Ish-futbollisti i njohur kosovar, Mensur Duraku, njohës i futbollit vendor, vlerëson se katër-pesë ekipe janë pretendentë kryesorë për inkuadrim në Superligën e Kosovës, ndërsa sfidat për mbijetesë po tregohen po aq të ashpra.

Sezoni aktual i Ligës së Parë po rezulton të jetë jashtëzakonisht konkurrues, si në luftën për titull, ashtu edhe për mbijetesë.


Ish-futbollisti i Besës së Pejës dhe njohës i mirë i futbollit ka theksuar se gara pritet të mbetet e hapur deri në fund të kampionatit, duke e bërë këtë sezon më interesant se kurrë.

“E shoh një luftë të madhe për inkuadrimin në Superligë. I shoh katër-pesë ekipe, pa dyshim. Po ashtu, është luftë e njëjtë edhe për mbijetesë”, ka thënë fillimisht Duraku për Telegrafin.

“Së fundmi e shikova lojën e parë të sezonit të Besës, e kishte bërë një ekip të mirë, e mposhti një favorit kryesor siç është Feronikeli dhe mendoj që ka me qenë një kampionat interesant”.

Duraku gjithashtu theksoi rivalitetin mes disa ekipeve të forta.

“Trepça ’89, Feronikeli dhe Liria janë konkurrent të fortë, por unë e shoh konkurrentin më të madh Vushtrrinë. Vushtrrinë e shoh konkurrent numër një, pastaj vijnë Feronikeli, Trepça ‘89 dhe Dinamo, e cila ka bërë ekip të mirë shumë. Është një luftë e paparë”.

“Është Vushtrria është Dinamo, Vëllaznimi ka organizim të mirë tash edhe Liria me prurjen e Ismetit. Ka me qenë një luftë. E më e përgatitur mendoj, nuk e di si është puna nga financat, por kështu me shikues prej të gjitha qyteteve që kam qenë, Vushtrria edhe Vëllaznimi, por më ka lënë përshtypje edhe Dinamo”.

Pejani nënvizoi se përvoja dhe cilësia e lojtarëve do të vendosin kampionin e këtij sezoni.

“Mendoj edhe përvoja, Vushtrria ka përvojë, Vëllaznimi, Liria e këto, nuk di tash sa mundet me pas përvojën e tyre Dinamo. Këto ekipet janë pak ma të vogla, Vushtrria ka përvojë të madhe, e shoh Vushtrrinë, Lirinë, Vëllaznimin, Trepçën 89”, potencoi ish-sulmuesi.

Sa i përket sfidës për mbijetesë, Duraku e sheh situatën të vështirë për Besën e Pejës.

“Klubin tim të zemrës me thënë, e ka shume vështirë po Besa u mundu me u organizu shumë, ata veç se po ju rrinë gati me paga me krejt po ky është sezoni i parë dhe nuk i kanë qel fort sytë po tash mendoj qe është pak vonë po si do qe të jetë mirë duke e mposht Feronikelin këtu ka diçka”.

“E ka orarin shumë të keq. Krejt ekipet qe janë për me ra prej ligës Besa ju shkon e këto që janë për me hy në ligë ju vinë, e ka një situatë të kundërt krejtësisht, por kam qejf dhe lutem që Besa të mbetet në ligë”.

“Është një konkurrencë shumë e madhe, është Besa, 2 Korriku, Prizreni, krejt këto që janë në ligë janë në luftë. E Liga e Parë kurrë më interesant nuk ka qenë”.

Ai përfundon me një mesazh optimist për tifozët e futbollit vendor.

“Askush nuk e ka të sigurt mbijetesën dhe askush nuk e ka inkuadrimin ne Superligë. Kjo e bënë kampionatin shumë më interesant dhe deri në fund nuk do të dihet se kush bie edhe kush inkuadrohet në Superligë. Kjo e bënë kampionatin shumë më interesant”, përfundoi ish-ylli pejan. /Telegrafi/

telegrafi sport app