LAJMI I FUNDIT:

Ministri i Kulturës dhe DVD- të

“Fluturoj, fluturoj…” dhe ngritja shpërfillëse e gishtit na dërgoj të një emision debat në RTK. Dhe pa asnjë çudi emisioni kishte të bënte me kulturë dhe art!?

Ministri në dijeni se DVD- të kushtojnë vetëm 1 euro e 50 centë: Se (a) duhet të shkojë ministri në teatër a kinema nuk e di?! Se a i merr fëmijët a nuk i merr as për këtë nuk duhet me u përzi! Duhet ndëgjuar kah ligjëron në lidhje me moralin e kulturës, sjelljen kulturore, trendët dhe rrjedhat kulturore, për jetën e aktorëve, për përkushtimin ndaj tyre dhe rëndësisë dhe rolit të artistëve në shoqëri! Dhe si arsyetim nga i pari i kulturës së një vendi mund të dëgjosh edhe këtë, që është reale dhe një të vërtetë: “Pse me shku unë më fëmijët në kinema, me pa dikush?! Kur unë blej DVD, për shembull të “Avatar” për vetëm një euro e 50 cent!” Dhe mund ta besoni se këtë e thotë ministri i posaemëruar i kulturës në Radio Televizionin e Kosovës. Është e vërtetë se pak bëhet kundër piratizmit! Këtu vihet në pikëpyetje kultura dhe morali politik- kulturor i formimit të një ministri! Dhe aq më keq “akuzon” dhe përfol një gazetar qe e paska pyet se kur ke qenë për herë të fundit në teatër! O temporal, o mores! Po le të shkon kah të do më tha!- më pëshpëriti një bashkëkolegu!


“Avatar”- in këmbëkryq n’shpi po pa syze 3D: Si dinë këta njerëz, këta tipa te kallajisur me pezhgvën e ndryshkur të kohëve moderne (kupto gellit) të kamuflohen në postin e ministrit e të guxojë e të thotë publikisht se unë e përcjellë filmin në DVD për vetëm 1 euro e 50 cent! Në të vërtetë një DVD kushton edhe më lirë! Kushton vetëm 1 euro. Sikurse edhe filmi “Avatar” pretendenti që mbeti nën hije të një projekti tjetër “The Hurt Locker”. A e din ministri se në kinema “ABC” shfaqen edhe premiera botërore? Dhe kuptimi “i ri” i premierës botërore ka të bëj se ai film shfaqet në kinema njëkohësisht me vendet e tjera dhe njëkohësisht me premierën në të cilën do të jenë pjesëmarrës edhe stafi realizues i filmit! Por ja që ministri flet për DVD! Dhe na flet edhe për shumën, vlerën prej vetëm 1 euro e 50 cent! Ai tashmë i ka, dhe në shtëpi shikon filmin “Avatar”! Dëshira e fëmiut të moderatorit në TV janë edhe syzet tredimensional! Prandaj janë syzet që mund të jenë një sherr qe të bëhet përpjekje për rikthimin e shikuesit në kinema! Ky është niveli i kulturës për kinema i ministrit të kulturës!

Sigurisht se po të pyes ministrinë në lidhje me DVD do të flas! Edhe për piratizmin si fenomen që tashmë bënë jetë të konsoliduar në Kosovë! Nëse ministri gjatë ndonjë vizite për shembull në Vjenë (gjatë bisedimeve shqiptaro- serbe për decentralizmin) ka mundur të shkoj edhe në kinema për ndonjë premierë, apo se qyteti i tij i preferuar mund të jetë një nga metropolet e mëdha zvicerane dhe se aty të shoh filma premierë ministri ka edhe një përparësi: i sheh në shtëpi në DVD. Dhe sa për dijeni të opinionit vazhdimin e “Sex and the City” dhe “Shrek 4” dhe mbi të gjitha “Robin Hood” dhe “Princ of Persia” mund ti shoh në DVD pak çaste pas shfaqjes së premierave në TV apo në vendprodhimin e filmave! Dhe në sh’pi!

Në pritje të katër projekteve të filmit artistik të metrazhit të gjatë: Produksionët private dhe iniciativat e vullnetit të mirë të studentëve të diplomuar e kanë dërguar kohëve të fundit aktorin e mirënjohur Enver Petrovci të interpretojë në një film “diplomë” të metrazhit të gjatë “Besa”. Dhe sigurisht që e din se tashmë janë pezull, në xhirime, në fazën përgatitore dhe në pritje kemi katër projekte kinematografike: “Gomarët e kufirit” të Jeton Ahmetaj (në fazën e posproduksionit), “Kodi i jetës” i Ekrem Kryezit (në fazën e xhirimit), “Heroi” i Luan Kryeziut (në fazën përgatitore) dhe së fundi ka mbështetur (subvencionuar) filmin artistik i metrazhit të gjatë “Agnus Dei” me skenar dhe regji të Agim Sopit. Të gjitha këto nga Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK). Dhe së ministri i Kulturës do t’i këtë që të katër filmat në DVD për sh’pi! Sepse ai shpresojmë se do e pres në postin e ministritë që të katër filmat!

Kur hapën dyert e jetës dhe dyert e piratizmit: Filmin shqiptar “Kur hapen dyert e jetës” (1986) në regji e skenar të Rikard Ljarjes e pata pa si premierë botërore në Televizionin Shqiptar (TVSH). Këtyre ditëve me një frymë e përcolla tashmë në një televizion të paketës kabllovike digjitale. Hera e parë para 24 vitesh, hera e dytë para 3, 4 vitesh. Tashmë për herë të tretë ishte një ndjenjë a përshtypje se herën e dyta e kisha harruar në tërësi dhe vinin imazhet e çerekshekulli më parë. Në Kosovë kishin hyrë në fondin e artë dy vepra kinematografike që do të shënojnë përgjithnjë frymën e fundshekullit kinematografik në Kosovë: “Njeriu prej dheu” dhe “Proka” dhe ishte në përgatitje “Rojet e mjegullës”.

Duke e harruar të kaluarën si kujtesë dhe duke mbizotëruar ndjenja emocionuese si shkas, nuk e di pse filmin e përcolla më një mall e ndjenjën emocionuese shpërfillëse të realitetit në kontekstin e kohëve. Nëse lëmë anash interpretimet e aktorëve të njohur Bep Shiroka, Reshat Arbana, Petrit Malaj, etj. që mbetën ikona të shpërfaqjes së karaktereve dy momente si citat- dialog me shkas nga filmi:

– Është kënaqësi dhe forcë kur ia lehtëson dhembjet tjetrit.
– Unë bëj vetëm detyrën!
– Ka disa mënyra për të kryer detyrën!

Dhe:
– Unë jam vëllai i dëshmorit. Pa dashje ndoshta kam përfituar shumë. Më shumë seç më takon!

Nëse ia heqim shtresimin real- socialist (i cili vërehet shumë pak në këtë film) atëherë këtë film do ta shfaqja për të gjithë mjekët e Kosovës dhe ata që kanë të bëjnë me shërbimin medicional shëndetësor, për të gjithë ata që pushtetin e konsiderojnë si mundësi për përfitime marramendëse. Dhe për ministrinë për të parë se si janë krijuar filmat dekada më parë, dhe si kundër-reagim vlerash të përbotshme për filmat gjigantë të kinematografisë botërore për muajin maj: “Sex and the City”, “Shrek”,”Robin Hood” dhe “Princ of Persia”. Të katër filmat do na sjellin mesazhe antologjike. Edhe kritika filmike shqiptare do të shkruaj. Nëse nuk e bënë dot këtë, do të merren me përkthimin nga kritika e huaj. “Kur hapen dyert e jetës”, është inekzistentë në Kosovë, derisa neve na ka marr malli për t’mos harruar traditën, kemi kapërcyer lojën “Fluturoj, fluturoj…” dhe kemi arritur edhe te DVD- të e këmbëkryq para oxhakut të sh’pisë. Mbi të gjitha sepse të gjitha rrugët na qojnë në shpi!