Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se janë alokuar mjetet financiare në vlerë prej 2.7 milionë eurosh për kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, fond që i dedikohet pagesës së operatorëve të transportit publik në Prishtinë.

Sipas tij, kjo shumë është proceduar veçmas nga pjesa tjetër e projektit prej 25.9 milionë eurosh për investime kapitale, pasi këto të fundit kërkojnë kohë më të gjatë për finalizim.


Murati ka sqaruar se vendimi i Komunës së Prishtinës, i marrë të enjten mbrëma për përdorimin e të hyrave vetanake, duhej të kalonte më parë verifikimin e ligjshmërisë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), si dhe nga Ministria e Financave, duke qenë se bëhet fjalë për çështje buxhetore. Ai theksoi se ky proces është kryer dje “në afat rekord”, ashtu siç u ishte premtuar përfaqësuesve të sindikatave të transportit publik.

Ministri rikujtoi se procedurat nuk kanë mundur të zhvillohen më herët për shkak se e premtja dhe fundjava nuk kanë qenë ditë pune, ndërsa sot Departamenti i Buxhetit ka qëndruar në komunikim të vazhdueshëm me zyrtarët financiarë të Komunës së Prishtinës, të cilët – sipas tij – kanë qenë të informuar për çdo hap të procesit.

Murati kritikoi deklaratat e Komunës së Prishtinës, të cilat ai i cilësoi “të pavërteta”, duke shtuar se pretendimet për bllokim të mjeteve nga ana e ministrisë nuk qëndrojnë.

Ai ka shprehur pritjen që Komuna t’i ketë vlerësuar saktë obligimet financiare ndaj operatorëve të transportit publik, meqë ka ndarë vetëm 2.7 milionë euro për këtë kategori, dhe që këto mjete të shfrytëzohen për të shlyer borxhet dhe për ta përmbyllur, siç tha, “farsën e bllokadës së pretenduar”. /Telegrafi/