Irani ka publikuar një video të rrallë dhe pa datë të liderit suprem Mojtaba Khamenei, në atë që duket të jetë hera e parë që zëri i tij dëgjohet publikisht që prej marrjes së postit.

Në pamjet e publikuara nga agjencia iraniane Fars, 56-vjeçari shihet duke drejtuar një seancë akademike fetare. Ai dëgjon prezantimin e një studenti mbi një tezë dhe më pas jep vlerësimin e tij për punimin.


Megjithatë, autenticiteti i videos nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur, transmeton Telegrafi.

Mojtaba Khamenei mori postin e liderit suprem të Iranit pasi babai i tij, Ajatollah Ali Khamenei, u vra në sulmet e përbashkëta amerikano-izraelite më 28 shkurt.

Që prej atëherë, Mojtaba nuk është shfaqur publikisht, madje mungoi edhe në ceremoninë mortore të babait të tij. Kjo ka nxitur spekulime të shumta mbi gjendjen e tij shëndetësore.

Raportime të mëparshme pretendonin se ai ishte plagosur rëndë dhe mund të kishte pësuar dëmtime në fytyrë gjatë sulmeve. Sipas këtyre raportimeve, ai po merr trajtim mjekësor.


- YouTube www.youtube.com

Autoritetet iraniane kanë publikuar edhe më herët materiale për të kundërshtuar spekulimet mbi shëndetin e tij, por asnjëra prej këtyre pamjeve nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

Sipas raportimeve, lideri i ri iranian po mban kontakte me zyrtarët më të lartë të Republikës Islamike përmes një rrjeti të kufizuar ndërmjetësuesish, me synimin për të zvogëluar rrezikun e një sulmi të mundshëm.

Ndërkohë, lufta ka vazhduar të ndikojë rëndë edhe në Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më strategjike të transportit energjetik në botë. Trafiku detar mbetet shumë më i ulët se normalja dhe mijëra marinarë vazhdojnë të jenë të bllokuar në Gjirin Persik.

Publikimi i kësaj videoje duket se synon të japë një sinjal se Mojtaba Khamenei është gjallë, aktiv dhe vazhdon të ushtrojë funksionet e tij, në një kohë kur mungesa e tij në publik ka ushqyer spekulime të shumta. /Telegrafi/