LAJMI I FUNDIT:

Memli Krasniqi kandidati i vetëm për kryetar të PDK-së

Memli Krasniqi kandidati i vetëm për kryetar të PDK-së

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se kanë vetëm një kandidat për kryetar të PDK-së, dhe se ai i plotëson të gjitha kushtet që të zgjidhet kryetar.

Hamza megjithatë tha se procesi ka qenë i hapur, dhe se kush ka pasur dëshirë ka mundur të kandidojë, transmeton Telegrafi.


“Kemi një kandidat, dhe është Memli Krasniqi, është personalitet që i plotëson kushtet për tu zgjedhur kryetar i PDK-së. I ka të gjitha karakteristikat që duhet t’i ketë një lider. Ka qenë garë e hapur dhe sigurisht pse kemi vetëm një kandidat, tregon se ka pasur një pajtim të heshtur që t’i jepet përkrahja Memli Krasniqit që të udhëheq PDK-në”, theksoi ai gjatë një konferencë për media.

Ndërkaq, ditë më parë, Memli Krasniqi kishte deklaruar se PDK ka nevojë për të hapur një kapitull të ri, një projekt politik për qytetarin e Kosovës.

“Më 3 korrik, do të kemi një proces demokratik zgjedhor për Kryetarin e PDK-së. Duke qenë krenar me rrugëtimin tonë për Kosovën, dhe duke ndier përgjegjësinë e madhe që kemi për të ardhmen, unë kam vendosur që të kandidoj për të udhëhequr PDK-në. Jam plotësisht i bindur që së bashku do ta ndërtojmë profilin dhe ekipin që na duhet, për t’i dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj një adresë të mirëfilltë politike, për të cilën ata kanë shumë nevojë. Jam më se i vendosur që së bashku ta çlirojmë potencialin e demokracisë, meritokracisë dhe përkushtimit, që PDK-ja të jetë derë e hapur për gjithë secilin që don dhe ka çfarë t’i japë vendit, shoqërisë dhe institucioneve shtetërore”, ka thënë Krasniqi.

Konventa e PDK-së për zgjedhje e kryetarit të ri do të mbahet ditën e nesërme. /Telegrafi/