Metropoli i parë evropian po i shtrëngon seriozisht rregullat për drejtimin e skuterëve elektrikë

Kryeqyteti i Francës, Parisi, po vendos rregulla të reja për përdoruesit e skuterëve elektrikë, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë në trafikun urban.
Sipas rregullave të reja, personat që lëvizin me skuterë elektrikë në rrugët e qytetit duhet të përdorin helmetë dhe të mbajnë jelek reflektues ose pajisje tjetër reflektuese.
Vendimi vjen në një kohë kur në Paris është rritur numri i aksidenteve ku përfshihen skuterët elektrikë. Autoritetet franceze synojnë që përmes masave të reja të rrisin dukshmërinë e përdoruesve të këtyre mjeteve, veçanërisht gjatë natës dhe në kushte me shikueshmëri të dobët.
Sipas rregullave, pajisjet reflektuese do t'i ndihmojnë drejtuesit e automjeteve dhe përdoruesit e tjerë të rrugës që t'i dallojnë më lehtë personat që lëvizin me skuterë elektrikë. Ndërkohë, helmeta synon të ulë rrezikun e lëndimeve të rënda në rast të një përplasjeje apo rrëzimi.
Shkelësit do të përballen edhe me gjoba financiare. Mosmbajtja e helmetës dënohet me 135 euro, ndërsa për drejtimin e skuterit pa jelek reflektues ose pajisje tjetër reflektuese parashihet një gjobë prej 35 eurosh.
Autoritetet e Parisit synojnë që masat e reja të shërbejnë si një mjet parandalues dhe të ulin numrin e aksidenteve. Skuterët elektrikë janë bërë gjithnjë e më të pranishëm në kryeqytetin francez, por përdorimi i tyre ka sjellë edhe shqetësime për sigurinë e drejtuesve, këmbësorëve dhe përdoruesve të tjerë të rrugës. /Telegrafi/









































