LAJMI I FUNDIT:

Ministria e Financave mban peng blerjen e 51 autobusëve për Prishtinën

Ministria e Financave mban peng blerjen e 51 autobusëve për Prishtinën

Ministria e Financave brenda dy ditësh ka ndryshuar fjalët lidhur me autorizimin e drejtorit të “Trafikut Urban” për nënshkrimin e kredisë prej 10 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për blerjen e 51 autobusëve dhe rregullimin e trafikut urban në Prishtinë.

Zëdhënësi i kësaj Ministrie, Muharrem Shahini, ka thënë se Komuna e Prishtinës nuk ka dërguar dëshmi se drejtori i Trafikut urban është i autorizuar nga Bordi për të nënshkruar kredinë në vlerë 10 milionë eurosh dhe për këtë shkak, Ministria nuk mund ta nënshkruajë garancinë për kredi, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por, pas sigurimit të autorizimit nga ana e gazetës, Ministria e Financave ka pranuar se tashmë e ka atë autorizim.

“Ministria e Financave, nga Komuna e Prishtinës ka pranuar dokumentin i cili autorizon drejtorin e NP “Trafiku Urban” të nënshkruajë marrëveshje për kredi me BERZH-in”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Por, kjo ministri për ta dhënë garancinë e sovranit, i cili i mundëson “Trafikut Urban” dhe Komunës së Prishtinës marrjen e kredisë, thotë se i duhet edhe një zotim i Komunës, me anë të të cilit siguron mbulimin e shërbimit të borxhit në rast se NP “Trafiku Urban” bie në vështirësi financiare. Ndërsa në Komunën e Prishtinës thonë se në buxhetin e 2016-s është përfshirë shuma e nevojshme.

Me këtë zotim, tarifa për lëshimin e Garancisë Shtetërore, e cila aplikohet sipas nenit 18 të Ligjit mbi borxhin publik, zbritet në vetëm 50.000 euro.

“Ekziston edhe alternativa e lëshimit të Garancisë Shtetërore pa zotimin e Komunës, por që rezulton në një tarifë më të lartë të Garancisë, gjegjësisht 325.000 euro e pagueshme gjatë kohëzgjatjes së kredisë. Por për një gjë të tillë, nuk kemi pranuar kërkesë nga komuna”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Por, në Komunën e Prishtinës thonë se Ministria qëllimisht po e mban të bllokuar çështjen e kredisë për “Trafikun urban”. /Telegrafi/