Me vizë, patjetër!
Nuk jemi gati të udhëtojmë pa viza! Për të shkuar në Bashkimin Evropian patjetër duhet të na kërkojnë vizë, ndryshe do të nisemi brenda natës të paktën 200 mijë veta nga Kosova. Dhjetë ditët e fundit u dhanë komente të llojllojshme rreth përjashtimit të Republikës së Kosovës nga procesi i liberalizimit të vizave me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, pesë prej të cilave ende nuk na kanë njohur. Disa të ashtuquajtur politikanë dhe analistë tanë e quajtën këtë diskriminim! E ka merituar apo jo Serbia heqjen e vizave me Bashkimin Evropian, kjo nuk është tematika e vetme që duhet të dominojë nëpër mediat tona.
Natyrisht, ashtu çfarë është Serbia, ajo nuk e meriton ende të jetë në asnjë organizëm ndërkombëtar, në të cilin marrin pjesë vendet demokratike. Por, shteti serb nuk duhet të jetë tema qendrore, sepse tani e kemi shtetin tonë dhe duhet ta pyesim vetveten ku jemi në këtë proces të rëndësishëm. Shkurt, s’jemi askund! E për të mos bërë komente kote, udhëheqësit tanë duhej t’ia dilnin dhe t’ia bënin të qartë opinionit se Kosova, edhe sikur të ishte njohur nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, nuk do të mund të përfitonte tani nga ky proces për këto dhe këto arsye... Pasaportat biometrike nuk janë kriteri kryesor.
Duhet ta pyesim vetveten se ku jemi me menaxhimin e kufijve, me zhbërjen e strukturave paralele serbe, me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, me zbatimin e ligjeve të domosdoshme që ndërlidhen me këtë proces etj., dhe pastaj të presim lajme të mira nga Komisioni Evropian. Gjysma e popullsisë është e papunë, e gjysma e kësaj gjysme është e varfër.
Është e natyrshme dhe plotësisht e kuptueshme që të dyja këto “gjysma” do të bridhnin rrugëve të Bashkimit Evropian në kërkim të një jete më të mirë. Por, si mund të shkojnë pa vizë, për shembull në Francë, shtetasit e Kosovës që gjuajnë me kallash në dasma, madje edhe rrugëve të kryeqytetit të tyre!? Apo, si mund të shkojnë pa vizë, për shembull në Holandë, shtetaset e Kosovës, të cilat ende e gjuajnë bërllokun nga ballkoni!? Njerëz të sojit të tillë kanë edhe francezët e holandezët, mirëpo atje zbatohet ligji ose ndëshkohesh.
Kjo, mbase, është edhe arsyeja që autoriteteve të Kosovës nuk u pëlqen ta elaborojnë këtë temë, andaj edhe kur nuk duhet, ne i akuzojmë të tjerët. Mund të thuhet se ky është dështim i përbashkët i institucioneve tona dhe i atyre ndërkombëtare në Kosovë, mirëpo, fatkeqësisht, neve na bie për krye. Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit do të ketë përgjegjësi të madhe në këtë proces, sidomos tash e tutje, kur faza e stërzgjatur e shtrirjes së tij ka marrë fund. E ky mision duhet të ketë një arsye më shumë për të mos qenë sikur ai i Kombeve të Bashkuara, që gjithmonë gjente arsyetime. Arsye më shumë është se edhe ne jemi Evropë dhe e keqja e sjell të keqen.
Nëse misioni evropian nuk do të mund t’i kryejë detyrat për të cilat ka ardhur, atëherë është mirë që të mos zvarritet me vite të tëra pa bërë asgjë. Sundim i ligjit do të thotë vendosje e doganave edhe në veri të Kosovës, shqyrtim i rasteve të rënda gjyqësore, sidomos i atyre për korrupsion, zhbërje të strukturave paralele serbe pa koketuar fare me Serbinë, etj. etj.
Për fund, për të gjitha këto probleme, qytetarët e Kosovës duhet të kuptojnë se tani përgjegjësinë kryesore e bartin institucionet e tyre.
Derisa qeveritë e kaluara shtireshin se nuk kanë kompetenca as për ta hequr bërllokun nga rruga, atëherë pse kjo e tashmja nuk reagon pak më shpejt. Liberalizimi i vizave mund të bëhet pas dy-tre vjetësh, por me këtë ritëm Kosova nuk e meriton të përfitojë nga ky proces të paktën edhe dhjetë vjet.



































