Milionat e fushatës dhe qytetarët
Kanë mbetur edhe disa ditë deri tek data e përcaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë, të parat pas shpalljes së pavarësisë dhe aprovimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kandidatët e subjekteve politike për kryetarë të komunave, gjatë kësaj kohe, kanë pasur takime të shumta me grupe te veçanta me afaristët, gratë, punonjësit e arsimit, persona me nevoja të veçanta, takimet me të rinjtë, me personalitete të artit dhe kulturës etj.
Megjithatë, partitë kanë pasur mjaftë hapësirë për ta bindur elektoratin e vetë për kandidatët e tyre potencial. Por, në këto zgjedhje, janë vërejtur disa strategji të partive politike, që kanë mundur të prekin dhe të marrin besimin e qytetarëve gjatë kësaj fushate.
Më shumë ujë, më shumë drita, më shumë mirëqenie, më shumë investime, këto janë disa nga premtimet e kandidatëve të partive politike për udhëheqje të komunave në Kosovë, që tradicionalisht është duke u vazhduar e njëjta skemë programore e para disa viteve.
Çka do të thotë se nuk është punuar thuajse asgjë, që programi i kandidatëve të ndryshohet në platformë në këto zgjedhje.
Kosova më shumë po ndërtohet në një periudhë një mujore të fushatës zgjedhore, se sa për një mandat prej 4 viteve të qeverisjes. Këto investime e fundit që po bëhen nëpër komuna si në rregullimin e rrugëve prej 2 km, fasadimin e ndërtesave etj, nuk janë gjë tjetër, veç mbulim i asaj që nuk është qeverisur si duhet gjatë mandatit sa kanë udhëhequr.
Për kundër këtyre, ata vazhdojnë me premtimet që i bëjnë vazhdimisht nëpër debate televizive dhe për çudi, tek ta mungon strategjia dhe intuita e një plani afatgjatë për rregullimin sa më të mirë të mirëqenies të qytetit, por edhe të Kosovës në përgjithësi.
Është për tu habitur me mënyrën se si ata mundohen ta bindin votuesin pasi, këto premtime të lartë cekura, janë çështje elementare që do të duheshin të kryheshin qysh herët. Edhe në sa fushata tjera, do të vazhdohet të mashtrohet populli ynë, me gjera elementare jetësore që në shekullin 21 në shtetet tjera tashmë nuk diskutohen fare këto çështje, do të ishte njëra nga pyetjet e qytetarëve që do ta parashtronin në vetvete ata.
Por, sa janë të drejta këto premtime që iu bëhen qytetarëve të shtetit më të ri në botë, i cili është duke u ballafaquar me një mori probleme. Kur them probleme, kamë parasysh ngecjen e njohjes së Kosovës nga shtetet e tjera të botës, çështjen e veriut të Mitrovicës, mungesën e një strategjie për sjelljen e investitorëve në vend etj.
Gjithashtu, sa janë të drejta shpenzimet e partive që i bëjnë nëpër fushata zgjedhore, në të cilën një parti shpenzon 5 mijë euro, në një gazetë të përditshme, pa i llogaritur shpenzimet për spotet televizive. Mendohet se që nga fillimi i fushatës e deri më tash, janë bërë shpenzime marramendëse të parave nga subjektet politike dhe që kap një shifër prej 3 milion euro.
Duke marrë parasysh këtë shifër e cila deri në përmbylljen e fushatës do të rritët 6 ose 7 herë më shumë, do të mundë të realizoheshin projekte të shumta në lehtësimin e jetës së familjeve që janë skamnor por edhe të ndryshoj në esencë gjendjen e tanishme.
Nuk mund të jetë shteti i Kosovës me perspektivë me gjithë këta qytetarë të papunë, të mërzitur dhe të zhgënjyer.
Por si është e mundur që Kosova e vogël e cila po ballafaqohet me problemet e mëdha, qytetarët e saj, pra, menaxhuesit e qytetarëve, t’i harxhojnë gjithë ato para në këtë fushat, ku dihet se papunësia në Kosovë është mbi 50 për qind. Si ia lejojnë vetës partitë politike që t’ia krijojnë vetës një luks kaq të madhe, ku çdo ditë e ma shumë po mbushën rrugët me të varfër që kërkojnë lëmosh.
Pra, kryetarët e ardhshme duhet t’i kenë të qarta veprimet e tyre, në mënyrë që të kemi një qeverisje transparente. Por, fatkeqësisht deri më tani disa kandidatët më shumë kanë ofruar pasqyrim të problemeve të tanishme, sesa një ofrim të zgjidhjeve konkrete. Me një fjalë, po tentojnë t’u hedhin qytetarëve hi syve.
Çështja tjetër është se qytetarët mos të manipulohen nga joshjet financiare por të tregohet gjendja faktike në teren që është alarmante, ku ka shumë probleme për t’u zgjidhur, ndërsa që shumica e kandidatëve po merren me politika jo adekuate, duke e anashkaluar apo harruar atë që po ndodh në të vërtetë.
Tashmë që Kosova është një vend ku mund të ushtrohet e drejta e gjithsecilit dhe këto zgjedhje, janë të vetmet ku mund të kemi një qasje komplet të re, diçka thellësisht ndryshe, prej asaj çfarë nuk kemi nevojë për vazhdimësi të politikave denigruese. Kemi nevojë për ndryshime të thella, për një sistem të ri, për koncepte të reja, për menaxhim më të mirë të kërkesave tona jetësore.



































