Rasti Bllaca kundër ShIK-ut pothuaj se u shkatërrua akoma pa arritur gjykatën. Opinioni i disponuar armiqësisht ndaj dëshmitarit kryesor është një potencial shkatërrues duke qenë se gjykatat e policia sado që të jenë të pa-politizuara nuk mund të veprojnë tërësisht jashta kontekstit politik pikërisht për shkak të mantrës së stabilitetit politik dhe të sigurisë

Rasti Nazim Bllaca kundër ShIK-ut ka ekspozuar një strukturë që funksionon jo vetëm si një strukturë politike, por edhe informative. Me hapjen për publik të dëshmive të rastit Bllaca një sistem i tërë nervor ka vepruar si reaksion që në përgjithësi ka pasur një përputhje me nocionet dhe skenarët semantik të para-provuara. Si në rastet tjera ku objektiv i kritikave e akuzave kanë qenë segmentet para-legale të partive politike edhe kësaj radhe denoncuesit e kanë pasur të njëjtin fat. Diskreditim sistematik!

Diskreditimi rastit u provua të bëhet së pari duke shpallur dëshmitarët gënjeshtarë, së dyti si të shkalluar, të lajthitur e me probleme mendore, së treti ata u hodhën në kategorinë e armiqëve të publikut dhe të tradhtarëve dhe më në fund u prodhuan dëshmi që jo vetëm kundërshtojnë pohimet e dëshmitarëve, por edhe tentojnë ta kthejn mbrapsht akuzën edhe pse kësaj radhe kjo fazë nuk kishte kuptim duke qenë se dëshmitari kryesor tashmë kishte pranuar fajin.

Është ky një skenar tipik i shërbimeve informative, të cilat kombinojnë të tëra këto faza për të arritur qëllimin ultimativ, ndërtimin e opinionit publik në pajtushmëri me interesat e tyre. Ky nuk është fenomen endemik kosovar dhe besoj se kushto që kërkon të studiojë veprimtaritë kundra-informuese mund të gjejë materiale me bollëk. Mirëpo, ajo që është gati pa precedent për shtetet që mëtojnë demokracinë është veprimi në kor i këtyre segmenteve me pjesën më të madhe të medias.

Pa kurrfar respekti për përmbajtjen nga ndikimi në pa-anshmërinë e hetimeve mediat që i takojnë sferës së interesit të partive në pushtet janë lëshuar në një fushatë dhe një kërkim “të pavarur” të fakteve që minojnë dëshminë e Bllacës. Norminalisht, ky rast do duhej të ishte gati ekskluzivisht rast i policisë dhe gjyqësisë dhe media do duhej ta shifte këtë rast edhe nëpërmjet kësaj prizme. Mirëpo, ajo që ndodhi me pjesën më të madhe të medias kosovare tregoi se në fakt segmente të tyre në moment të caktuar i përgjigjen me përpikmëri këtij sistemi informativ të ndërtuar në këto dhjet vite në Kosovë. Në raportet e mediave pro-qeveritare pothuaj se nuk zuri vend prizmi i hetimeve policore e gjyqësore, kurse nëpërmjet shkeljeve serioze etike u hapën faqet e edicionet e lajmeve me qëllim të minimit të kësaj dëshmije në sytë e opinionit publik.

Natyrisht tërë ky veprim i koordinuar ka një racional mbrapa. Dirigjentët e këtij koncerti e dijnë mirë se ky rast është skajshmërisht i politizuar dhe si i tillë është direkt i lidhur me qëndrimin e opinionit publik. Dëshmi të ngjashme mbi krimin e organizuar kanë pasur policia e gjyqësia edhe më herët, por ato gjithmonë janë sakrifikuar për hirë të stabilitetit politik. Prandaj, kthimi i opinionit publik pro-segmenteve të akuzuara nga dëshmia e Bllacës ka qenë një çelës në minimin e këtij rasti dhe potencialisht vazhdimin e mëtutjeshëm të mosndëshkushmërisë së politikës. Ky stigmatizim i dëshmitarëve arriti gjer në pikën sa praktikisht dëshmitari kryesor ngeli pa avokat. Si mund të gjindet një avokat për “tradhtarin e kombit”?

Në masë të konsiderueshme është arritur kjo. Bllaca për një pjesë të konsiderueshme të opinionit publik është thjesht një njeri që ka jetuar në Serbi, ka dhënë dëshmi të rrejshme me qëllim të cënimit të “strukturave patriotike” dhe nuk është i rrallë edhe opinioni se ai në të vërtet është i shkalluar. Kjo ka ndërtuar një opinion publik që e vështirëson, për të mos thënë e pamundëson, zhvillimin e një procesi normal të hetimeve dhe një gjykim fer e të pa-anshëm të rastit ose rasteve që dalin nga kjo dëshmi.

“Mbrojeni Bllacën” ka qenë një titull balline e një gazete të rreshtuar mbrapa qeverisë duke theksuar në këtë mënyrë një kërkesë të prokurorisë serbe për të siguruar mbrojtje për Nazim Bllacën. Natyrisht nuk ka se si të mos interpretohet kjo si një insistim në diskreditim të dëshmitarit dhe në këtë mënyrë ndërhyrje direkte në pa-anshmërinë e hetimeve. Mirëpo, siç duket edhe vetë prokuroria serbe e përceptoi këtë si rast i një rëndësie të jashtëzakonshme dhe reagoi në këtë mënyrë duke e ditur se si do të reflektohet në Kosovë ky reagim. Nuk e mendoj që ky reagim i prokurorisë serbe, gjegjësisht përfaqësuesit të shtetit serb është i rastësishëm dhe pa ndonjë qëllim politik. Duke e ditur se ky reagim do të zvogëlojë kredibilitetin e rastit duket se objektivi i shtetit serb ka qenë zgjatja e amullisë politike në Kosovë duke kontribuar kështu në minimin e dëshmisë së Bllacës së bashku me tërë atë koncert njerëzisht në Kosovë. Racionali politik i kësaj është i qartë. Një spastrim eventual i politikës kosovare nga elementët e dyshimt kriminal nuk i shkon në interes shtetit serb dhe kjo u pa edhe me këtë reagim qëllimisht kontraproduktiv të prokurorisë serbe.

Në anën tjetër një monitorim i thjesht i medias kosovare mbi rastin Bllaca kundër ShIK-ut mund të nxjerrë bazë të mjatueshme për dhjetra procedime për shkelje etike nëse jo edhe procedime penale ndaj redaktorëve të këtyre mediave. Televizioni publik ishte në krye të detyrës duke gërmuar për çfarëdo personi që do të sjellte kundër-dëshmi për akuzat e Bllacës. Gazetat tjera të botuara direkt ose indirekt nga PDK poashtu kryen detyrën e vet. Në të vërtet edhe këtyre mediave por edhe atyre që bënë punë korrekte në hulumtimin e rasteve në masë të konsiderueshme u ka munguar këndvështrimi i policisë dhe hetuesisë, gjegjësisht përcjellja e procedimit të rastit nga organet ligjore. Kjo ka bërë që media në masë të konsiderueshme të bie në një nga aspektet më të rëndësishme në kodin etik, atë të mbrojtjes së pa-anshmërisë së gjyqësorit, diku me qëllim e diku pa qëllim.

Në këtë mënyrë, rasti Bllaca kundër ShIK-ut pothuaj se u shkatërrua akoma pa arritur gjykatën. Opinioni i disponuar armiqësisht ndaj dëshmitarit kryesor është një potencial shkatërrues duke qenë se gjykatat e policia sado që të jenë të pa-politizuara nuk mund të veprojnë tërësisht jashta kontekstit politik pikërisht për shkak të mantrës së stabilitetit politik dhe të sigurisë. Dirigjuesit e kësaj fushate e kanë ditur këtë më mirë se kushdo tjetër dhe e kanë shfrytëzuar maksimalisht në interes të tyre. Mirëpo, kushdo që merret me këtë rast duhet patjetër ta ketë në konsideratë komponenten mediatike të tij.

Figurat e ekspozuara në dëshminë e Bllacës kanë profil të lart politik dhe si të tilla kanë ndërlidhje direkte me stabilitetin e vendit. Opinioni publik kosovar është i përgaditur që më në fund të ndodhë një spastrim i politikës, por mënyra si bëhet kjo është shumë e rëndësishme. Zyrat ndërkombëtare në Kosovë deri sot kanë treguar një dobësi tepër të madhe për potencialin destabilizues të luftimit të korrupsionit politik dhe krimit të organizuar dhe ambienti mediatik i krijuar pas hapjes publike të dëshmive sikur të ishte shfrytëzuar drejt ka mundur të krijojë një ambient politik të përshtatshëm për këtë luftë. Mirëpo, siç duket ky aspekt tepër i rëndësishëm iu iku prej dore atyre që dëshirojnë ta luftojnë krimin në politikë.

Megjtihatë ka shanse. Për ta kompenzuar këtë dëm që i është shkaktuar këtij rasti EULEX-i dhe organet e drejtësisë duhet përfundimisht të jenë transparente në mënyrë që opinioni publik të informohet drejt mbi evidencat për aq sa lejojnë hetimet. Procedimi duhet të jetë i hapur dhe opinioni publik të informohet hap-pas-hapi mbi rastin në mënyrë që të mos u lihet mundësi mediave politikisht të anueshme për ta dëmtuar më tutje këtë rast. Institucionet vet-rregulluese për monitorimin e medias nga pikëvështrimi etik, si KPM e Press-Council duhet të inkurajohen për të bërë procedimin e shkeljeve etike në mbulushmërinë e këtij rasti. Vetëm kështu mund të sigurohet një procedim i pa-anshëm dhe korrekt i këtij rasti dhe rasteve tjera që mund të dalin nga këto dëshmi. Deri më sot nuk ka pasur transparencë të mjaftueshme dhe kjo është një indikator i keq për pa-anshmërinë e EULEX-it. Ka pasur disa raste të intervistimeve që nuk u janë bërë të njohura publikut në ndërkohë që sistemi informativ i kundërshtarëve të këtij rasti ka punuar pa-ndërprer dhe efetkshëm.

Autori është bashkëthemelues i Organizatës ÇOHU!