Më shumë angazhim diplomatik për më shumë njohje të Kosovës
- Në pritje të rritjes së numrit të njohjeve për ditëlindjen e dytë të Republikës së Kosovës -
Rëndësia e njohjes së një shteti
Njohja është akt shumë i rëndësishëm në jetën e çdo shteti. Të qenurit “i njohur” nga shtetet sovrane ka rëndësi jetike. Nëse një shtet e njeh shtetin e ri, atëherë me këtë rikonfirmohet ekzistenca e shtetit të ri. Mirëpo nëse shtetet ekzistuese hezitojnë të njohin ekzistencën e shtetit të ri, atëherë kjo gjendje është shumë e pakëndshme për shtetin e ri.
Prandaj, shtetet e reja kërkojnë që sa më parë të fitojnë njohjen, sidomos të vendeve fqinje dhe fuqive të mëdha. Njohja është akt i lirë i çdo shteti, dhe një e drejtë e patjetërsueshme. Çdo shtet vendos për ta njohur një shtet tjetër, pasi që t`i ketë marrë në konsideratë interesat e veta si dhe raportet politike ndërkombëtare.
Gjatë historisë, në të drejtën ndërkombëtare krijimi i shteteve të reja është çështje mjaft e rëndësishme, sepse krijimi i një shteti shkakton pasoja juridike dhe politike, dhe në këtë mënyrë involvon edhe shtetet tjera, të cilat në një mënyrë ose tjetër pozicionohen në raport me shfaqjen e një shteti të ri. Në të drejtën ndërkombëtare dhe praktikën diplomatike njohja mund të jetë de jure dhe de facto. Përpos këtyre, në praktikë hasen edhe njohja individuale dhe kolektive.
Fokusi i këtij shkrimi është pikërisht tek njohjet kolektive apo njohjet nga organizatat ndërkombëtare (ndërshtetërore, rajonale, kontinentale dhe ndërkontinentale).
Njohjet kolektive ose ato nga organizata të ndryshme janë të rëndësisë së veçantë për shkak se:
(a) çdo shtet është anëtar i një numri të caktuar organizatash ndërkombëtare, qofshin ato me karakter politik apo ekonomik;
(b) sot, organizatat ndërkombëtare (politike, ushtarake, ekonomike dhe financiare) si subjekte në marrëdhëniet ndërkombëtare kanë një rol të jashtëzakonshëm dhe veprimet e tyre gjithnjë e më shumë mbështeten në interesat e përbashkëta;
(c), duke pasur parasysh kohën e proceseve integruese, shtetet gjithnjë e më shumë i gjejmë duke bashkëvepruar ndërmjet veti, sidomos me fqinjët.
Komonuelthi (Commonwealth)
Duke pasur parasysh pikat e lartpërmendura konsideroj që diplomacia kosovare duhet ta zgjerojë aktivitetin e saj, pikërisht në organizatat ndërkombëtare. Organizatat ndërkombëtare si Komonuelthi (Commonwealth of Nations), Unioni i Mesdheut, Liga Arabe, Organizata e Konferencës Islamike, Unioni Afrikan, Organizata e Shteteve të Amerikës etj., do të mund të ishin objektivat e vendit tonë në fushatën për lobim.
Duke pasur parasysh ndikimin që mund të kenë disa shtete kyçe tek anëtarët tjerë të organizatës dhe historikun e saj, unë do të fokusohem vetëm tek Komonuelthi. Shtetet kyçe të Komonuelthit pa dyshim janë Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re, vende të cilat jo vetëm që ndër të parat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës (përjashtim Zelandës së Re e cila më 9 nëntor 2009 e ka njohur Kosovën), por edhe që shpesh kanë bërë thirrje publike për njohje nga shtetet tjera.
Këtu vlen të përmendet ftesa e vitit të kaluar të Ministrit të Jashtëm të Britanisë së Madhe David Miliband bërë vendeve të ndryshme të botës për njohjen sa më parë të Republikës së Kosovës.
Komonuelthi ose bashkësia e shteteve, të cilat kanë qenë pjesë e perandorisë së dikurshme të Britanisë së Madhe, është një organizatë mjaft me ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndikimi shekullor i Britanisë së Madhe në pjesët e ndryshme të botës ka lënë gjurmë në ecuritë ekonomike, të tregtisë, kulturës, politikës së shteteve.
Komonuelthi përbëhet nga 54 shtete (në samitin e fundit Ruanda është pranuar si anëtar i 54 i Komonuelthit edhe pse s’ka qenë koloni e Britanisë), të cilat kanë shtrirje të ndryshme gjeografike. Pjesën më të madhe të Komonuelthit e përbëjnë shtetet-ishuj, ku disa nga të cilat janë më të vogla se Kosova për nga territori dhe popullsia.
Nga këto 54 vende anëtare, vetëm trembëdhjetë nga to e kanë njohur Republikën e Kosovës: Mbretëria e Bashkuar, Australia, Belizeja, Gambia, Kanada, Ishujt Maldive, Malajzia, Malta, Republika e Malavit, Republika e Naurusë, Samoa, Sierra Leone dhe Zelanda e Re.
Prandaj, me të drejtë shtrohen pyetjet, si të aktivizohet diplomacia kosovare, cilat do duheshin të jenë mënyrat e veprimit të saj, përmes cilave shtete duhet të shtrihet lobimi i shtetit kosovar, si mund te binden shtetet e ndryshme diplomacia kosovare për njohjen e Republikës së Kosovës?
Faktori i parë dhe më i rëndësishëm për njohje është vet Republika e Kosovës. Funksionimi i institucioneve demokratike, sundimi i shtetit ligjor, zhvillimi ekonomik janë disa nga parakushtet kryesore që një shtet duhet t’i ketë për të kërkuar njohjen nga dikush.
Kosova deri më tash ka dëshmuar që është faktor stabiliteti në rajon. Këtë e dëshmon më së miri fakti që Kosova është njohur nga fuqitë kryesore dhe nga të gjithë fqinjët e saj, përjashtim Serbisë.
Takimet në mes vendeve anëtare të Komonuelthit mbahen mjaft shpesh, varësisht nga temat debatuese. Samiti i kaluar i Komonuelthit ishte mbajtur më 27 – 29 nëntor 2009 në Trinidad dhe Tobago në mes të krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare. Kjo ishte një mundësi reale, që përmes ndikimit të Britanisë së Madhe, Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re që kanë mbi këto shtete, të shtohej numri i njohjeve.
Në pritje të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë
Por, si të lobohet në Komonuelth? Lobimi mund të jetë efektiv vetëm përmes katër vendeve të lartpërmendura. Prandaj do rekomandoja, që përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, të lobohet që një nga pikat e rendit të ditës të samitit të jetë “njohja e pavarësisë së Kosovës në grup” nga vendet anëtare.
Si sponsorizuese kryesore e një kërkese për njohje mund të jetë Britania e Madhe, që mund të mbështetej nga dymbëdhjetë vendet e tjera që e kanë njohur Kosovën. Pjesa më e madhe e anëtarëve nuk janë prononcuar fare për realitetin e ri kosovar, prandaj një intensifikim i lobimit do të ishte mjaft produktiv.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pritet që gjatë këtij viti të dalë me një vendim apo mendim këshillimor në lidhje me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Nëse marrim parasysh rastet e mëhershme që ka zgjidhur GJND, që asnjë shteti të njohur ndërkombëtarisht nga disa shtete tjera nuk i është tërhequr, pezulluar apo anuluar pavarësia, nuk mund të përjashtohet ideja që GJND të del me një mendim këshillimor apo neutral ndaj pavarësisë së Kosovës. Nuk besoj që do vijë një moment që GJND do t`i detyroj institucionet kosovare që ta tërheqin deklaratën e pavarësisë.
Rritja e numrit të njohjeve mund të jetë një proces akoma më lehtësues edhe për GJND në marrjen e një vendimi apo mendimi këshillimor.
(Autori bën Master në shkenca politike në Universitetin e Vjenës)



































