Lideri i partisë së ekstremit të djathtë izraelit, Zionizmi Fetar, Bezalel Smotrich, kërkoi falje shpejt për deklaratën ku ofendoi Arabinë Saudite, vetëm disa orë pasi shkaktoi reagime të ashpra brenda dhe jashtë vendit.

Ministri izraeliti Financave gjatë ditës së sotme, duke folur për një proces të mundshëm normalizimi të marrëdhënieve me Riadin, tha se "nëse Arabia Saudite dëshiron të ndërrojë normalizimin e marrëdhënieve me një shtet palestinez, ne themi: jo, faleminderit. vazhdoni të ecni me devetë e juaja në shkretëtirën saudite ndërsa ne po zhvillohemi".


Deklarata, e cila menjëherë shkaktoi një valë pakënaqësish dhe u cilësua si raciste, erdhi në një moment kur kontaktet diplomatike mes Izraelit, Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite janë në një fazë të ndjeshme.

Uashingtoni për muaj me radhë po përpiqet të rifillojë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, së bashku me bisedimet për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.

Vetëm disa orë më vonë, Smotrich doli në platformën X dhe u përpoq të zbusë tonet.

"Deklarata ime për Arabinë Saudite ishte padyshim e dështuar dhe më vjen keq për ofendimin që shkaktoi. Megjithatë, në të njëjtën kohë pres që sauditët të mos na lëndojnë dhe të mos mohojnë trashëgiminë, traditën dhe të drejtat e popullit hebre për rajonet historike të atdheut të tyre në Jude dhe Samar", tha ai.

Me këtë tërheqje të shpejtë, Smotrich u përpoq të qetësojë tensionet para iniciativave diplomatike të mundshme që përfshijnë edhe presidentin amerikan, Donald Trump, i cili në ditët në vijim planifikonte të priste trashëgimtarin e fronit saudit, Mohammed bin Salman në Shtëpinë e Bardhë.

Arabia Saudite më parë ka theksuar disa herë se nuk do të pranojë normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin derisa të krijohet "një rrugë e qartë" drejt formimit të një shteti palestinez, që është një qëndrim në konflikt të drejtpërdrejtë me të djathtën izraelite, ku Smotrich është një nga përfaqësuesit më të shquar. /Telegrafi/