Mehmeti: Lirimi i të dënuarit për masakrën mbi familjet Bogujevci e Duriqi, vendim i rëndë

Gjykata e Lartë në Beograd ka liruar nga burgu ish-pjesëtarin e njësisë “Shkorpioni”, Sasha Cvijetanin i dënuar për vrasjen e 14 anëtarëve të familjeve Bogujevci dhe Duriqi nga Podujeva.
Për kryetarin e Shoqatës së të Pagjeturve “Përkorë”, Latif Mehmetin, ky vendim është tejet i rëndë, megjithatë nuk është befasues.
“Ka qenë një vendim, sa për të thënë se Serbia po punon diçka në lidhje me dënimin e kriminelëve të luftës. Nga institucionet e shtetit të Kosovës nuk është bërë asgjë, s’ka asnjë aktakuzë. Kjo aktakuzë ishte ngritur nga prokuroria e Serbisë, sa për t’i mbuluar kimet që i kanë bërë”, tha Latifi.
“Ky është një mesazh shumë i fuqishëm për bashkësinë ndërkombëtare, se Serbia është ajo që ka qenë dhe se nuk ka ndryshuar”.
Cvijetanin ishte dënuar më 20 vjet burgim për masakrën e 28 marsit 1999 mbi civilët shqiptarë.
Ai ishte pjesëtar i njësitit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë “Shkorpioni”. Kjo njësi, pjesë e të cilës ishte Cvijetanin, ka pushkatuar në oborrin e familjes Gashi në Podujevë 14 civilë shqiptarë – shtatë fëmijë të moshës prej 2 deri 15 vjeç dhe shtatë gra.


































