Pasi shmangu një jete të kotë në Birmingem, Ozzy u bë një nga ata liderë të rrallë të rokut me të cilët mund të identifikoheshe - dhe pastaj, kundër çdo parashikimi, u bë thesar kombëtar. Nga: Alexis Petridis / The Guardian (titulli: Ozzy Osbourne, the people’s Prince of Darkness, took heavy metal into the light)
Përkthimi: Telegrafi.com

Siç do ta kishte pranuar edhe vetë, adoleshenti John Michael “Ozzy” Osbourne nuk dukej aspak si dikush me një të ardhme të ndritur përpara vetes. Fëmijëria e tij ka qenë e trazuar - kishte vështirësi në shkollë, pjesërisht për shkak të disleksisë, dhe kishte pësuar abuzim seksual nga dy ngacmues më të mëdhenj - ndërsa perspektivat e tij, pasi la shkollën në moshën 15-vjeçare, pothuajse nuk dukeshin fare. Edhe përpjekjet për t’u bërë kriminel përfunduan në farsë. Siç do të shprehej më vonë, ai ishte “tmerrësisht i pavlefshëm” si hajdut: një televizor që po përpiqej të vidhte i ra sipër; duke vepruar në errësirë, vodhi pa dashje një përzgjedhje rrobash foshnjash - në vend të atyre për të rritur që kishte planifikuar t’i shiste nëpër lokalet e Astonit në Birmingem. Më në fund, u kap dhe u burgos për gjashtë javë.


“Ozi Zigu [siç e quante veten] ka nevojë për një koncert” [Ozzy Zig Needs a Gig] shkruhej në kartën që ai la në dritaren e një dyqani lokal muzikor, dhe fjala kyçe duket të ketë qenë “nevojë”: kur iu bashkua, si vokalist, grupit hevi-bluz-rok [heavy blues rock band] të quajtur Earth, ai kishte mbetur pa alternativa. Madje as Earth - që më vonë u quajtën Black Sabbath - nuk ofronin ndonjë biletë të qartë drejt famës dhe pasurisë: ideja e tyre për të avancuar në karrierë përfshinte ngarkimin e furgonit me pajisje, shkuarjen në koncertet e grupeve të tjera, pa ftesë, duke pritur jashtë me shpresën se ndonjë grup do të tërhiqej dhe ata do të futeshin si zëvendësim.

Dhe, kur Osbourne hapte gojën për të kënduar, nuk kishte nevojë të dije për CV-në e tij të mjerueshme që të kuptoje se jeta nuk kishte qenë aspak e drejtë me të. Zëri i tij ishte një klithmë e dëshpëruar, e paarsyeshme, që më së miri përshtatej për këngët që përkufizonin rokënrolin sipas përshkrimit të liderit të tjerë të grupit Dr Feelgood, Lee Brilleaux: “Muzikë për ligjin e mbrapshtë dhe fatin e keq.”

Miti i krijimit të [grupit] Black Sabbath - dhe rrjedhimisht i hevi-metalit [heavy metal], zhanër të cilin ata e shpikën pothuajse vetë - kishte të bënte me një lëvizje gjeniale marketingu të bateristit Bill Ward: nëse njerëzit prisnin në rend për të parë filma horror, pse të mos krijohej një ekuivalent i tillë roku? Në këtë aspekt, Black Sabbath u shfaqën siç duhet - çdo element muzikor që i bëri legjendarë ishte i pranishëm në këngën hapëse të albumit të tyre të parë, më 1970, që mbante emrin e grupit - por, muzika që krijuan si reagim ndaj idesë së Wardit dukej organike, jo e llogaritur. Black Sabbath tingëllonin si produkt i mjedisit të tyre: një botë e zymtë, provinciale, industriale, ku drogat e kundërkulturës së lëvizjes hipi kishin mbërritur, por jo liritë apo mundësitë që shijonin elitat boheme të Londrës. Dhe, ata tingëllonin si produkt i epokës së tyre. Nëse një përgjigje ndaj përfundimit të haresë së viteve ’60 të shekullit XX ishte melankolia e lehtë dhe nostalgjike e albumit më të shitur të vitit 1970, Bridge Over Troubled Water, nga Simon and Garfunkel, atëherë Black Sabbath ofronin diçka tjetër: muzikë që dukej sikur po zvarritej me inat, me një lloj krize nervore të maskuar si një gjendje pas dehjeje, mbushur me mendime të errëta, izolim, urrejtje për veten dhe paranojë.

Debutimi i tyre mbante ende gjurmë të grupit hevi-blues që kishin qenë - sidomos ana e dytë e albumit tingëllon si një version i [grupit] Cream - por, deri në albumin Paranoid të vitit 1970, ata kishin përsosur një stil krejtësisht unik. Ishte album jashtëzakonisht i suksesshëm - katërfish platin në ShBA - por, si çdo album i hershëm i grupit, u përçmua nga kritikët në një mënyrë që sot duket e pabesueshme: “Më e keqja e kundërkulturës në një pjatë plastike ... tmerr ... mërzitshëm dhe dekadent ... eksplorim idiot dhe amoral”, ka shkruar për grupin, kritiku amerikan Robert Christgau. Ky reagim përcaktoi tonin e përbuzjes që do të kishte hevi-metali nga kritikët “seriozë” të rokut, për dekada, por në një farë mënyre kjo ndihmoi grupin për t’i kthyer në njerëz të zakonshëm, që lidheshin me një audiencë të madhe adoleshentësh të zhgënjyer (“fëmija në fund të rrugës ... i rrëzuar në dhomën e vet, i ngopur me [qetësues] Tuinal ... duke gjetur justifikim për apatinë e vet kancerogjene”, siç i përshkruante adhuruesit e tyre, një autor i kohës), pa ndihmën e mediave.

Osbourne vetë e forcoi atë imazh. Pavarësisht gjithë mitologjisë së errët që e rrethonte grupin - ata duket se kaluan një pjesë të mirë të fillimit të viteve ’70 të shekullit XX duke u shpjeguar gazetarëve se nuk ishin në fakt satanistë - ai shfaqej në skenë në një mënyrë të pazakontë. Nëse shikoni pamjet në YouTube të performancës së grupit në festivalin California Jam në prill të vitit 1974, ajo që bie në sy është kontrasti midis mënyrës si tingëllojnë - jashtëzakonisht të rëndë dhe të errët - dhe mënyrës se si duket Osbourne. Pa asnjë sjellje të zymtë apo pozë të mërzitur: ai heq këmishën, kërcen lart e poshtë me entuziazëm, duartroket, ngre duart drejt qiellit dhe tund krahët i hareshëm. Sillet si një anëtar i audiencës që është lejuar të ngjitet në skenë dhe nuk mund të besojë fatin e vet: në një epokë ku yjet e rokut ishin të distancuar dhe mendjemëdhenj, ky ishte një yll që me çdo lëvizje tregonte se ishte njësoj si ti.

Pamjet nga California Jam ndoshta përfaqësojnë grupin Black Sabbath në kulmin e tyre. Vitin pasues, albumi Sabotage i dha fund serisë së albumeve pothuajse të përsosura: Paranoid, Master of Reality, Vol 4, Sabbath Bloody Sabbath. Osbourne e kishte menduar largimin nga grupi gjatë incizimit të albumit Technical Ecstasy më 1976, që ishte një përpjekje e paqartë për të zgjeruar tingullin e tyre përballë ndryshimeve në klimën muzikore - ai u tundua të krijonte një grup të ri të quajtur Blizzard of Ozz - por, përfundoi i pushuar nga grupi pas publikimit të albumit të ardhshëm zhgënjyes, Never Say Die!. Anëtarët e tjerë të grupit fajësuan problemet e tij me pijet dhe drogat, ndërsa Osbourne këmbënguli se nuk ishte më ndryshe se të tjerët. Cilado qoftë e vërteta, edhe vetë Osbourne e konsideronte largimin e tij si fundin e karrierës muzikore: ai u mbyll në një dhomë hoteli në Los Anxhelos, i përcaktuar t’i shpenzonte paratë në alkool dhe drogë me bindjen se “pas kësaj do të kthehem në Birmingem dhe në ndihmën sociale”.

Por, ai nuk kishte llogaritur ndërhyrjen e Sharon Levyt, të një gruaje të fuqishme që u dërgua në Los Anxhelos nga babai i saj Don Arden - menaxheri i Black Sabbath - për të mbajtur nën vëzhgim këngëtarin. Të dy ata jo vetëm që u përfshinë në një marrëdhënie romantike, duke u martuar më 1982, por realizuan gjithashtu rikrijimin dramatik të karrierës së Osbourneit.

Aksidenti fatlum ishte takimi i Osbourneit me një kitarist pothuajse të panjohur të quajtur Randy Rhoads. Sipas versionit të Rhoadsit, Osbourne ishte aq i dehur në audicionin që mbajti, saqë e mori në grup menjëherë pasi dëgjoi vetëm mënyrën se si e akordonte kitarën. Ideja ishte përqafimi i llojit të vëmendjes negative që Black Sabbath dikur përpiqej të shmangte. Në fillim të viteve ’80 të shekullit XX, hevi-metali veçse ishte një zhanër shumë i suksesshëm. Me rritjen e popullaritetit të tij, u shtua edhe vëmendja ndaj tematikave të këngëve që Black Sabbath kishin trajtuar dikur. Në ShBA, veçanërisht konservatorët e djathtë dhe fundamentalistët e krishterë krijuan një “industri” të tërë duke e interpretuar tekstin absurd të këngëve metal si një kërcënim të vërtetë, duke i lexuar ato fjalë për fjalë dhe duke u dhënë kuptime që ishin qartazi të paqëllimshme. Nëse hevi-metali tani konsiderohej një rrezik real për moralin publik, dhe jo thjesht argëtim për arratisje, atëherë - sipas logjikës së Osbourneit dhe Sharon Ardenit - zhanri duhej të përfaqësonte këtë zemërim.

Nga skena doli lideri entuziast që dukej si njëri prej nesh. Hyri Ozzy Osbourne, Princi i Errësirës në versionin që kafshon kokën e një pëllumbi gjatë një takimi me një shtëpi diskografike, dhe më pas përsëriti skenën në një koncert në Des Moin të Ajovës - këtë herë me një lakuriq të gjallë; doli ai që hoqi të gjitha rrobat dhe futi testikujt në një gotë me verë gjatë një darke me drejtuesit gjermanë të një kompanie diskografike; ndërsa, urinoi mbi Cenotafin e Alamos.

Nuk ishte plotësisht e qartë nëse Osbourne po vepronte sipas ndonjë plani të zgjuar për vetëpromovim apo thjesht ishte një alkoolist i tërbuar që bënte gjëra absurde sepse thjesht ishte i dehur, por sidoqoftë, polemikat që e shoqëruan e ngritën famën e tij në qiell - ndihmuar nga fakti që dy albumet e tij të para si solo-artist, Blizzard of Ozz më 1980 dhe Diary of a Madman më 1981 - ishin shumë më të mirë sesa priste dikush që kishte ndjekur Osbournein në fundin e qëndrimit të tij me grupin Black Sabbath. Zëri i tij, çuditërisht, nuk ishte prekur nga abuzimi që i kishte bërë trupit të vet. Rhoads ishte një kitarist me talent të jashtëzakonshëm; formimi i tij klasik - më i dukshëm te kënga Diary of a Madman - e largoi stilin e tij nga bluzi dominues i hard-rokut [hard rock] të viteve ’70 të shekullit XX, duke paralajmëruar drejtimin që do të merrte hevi-metali në vitet ’80 të shekullit XX. Këngët që krijuan ishin më të larmishme nga sa sugjeronte imazhi i tyre: ndikimi më i dukshëm në Goodbye to Romance ishin Beatles-at e preferuar të Osbourneit në kulmin e tyre psikodelik.

Albumet dhe skandalet e bënë Osbournein aq të famshëm si solo-artist, saqë ai dukej i paprekshëm. Asgjë nuk dukej se mund ta dëmtonte suksesin e tij. As vdekja e Rhoadsit në një përplasje aeroplani në vitin 1982, as rënia e dukshme e cilësisë së albumeve të Osbourneit dhe as problemet gjithnjë e më të mëdha me varësinë. Ai tingëlloi i rifreskuar me ardhjen e kitaristit Zakk Wylde në No Rest for the Wicked (1988) dhe me No More Tears (1991), por në ndërkohë u arrestua për tentativë vrasjeje pasi ngufati Sharonin, gruan e vet, gjatë një krize me alkool dhe drogë.

Më pas doli nga rehabilitimi - me martesën e tij, çuditërisht, ende të paprekur - por, mbeti një artist i paqëndrueshëm në incizime për pjesën tjetër të jetës. Albume vërtet të shkëlqyera - përfshirë Down to Earth (2001), që shpesh mbetet i nënvlerësuar, me Zakk Wyldein dhe Robert Trujillon (para Metallica-s) në bas - qëndrojnë krah për krah me përpjekjet e zbehta si Ozzmosis (1995), e mbingarkuar në produksion, dhe me materiale që ndodhen diku në mes, siç është rasti i albumit të ribashkimit të Black Sabbath, 13, ku producent ishte Rick Rubin. Nuk mund ta akuzoje kurrë Osbourne për mungesën e guximit apo eksperimentit - qoftë kur eksperimentoi me programin Auto-TunePatient Number 9 (2022), apo kur interpretoi një version jashtëzakonisht besnik të këngës tepër të ndjeshme të John Lennonit, Woman, në albumin Under Cover (2005). Sërish, cilësia e luhatshme e krijimtarisë së tij nuk ndikoi aspak në statusin e tij. Fama e tij u fuqizua edhe më tej nga spektakli televiziv The Osbournes, që e ngriti në rangun e një “thesari kombëtar” - diçka që dikur ishte e paimagjinueshme, në vitet kur publiku i tij cilësohej si i droguar me Tuinal dhe i rrënuar nga apatia e kancerit. Dhe, ndoshta më e rëndësishmja: nën kujdesin e Sharon Osbournein ai përqafoi plotësisht titullin e “Kumbari i Metalit”, duke udhëhequr një brez të tërë artistësh më të rinj që u paraqitën në turneun e përvitshëm Ozzfest - dhe, më në fund ishte lamtumira prekëse me koncertin Back to the Beginning, vetëm tri javë më parë. Numri i madh i artistëve që u paraqitën për ta nderuar atë në Villa Park ishte i jashtëzakonshëm: tregonte gjithçka për respektin që komuniteti i metalit kishte për grupin dhe liderin e tij.

Sado që hevi-metali ka ndryshuar dhe evoluar gjatë 56 vjetëve të fundit, është jashtëzakonisht e vështirë të imagjinohet se si do të kishte sot dalë nëse Black Sabbath nuk do të kishin ekzistuar. Çdo artist që ka zgjedhur të punojë në këtë zhanër më vonë - dhe madje shumë të tjerë që nuk janë pjesë e tij - mbartin diçka nga ADN-ja e Black Sabbath, dhe me shumë gjasë do ta mbajnë gjithmonë këtë. Po aq e vështirë është të imagjinohet që Black Sabbath do të kishin të njëjtin ndikim pa Ozzy Osbournein. “Gjithmonë kam menduar se çfarëdo që të kisha, ishte e përkohshme”, shkroi ai në autobiografinë e tij I Am Ozzy, një fjali që ndoshta i referohet viteve të tij të dëshpëruara para Sabbathit. E vërteta rezultoi të ishte krejt e kundërta. /Telegrafi/