LAJMI I FUNDIT:

Mehmeti: Sistemi bankar vazhdon të jetë i qëndrueshëm

Mehmeti: Sistemi bankar vazhdon të jetë i qëndrueshëm

Pas situatës me pandemi të COVID-19 në Kosovë, Banka Qendrore ka vazhduar funksionimin në shërbim të qytetarëve duke marrë të gjitha masat mbrojtëse të rekomanduara nga IKSHP-ja si dhe Ministria e Shëndetësisë.

Sipas guvernatorit Fehmi Mehmeti kjo situatë e pandemisë sektorin financiar në Kosovë e ka zënë në gjendje të mirë duke marrë shembull raportin e likuiditetit, i cili më 16 mars ka qenë 35 për qind ndërsa sot po ashtu ky raport ka këtë përqindje.


Mehmeti tha për RTK se pranojnë informata bazë prej bankave komerciale, informata këto që i ndajnë bashkë me FMN për funksionalizim sa më të mirë për qytetarët në këtë situatë.

“Sektorin financiar në Kosovë pandemia e ka zënë në një gjendje shumë të mirë, kjo është një përparësi shumë e madhe sa i përket sektorin financiar. Qysh nga dita e parë kur ka filluar pandemia, më 16 mars, ne kemi filluar që të pranojmë informata në baza ditore prej bankave komerciale, kemi themeluar edhe komitetin e vazhdimësisë dhe çdo ditë kemi informata, të cilat i ndajmë edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar në baza ditore dhe e shohim se kemi një gjendje shumë stabile të likuiditetit. Si shembull po e marrë me të dhënat e fundit që i kemi të sodit, 16 mars raporti i likuiditetit ka qenë 35% po ashtu edhe sot raporti i likuiditetit shënon po ashtu 35 për qin, pra kemi gjendje stabile çka është me u vlerësuar dhe theksuar se vazhdon besueshmëria e plotë e publikut te sektori bankar”, tha ai.

Mehmeti tha se kanë marrë masat e duhura duke dezinfektuar të gjitha paratë dhe mundësuar një sistem bankar që funksionon 24 orë në ditë por për shkak të përdorimit të parave në mënyrë të shumëfish ai rekomandon të shmanget përdorimi i paras kesh dhe pagesat të kryhen me kartela, kjo për shkak të sigurimit të shëndetit të qytetarëve.

“Ne si bankë qendrore kemi marrë masa nga 15 marsi, masat e para, fillimisht ato që janë kërkuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, nga Ministria e Shëndetësisë sa i përket higjienës të Bankës Qendrore dhe më pastaj kemi marrë lehtësuese duke pasur parasysh pasojat që pandemia mund të ketë në ekonominë e Kosovës. Një ndër masat që ne kemi marrë, fillimisht ne gjatë kësaj periudhe kemi marrë arrit që të kemi një sistem të pagesave, përfshirë edhe në zonat apo vendet që kanë qenë të izoluara, kemi arritur të bëjmë dezinfektimin e parave mirëpo që gjithë konsumatorët, përdoruesit e keshit apo ata me kartelë duhet të respektojnë instruksionet e instituteve të shëndetësisë sepse këto para funksionojnë shumë fish dhe nuk i dihet se ku kanë përfunduar. Ajo çka është relevante ta them dhe t’ju bëjë apel të gjithë atyre që kryejnë pagesa që sa më pak ta përdorin keshin, mund të bëjnë pagesa përmes kartelave dhe formave të tjera elektronike”.

Mehmeti tregoi se po ashtu në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave të Kosovës kanë marrë vendim menjëherë pas shpalljes së pandemisë, për qytetarët që janë afektuar nga kriza të kenë mundësi të shtyrjes së këstit të kredisë për tre muaj, por ky vendim nuk vlen për sektorin publik.

“Në anën tjetër, përpos këtyre dy masave që kemi ndërmarrë ne në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave, nuk është lënë në domenin e bankave, vendimi është i Bankës Qendrore, jemi pajtuar me shoqatën e bankave që të kemi një shtyrje të pagesës së kredisë deri më datën 30 prill, gjë që më pastaj në bashkëpunim jemi pajtuar kjo shtyrje të jetë edhe për tre muaj, gjatë kësaj shtyrje interesi i rregullt do të përllogaritet, nuk do të ketë interes ndëshkues, nuk do të ketë prishje të ritingut në regjistrin e kredive dhe ne si bankë qendrore nuk do të kërkojmë provizione shtesë për këto. Më pastaj interesi i grumbulluar i përllogaritur do të ndahet në muaj në vijim pasi të përfundon pandemia. Dua ta potencoj që nuk është në domenin e bankave, bankat e kanë obligim të gjithë personat fizik dhe juridik të cilët janë afektuar prej krizës aktuale duhet të aplikojnë shterjen e kësteve të paktën tre muaj, këtu përjashtohen vetëm ata që janë punëtorë në sektorin publik, punëtorët e marketeve, farmacive të cilat veçse janë duke punuar ndërkaq ata që janë afektuar nga kriza të gjithëve duhet t’u aprovohet shtyrja e kësteve të pagesës së kredisë”, tha ai.

Guvernatori Mehmeti tha se nëse ndonjëra nga bankat nuk respekton vendimin e BQK-së do të sanksionohet ashpër, konform legjislacionit në fuqi, po ashtu duke kërkuar nga bankat që të kom kenë rritje të tarifave apo shtrenjtim në kohë të pandemisë.

“Në rast se ndodhë që një prej bankave nuk e respekton këtë vendim, të cilin jemi pajtuar dhe është vendim i BQK-së, i kemi paralajmëruar bankat që do të kryejmë ekzaminime vetëm për këtë çështje pra pasi të kryhet pandemia, dhe nëse del që njëra prej bankave nuk respekton me përpikëri vendimin masat do të jenë konform legjislacionit në fuqi, do të jenë masa shumë të ashpra. Po ashtu kemi kërkuar që mos të ketë rritje të tarifave apo shtrenjtim të tarifave në këtë kohë të pandemisë”, përfundoi Mehmeti.