Ministri izraelit e barazon Turqinë me Hamasin

Ministri i Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, iu përgjigj vendimit të Turqisë për të ndërprerë marrëdhëniet ekonomike me Izraelin dhe për të mbyllur hapësirën ajrore për aeroplanët izraelitë.
Në llogarinë e tij në X, Ben-Gvir postoi një foto të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, duke shtrënguar duart me ish-shefin e byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, i cili u eliminua nga Izraeli në Teheran.
Ben-Gvir shkroi: "Turqia = Hamas".
Ndryshe, Turqia ka vendosur të ndërpresë plotësisht të gjitha lidhjet tregtare dhe ekonomike me Izraelin dhe po mbyll hapësirën e saj ajrore për aeroplanët izraelitë, njoftoi Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan.
Siç shkruan Jerusalem Post, pasojat ekonomike të këtij veprimi nuk dihen ende, por devijimet për shkak të hapësirës ajrore të mbyllur mund të rrisin kohën e udhëtimit të fluturimeve nga Izraeli në vende si Gjeorgjia dhe Azerbajxhani me pothuajse dy orë.
Lëvizja vjen pas raportimeve se autoritetet turke kanë filluar t’u kërkojnë në mënyrë joformale agjentëve të transportit detar të japin letra që vërtetojnë se anijet nuk janë të lidhura me Izraelin dhe nuk transportojnë mallra ushtarake ose të rrezikshme të destinuara për atë vend. /Telegrafi/


















































