LAJMI I FUNDIT:

Mesazhi im për Benjamin Netanyahun: Ndale puçin tënd ose do ta ndalim shtetin

Mesazhi im për Benjamin Netanyahun: Ndale puçin tënd ose do ta ndalim shtetin

Nga: Yuval Noah Harari / The Guardian
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Jemi në mes të një uragani historik. Ky uragan që gjendet brenda nesh nuk nxitet nga zemërimi apo nga urrejtja – por, nga frika. Jemi në ankth, nuk flemë natën, thjeshtë jemi të tmerruar. Dhe, kjo është krejtësisht në rregull. Ka momente në histori kur frika është reagimi më i arsyeshëm. Ka momente në histori kur frika është e nevojshme për të na shtyrë në veprim.


Sot kemi një arsye të duhur për të pasur frikë dhe kemi një arsye të duhur për të vepruar. Mos e lejoni askënd t’ju mashtrojë: ajo që po bën kjo qeveri nuk është reformë në drejtësi, është puç antidemokratik. Pikërisht kështu duket një puç [grusht shteti].

Puçet nuk kryhen gjithmonë me tanket në rrugë. Shumë puçe në histori u kryen prapa dyerve të mbyllura me stilolapsa dhe me letra, dhe në kohën kur njerëzit e kuptuan esencën e asaj që shkruhej në ato letra – ishte tepër vonë për të rezistuar.

Historia është përplot me diktatura të vendosura nga njerëzit të cilët me mjetet ligjore dolën të parët në pushtet. Është truku më i vjetër në libër: së pari e përdorni ligjin për ta fituar pushtetin, pastaj e përdorni fuqinë tuaj për ta shtrembëruar ligjin. Kur analizohen këto së bashku, ligjet që kjo qeveri aktualisht po nxjerrë kanë kuptim të thjeshtë (dhe nuk ju nevojitet doktorata në drejtësi për ta kuptuar këtë): nëse këto ligje miratohen, Qeveria do ta ketë fuqinë që ta shkatërrojë plotësisht lirinë tonë.

Gjashtëdhjetë e një anëtarë të Knesetit [Parlamenti izraelit me 120 anëtarë] mund ta miratojnë çdo ligj racist, shtypës dhe antidemokratik që mendojnë; 61 anëtarë të Knesetit mund ta ndryshojnë edhe sistemin zgjedhor, për të na penguar që ta zëvendësojmë regjimin. Kur i pyesim drejtuesit e këtij puçi se çfarë do ta mbajë nën kontroll pushtetin e qeverisë nën regjimin e ri dhe se si do t’i mbrojë të drejtat themelore të njeriut, ata kanë vetëm një përgjigje: “Na besoni”.

Kryeministër Netanyahu, ministër i Drejtësisë Levin, deputet Rothman – kryetar i Komitetit të Kushtetutës – ne nuk ju besojmë! Ju po e grisni kontratën që për 75 vjet disi e ka mbajtur të bashkuar shoqërinë tonë, dhe pastaj po prisni që ne t’ju besojmë?

Nuk ju besojmë, sepse e dimë shumë mirë çfarë dëshironi. Doni fuqi të pakufizuar. Doni të na mbyllni gojën dhe të na tregoni si të jetojmë, çfarë të hamë, çfarë të veshim, çfarë të mendojmë dhe madje kë ta duam.

Por, nuk e kuptoni se me kë keni punë. Izraelitët nuk janë lëndë e mirë e parë për t’u bërë skllevër [skllavëria e hebrenjve të lashtë është pjesë thelbësore e teksteve të shenjta hebraike, që veçanërisht kujtohen në festën e Pashkës]. Ne, izraelitët, jemi kokëfortë, jemi me shpirt të lirë dhe askush nuk ka arritur të na mbyllë gojën. Ne nuk do t’jua lejojmë ta ktheni Izraelin në diktaturë.

Ata do t’i vazhdojnë përpjekjet për t’i miratuar ligjet e veta diktatoriale. Do të vazhdojnë të na quajnë “anarkistë” dhe “tradhtarë” dhe duke shfrytëzuar apo madje duke iniciuar ngjarjet ekstreme për ta shtypur rezistencën. Nga ana jonë, ne do të vazhdojmë të protestojmë që të jemi të sigurt se gjyqtarët e Gjykatës së Lartë do ta kenë si mbështetjen popullore ashtu edhe vendosmërinë për t’i rrëzuar këto ligje diktatoriale.

Po sikur qeveria të refuzojë të pranojë vendimin e Gjykatës Supreme? Pastaj hyjmë në një krizë kushtetuese. Një krizë kushtetuese në një territor të panjohur, pa rregulla dhe pa ligje të qarta. Nga kush do të marrë urdhra Policia – nga Qeveria apo nga Gjykata? Nga kush do të marrin urdhra Shin Beti dhe Mosadi [shërbimet sekrete]? Kujt do t’i binden Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF)? Dhe, pyetja më e rëndësishme nga të gjitha – çfarë do të bëjnë qytetarët?

Sondazhet e opinionit janë të qarta: një shumicë e madhe e izraelitëve kundërshtojnë atë që po bën kjo qeveri. Por, sondazhet nuk i ndalin diktaturat. Historia na mëson se linja e fundit dhe më e rëndësishme e mbrojtjes, në çdo demokraci, jeni ju – qytetarët.

Demokracia është marrëveshja sipas së cilës qytetarët duhet t’i respektojnë vendimet e qeverisë, me kushtin që qeveria t’i respektojë liritë themelore të qytetarëve. Kur njëra palë prish marrëveshjen, pala tjetër nuk duhet të vazhdojë të përmbushë pjesën e saj. Kur një qeveri përpiqet të vendosë diktaturën, qytetarët lejohen të rezistojnë.

Ky është një test historik për qytetarët e Izraelit dhe nëse dështojmë, nuk do të na jepet shansi i dytë. Duhet tash ta çojmë kokën lartë – ose ta mbajmë kokën ulur për pjesën tjetër të jetës. Duhet tani ta ngremë zërin – ose ta mbajmë gojën mbyllur për pjesën tjetër të jetës. Kjo është koha për të protestuar, për të bërtitur dhe gjithashtu – për të rezistuar.

Për shembull, si profesor universiteti, shpresoj se për sa kohë që vazhdon që ky puç antidemokratik, të gjitha institucionet akademike në Izrael do të futen në grevë. Natyrisht, duhet të vazhdojmë t’i mbështesim studentët tanë në këto kohë të trazuara, por ky është momenti për t’i ndalur të gjitha orët e rregullta dhe për të mësuar vetëm për demokracinë, për të drejtat e njeriut dhe për lirinë.

Nëse disa prej nesh e kanë të vështirë të hyjnë në grevë zyrtare, jam i bindur se izraelitë do t’i gjejmë mënyra kreative për zvarritje dhe për shpërfillje të urdhrave. Secili prej nesh mund ta bëjë një dëm të vogël në ingranazhet e puçit antidemokratik.

Së fundmi, si izraelit tipik, meqenëse ma dhanë mikrofonin, do të doja të shfrytëzoj rastin për t’i dërguar disa mesazhe personale. Esther Hayut, kryetare e Gjykatës Supreme, dhe Gali Baharav-Miara, prokurori i Përgjithshëm, juve ua kanë besuar njërin prej misioneve më të vështira dhe më të rëndësishme të historisë e Izraelit. Është përgjegjësi e madhe, por edhe privilegj i madh. Ky është momenti juaj për ta bërë historinë. Mos hezitoni dhe mos u tërhiqni: mbrojeni lirinë tonë.

Për presidentin Herzog dhe për krerët e partive opozitare – ruajeni lirinë tonë dhe mos bëni kompromis me të. Kur një tigër vjen për të na gllabëruar, nuk mund ta negociojmë kompromisin kur tigri hanë gjysmën e trupit tonë. Për ushtarët rezervistë të IDF-së që mendojnë se çfarë mund të bëjnë – mos u shërbeni diktatorëve! Kontrata juaj është me demokracinë izraelite, jo me varrmihësit e saj.

Për IDF-në, Shin Betin, Mosadin dhe Policinë izraelite – nëse vjen momenti i së vërtetës, bëjeni zgjedhjen e duhur. Hyni në histori si mbrojtës të qytetarëve – jo si shërbëtorë të despotëve.

Të gjithë demonstruesve që erdhën këtu sonte dhe në dhjetëra protesta tjera në gjithë Izraelin – vetëm dua të them se ju dua.

Dhe së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, dua ta përcjell një mesazh të qartë nga të gjithë ne për Netanyahun, Levinin, Rothmanin dhe kolegët e tyre – e vërtetë, ju keni 64 gishta në Kneset, por kjo nuk do të thotë se ju lejohet t’i futni ata gishtat kudo që doni. Mbajini duart larg lirisë sonë.

Ndaleni puçin – ose do ta ndalojmë shtetin. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Laporta shumë nervoz pas humbjes me Gironan – ai bërtiti vetëm me pesë fjalë, humbja mund t'i kushtojë miliona euro Barcelonës

Laporta shumë nervoz pas humbjes me Gironan – ai bërtiti vetëm me pesë fjalë, humbja mund t'i kushtojë miliona euro Barcelonës

La Liga
Buleshkaj: Vitin e kaluar jemi njoftuar për një politikan që i ka pasë 5 milionë euro në një bankë në Zvicer

Buleshkaj: Vitin e kaluar jemi njoftuar për një politikan që i ka pasë 5 milionë euro në një bankë në Zvicer

Lajme
Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime

Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime

Magazina
Tjetër fitore për Ukrainën: Rusia tërheq nga vijat e frontit dhjetëra aeroplanë luftarak

Tjetër fitore për Ukrainën: Rusia tërheq nga vijat e frontit dhjetëra aeroplanë luftarak

Botë
Larg Meritonit me pushime në Itali, turisti e pyet a je e famshme? - Ilnisa Agolli jep përgjigjjen interesante

Larg Meritonit me pushime në Itali, turisti e pyet a je e famshme? - Ilnisa Agolli jep përgjigjjen interesante

Magazina
Vinicius ironizon me Araujon: Publikon trofetë e fituar nga gjenerata e re e Real Madridit

Vinicius ironizon me Araujon: Publikon trofetë e fituar nga gjenerata e re e Real Madridit

La Liga
Kalo në kategori