LAJMI I FUNDIT:

Megjithatë, është një gjykatës në Berlin

“Është një gjykatës në Berlin”, kjo është një shprehje e vjetër, që ka lindur nga çështja e një njeriu pa përkrahje në Gjermani, i mbetur pa mullirin e vet, por që në fund gëzoi drejtësi. Sot mund të themi, me krenari, se ka një gjykatës edhe në Romë.

“Duhet gjithsesi të jetë një gjykatës në Berlin”, është shprehje, e cila edhe kur i injorohet origjina, shumëkush e përdor për të thënë se duhet të ketë drejtësi diku, me patjetër. Thënia është kaq e përhapur saqë e kishte cituar edhe Berlusconi (një vlerësues i njohur i gjykatave), kur në janar të vitit 2011 vizitonte zonjën Merkel me idenë kurioze që t’i nxiste interesin për hallet e veta gjyqësore.


Zonja Merkel (me një grimcë humori, që dikur e kemi përkufizuar si anglez… por edhe popujt evoluojnë) i kishte mundësuar që të vinte re se gjyqtarët që ai kishte në mendje, nuk gjendeshin në Berlin, por në Karlsruhe, në Gjykatën Kushtetuese dhe në Lajpcig ku ndodhet Gjykata e Drejtësisë. Duke mos mundur që, në kërkim të kënaqësisë së vet, të shëtiste të gjitha qytetet gjermane, Berlusconi u kthye në shtëpi me Fyejt e Hamelinit (referencë sipas një legjende mesjetare gjermane, sipas së cilës një fyelltar i pajtuar për të larguar minjtë nga qyteti, pasi nuk u pagua, e ktheu magjinë e fyellit të tij drejt fëmijëve të qytetit për t’i tërhequr me vete e për të mos u kthyer më) në torbë, por duke vazhduar të injorojë faktin se edhe pa bërë udhëtime të shtrenjta jashtë, gjyqtarë korrektë (dhe të pakorruptueshëm) mund të gjendeshin edhe në Romë. Si lindi dhe si u përhap historia e gjyqtarit në Berlin është një çështje komplekse.

Nëse kërkoni në Internet do të shihni se të gjithë faqet ia atribuojnë frazën Bertold Brechtit, por asnjë nuk thotë se në cilën vepër. Megjithatë, çështja në fjalë nuk ngre peshë, sepse në këtë rast Brecht thjesht do të kishte cituar një histori të vjetër. Fëmijët gjermanë e kanë gjetur përherë këtë anekdotë në librat e tyre të leximit dhe për të ishin angazhuar shkrimtarë të ndryshëm që nga 700-a. Në vitin 1958, Peter Hacks ka shkruar një dramë (Mullixhiu nga Sanssouci – Der Müller von Sanssouci), me frymëzim marksist, për të cilën shprehej se ishte frymëzuar nga Brehti, por pa saktësuar se në cilën mënyrë. Nëse me të vërtetë dëshironi të keni një rezyme të këtij procesi të njohur, që nuk është aspak legjendë siç thonë shumë faqe Interneti, mashtruese për nga natyra, duhet të gjeni një libër të moçëm të Emilio Broglios, “Mbretëria e Frederikut të Prusisë, i quajtur i Madhi”, botuar në Romë më 1880, i pajisur me të gjithë diapazonin e gjykimit, kapitull për kapitull dhe varg për varg.

Duke e përmbledhur shkurtimisht: jo larg nga kështjella e famshme e Sanssoucit në Potsdam, mullixhiu Arnold nuk mundet më që t’i paguajë taksat kontit Schmettau, kjo sepse baroni fon Gersdof kishte devijuar rrugën e ujit për interes të vet dhe për pasojë, mulliri i Arnoldit nuk mund të punonte më. Schmettau e çon Arnoldin para një gjykatësi lokal, i cili e dënon mullixhiun me humbjen e mullirit. Por, Arnoldi nuk dorëzohet dhe ia del ta çojë çështjen e vet deri në një gjykatë në Berlin. Këtu fillimisht disa gjykatës shprehen sërish kundër tij, por më në fund, Frederiku i Madh, duke ekzaminuar aktet gjyqësore dhe duke parë se Arnoldi i shkretë ishte viktimë e një padrejtësie që dukej qartë, jo vetëm i njeh të drejtat e veta, por dërgon pas hekurave për një vit gjykatësit kundërvajtës. Nuk është në thelb aspak një apologji apo parabolë mbi ndarjen e pushteteve. Ajo kthehet në legjendë në kuptim e ndershmërisë së një despoti të iluminuar. “Po duhet të ketë megjithatë një gjykatës në Berlin”, ka mbetur që atëherë si shprehje e shpresës në paanshmërinë e Drejtësisë.

Çfarë ka ndodhur në Itali? Disa gjykatës të Kasacionit (Gjykata Kushtetuese), që askush nuk mundej t’i rendiste në një grupim politik dhe për disa prej të cilëve thuhej madje se ishin simpatizantë të Popullit të Lirisë, e dinin se çfarëdo lloj gjëje që do të vendosnin, do të kryqëzoheshin, ose si komunistë të pandreqshëm, ose si berluskonianë të korruptuar, në një moment në të cilin deri edhe gjysma e Partisë Demokratike shpresonte shfajësimin, në mënyrë që Qeveria të mos hynte krizë. Por, duke punuar vetëm mbi elementët e të drejtës dhe jurisprudencës, të pavarur nga dëshirat dhe pasionet e tyre dhe duke injoruar çdo presion politik, gjykatësit kanë zgjedhur t’i përmbahen ligjit, duke pranuar se vendimi i Gjykatës së Apelit në Milano nuk mund të anulohej.

Mullixhiu në këtë rast do të kishte thënë: “Qenkan domethënë akoma gjyqtarët në Berlin”! Dhe që qenkan edhe në Romë duhet të na mbushë me krenari. E megjithatë, çështja na trondit deri në atë pikë saqë arrijmë e flasim për gjithçka e vetëm për këtë jo. Mes gjithë atyre grabitjeve dhe vjedhjeve politike me të cilat jemi mësuar, nuk arrijmë të pranojmë idenë se në botë ka edhe njerëz të mirë.

* Marrë nga “L’Espresso”. Përktheu: Skerdilajd Zaimi

Në trend

Më shumë
Portieri i Real Madridit u ndihmua nga bashkëlojtarët e tij para pritjes së penalltisë së Kovacicit, njëri luajti rol kyç

Portieri i Real Madridit u ndihmua nga bashkëlojtarët e tij para pritjes së penalltisë së Kovacicit, njëri luajti rol kyç

Liga e Kampionëve
Qeveria e RMV-së vendosi: 24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune për të gjithë qytetarët

Qeveria e RMV-së vendosi: 24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune për të gjithë qytetarët

Lajme
Një fotografi e Kim Kardashianit nga pushimet ka shkaktuar të qeshura në internet, për shkak të detajit të pakuptimtë të saj

Një fotografi e Kim Kardashianit nga pushimet ka shkaktuar të qeshura në internet, për shkak të detajit të pakuptimtë të saj

Magazina
Tifozët e Arsenalit gjetën justifikimin për humbjen: Bayern mashtroi Topçinjtë me një truk

Tifozët e Arsenalit gjetën justifikimin për humbjen: Bayern mashtroi Topçinjtë me një truk "të pistë"

Liga e Kampionëve
Lojtarët e Barcelonës e kanë ndjekur Mbappen në tunel pas humbjes nga PSG

Lojtarët e Barcelonës e kanë ndjekur Mbappen në tunel pas humbjes nga PSG

Liga e Kampionëve
Makina larëse harxhon dy herë më shumë energji elektrike për shkak të një gabimi që bëjmë

Makina larëse harxhon dy herë më shumë energji elektrike për shkak të një gabimi që bëjmë

A e dini se...
Kalo në kategori