sistemi gjyqësor, etj.
Me synim ndërtimin e një hapësire ekonomike pan-shqiptare duhet që të dy palët, por kryesisht Kosova në ndërtimin e politikave dhe institucioneve të reja të marrë në konsiderate edhe praktiken shqiptare. Një shkëmbim intensiv i eksperiencave administrative dhe profesionale, dhe një bashkëpunim i ngushtë mes hartuesve të politikave të të dy vendeve, do ti ndihmonte shume koordinimit të politikave në sinkron me zhvillimet ne këtë hapësire.
Një unifikim praktikash dhe tregjesh dhe një hapësire pan-shqiptare pa kufij, do të çonte në rastin më të mirë, në një hapësire të unifikuar mbarë shqiptare dhe prosperitet për këtë hapësire, si një hap që domosdoshmërisht duhet ti paraprije bashkimit por jo vetëm.
(Autori është nëpunës civil pranë Ministrisë Integrimit Evropian të Republikës së Shqipërisë)



































