LAJMI I FUNDIT:

Ministri i Diasporës me propozime për dalje nga kriza politike

Ministri i Diasporës me propozime për dalje nga kriza politike

Valon Murati, lideri i partisë politike “Lëvizja për Bashkim”, të enjten përmes një konference, ka prezantuar idetë dhe planin e tij për nxjerrjen e vendit nga kriza politike në të cilën është përfshirë.

Sipas Muratit, i cili është edhe ministër i Diasporës në Qeverinë e Kosovës, ideja e partisë së tij përbëhet prej dy hapave elementarë: në hapin e parë përfshihet fillimi i një dialogu për reformën zgjedhore dhe hapi i dytë është instalimi i tryezës së liderëve, njofton Klan Kosova.


Sipas tij, reforma zgjedhore do të përfshinte ndryshime në formën e listave zgjedhore, në çështjen e pragut zgjedhor si dhe do të bëheshin ndryshime të mëdha në mënyrën e votimit të qytetarëve që jetojnë në diasporë.

Ndryshme do të bëheshin edhe në zgjedhjen e presidentit, sepse sipas Muratit, zgjedhja e kreut të shtetit duhet t’iu lihet në dorë qytetarëve.

Kurse sa i përket tryezës së liderëve, ministri  ka thënë se u ka dërguar ftesë të gjitha partive përfshirë edhe ato që janë në opozitë, që t’i bashkohen kësaj tryeze të liderëve për dalje nga kriza.

Sipas tij, propozimi për një “tryezë liderësh”, do të përbëhej nga kryetarët e të gjitha subjekteve politike që veprojnë në vend dhe do të trajtonte në vazhdimësi dhe sipas nevojës, çështje të cilat janë në interes kombëtar.

Murati ka shtuar se qëllimi kryesor i këtij plani, është menaxhimi i krizave dhe marrja e masave për parandalimin e tensioneve të tilla politike në të cilat ndodhet vendi.

Ministri i Diasporës, është shprehur skeptik karshi asaj se nëse liderët partiakë të Kosovës do ta pranojnë ftesën e tij për “tryezë politike”.