LAJMI I FUNDIT:

Mercedes do të investojë miliarda euro në fabrikat e veturave elektrike

Mercedes do të investojë miliarda euro në fabrikat e veturave elektrike

Mercedes do të investojë miliarda euro për të modernizuar fabrikat e saj në Kinë, Gjermani dhe Hungari gjatë viteve të ardhshme, raportoi revista Automobilwoche, teksa prodhuesi i makinave përgatitet të kalojë në automjete elektrike dhe të reduktojë emetimet.

Bashkimi Evropian ka vendosur një objektiv për të përgjysmuar emetimet e CO2 për makinë pasagjerësh gjatë ciklit të tyre jetësor deri në fund të kësaj dekade krahasuar me vitin 2020 dhe po kërkon marrëveshje për një afat kohor të vitit 2035 për t’i dhënë fund shitjes së veturave me lëndë djegëse fosile.


Mercedes ka thënë se do të jetë gati të prodhojë vetëm vetura elektrike deri në fund të kësaj dekade, aty ku lejojnë kushtet e tregut, raporton Reuters, përcjell Telegrafi.

“Ne po investojmë një shumë milionëshe për fabrikë sa për fillim”, citohet të ketë thënë menaxheri i prodhimit Joerg Burzer, duke shtuar se këto investime do të jenë në fabrikat në Pekin të Kinës, Rastatt të Gjermanisë dhe Kecskemet të Hungarisë.

Prodhuesi i veturave do të fillojë punën në fabrikën Rastatt gjatë muajve të ardhshëm dhe do të prodhojë modelin e parë të platformës kompakte të veturave MMA nga viti 2024. Numri i modeleve të prodhuara atje nga shtatë do të ulet në katër, deklaroi Burzer.

Përveç kësaj, Mercedes do të investojë disa miliardë euro në modernizimin e sistemeve të lyerjes në fabrikat e saj Sindelfingen, Bremen dhe Rastatt në Gjermani.

Raporti tha se modernizimi synon të reduktojë konsumin e energjisë dhe ujit, dhe mbështetjen e sistemit të lyerjes në gaz, kjo duke iu përshtatur energjisë pa karbon. /Telegrafi/