Për herë të parë në vend, përmes Ministrisë së Financave, do të realizohet provimi nacional për marrjen e certifikatit për revizor të brendshëm të autorizuar në sektorin publik.

Nga Ministria e Financave thonë se kjo paraqet një hap të rëndësishëm përpara në përmirësimin e sistemit të kontrollit të brendshëm financiar në sektorin publik dhe është pjesë e aktiviteteve të vazhdueshme të Ministrisë së Financave që ka për qëllim punë më të përgjegjshme, transparente dhe ligjore të institucioneve.


"Me organizimin e provimit nacional, për herë të parë, nëpërmjet Ministrisë së Financave po vendoset certifikimi nacional i revizorëve të brendshëm në sektorin publik, me ç’rast do të krijohen kushte për profesionalizim të mëtejshëm dhe përforcim të këtij funksioni të rëndësishëm në institucione".
"Zhvillimi i provimit dhe certifikimi i revizorëve të brendshëm do të kontribuojnë drejtpërdrejt në përforcimin e kapaciteteve të njësive të revizionit të brendshëm te subjektet e sektorit publik. Njëkohësisht, kjo paraqet edhe një dëshmi konkrete të angazhimit të Ministrisë së Financave për përforcimin e mekanizmave për luftën kundër korrupsionit dhe sigurimin e funksionimit të ligjshëm dhe të përgjegjshëm të subjekteve të sektorit publik".

"Futja e provimit nacional është i rëndësishëm edhe nga aspekti i procesit të integrimit evropian. Me organizimin e tij shënohet një hap drejt realizimit të plotë të rekomandimeve të Bashkimit Evropian në këtë fushë, në kuadër të Kapitullit 32 – Kontrolli financiar, si dhe kontribuohet në realizimin e suksesshëm të hapave të mëtejshëm të agjendës reformuese në këtë fushë".

"Materialet për përgatitjen dhe pyetjet e provimit veçmë janë publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Financave. Materialet e provimit janë përgatitur me përkrahjen teknike dhe të ekspertëve nga Bashkimi Evropian për Ministrinë e Financave – Njësia Qendrore e Harmonizimit", thonë nga Ministria e Financave.