Ministri Hoxhaj përshëndet vendimin e Malit të Zi

Në telegram, ministri Hoxhaj ka falënderuar homologun malazez për vendimin e Qeverisë së Malit të Zi për të hapur ambasadën në Prishtinë.
“Ne e mirëpresim hapjen e ambasadës së Malit të Zi në Prishtinë. Republika e Kosovës tashmë ka filluar procedurat për hapjen e ambasadës në Podgoricë. Hapja e këtyre ambasadave hap një kapitull të ri në marrëdhëniet tona bilaterale. Këto marrëdhënie të shkëlqyeshme janë garantues i përhershëm i stabilitetit, sigurisë dhe paqes në Ballkan si dhe i integrimeve euroatlantike të dy shteteve”, thuhet në këtë telegram.
Ministri Hoxhaj vlerëson se hapja e misioneve dhe shkëmbimi i ambasadorëve ndërmjet Kosovës me pothuajse të gjitha vendet fqinje, konfirmon marrëdhëniet shumë të mira të shtetit tonë me vendet fqinje dhe rolin e fuqishëm stabilizues në rajon të Republikës së Kosovës.
Derisa në vendimin e Qeverisë së Malit të Zi thuhet se hapja e ambasadës në Prishtinë i kontribuon vazhdimit të vendosjes së marrëdhënieve të mira fqinjësore, si një nga kriteret më të rëndësishme për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Mali i Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 9 tetor të vitit 2008, ndërsa marrëdhëniet diplomatike me Prishtinën i ka vendosur më 15 janar të 2010. /Telegrafi/


















































