Mbyllet edicioni i 31-të i Festivalit të Filmit në Sarajevë, shpallen fituesit e këtij viti

Edicioni i 31-të i Festivalit të Filmit në Sarajevë u mbyll të premten mbrëma me shpalljen e fituesve. Çmimi kryesor “Zemra e Sarajevës” për filmin më të mirë artistik shkoi për "Wind Talk to Me" me regji të Stefan Dordevic, ndërsa dokumentari më i mirë u shpall "Our Time Will Come" i regjisores Ivette Löcker.
Filmi fitues "Wind Talk to Me", ka në qendër vetë regjisorin serb dhe familjen e tij. “Stefani ribashkohet me familjen për të festuar ditëlindjen e gjyshes, për herë të parë pas vdekjes së nënës. Ky rikthim në shtëpi, i nxitur nga dëshira për të përfunduar një film mbi nënën dhe për të kërkuar falje duke shpëtuar një qen endacak, e shtyn atë në një udhëtim introspektiv”, thuhet në përshkrim.
Në fjalën e pranimit, regjisori ia dedikoi çmimin jo vetëm nënës së tij, por edhe të gjitha nënave të tjera që kalojnë net pa gjumë duke u shqetësuar për fëmijët e tyre që përballen me dhunë në protesta. Komenti i tij erdhi në sfondin e trazirave të fundit në Serbi, ku përplasjet midis protestuesve kundër qeverisë dhe policisë janë bërë të dhunshme, shkruan The Hollywood Reporter.

"Our Time Will Come" ndjek jetën e një çifti ndër-racor për një vit të plotë. “Siaka nga Gambia dhe bashkëshortja e tij Victoria janë kthyer në ‘atdheun e adoptuar’ – Austrinë, për të ndërtuar një jetë të qëndrueshme dhe për të krijuar familje. Por sfidat kulturore, strukturat shoqërore të ngurta dhe bagazhi i tyre historik mbeten pengesë,” thuhet në përshkrimin e filmit.
Çmimi për regjisorin më të mirë iu dha Ivana Mladenović për filmin "Sorella di Clausura". Ndërkohë, çmimet për aktorët më të mirë u ndanë mes kastit të filmit "Fantasy" të regjisores Kukla – Sarah Al Saleh, Aline Juhart, Mina Milovanović dhe Mia Skrbinac – si dhe Andrija Kuzmanović për rolin e tij në "Yugo Florida".
Në total, katër seksionet garuese të festivalit (film artistik, dokumentar, film i shkurtër dhe studentor) sollën 15 premiera botërore, 6 ndërkombëtare, 28 rajonale dhe 2 kombëtare. 50 filma konkurruan për çmimet “Zemra e Sarajevës”.
Drejtori i festivalit, Jovan Marjanović, solli edhe këtë vit emra të mëdhenj të kinemasë botërore në kryeqytetin e Bosnjës dhe Hercegovinës. Willem Dafoe, Stellan Skarsgård, Ray Winstone dhe regjisori italian Paolo Sorrentino u nderuan me “Zemrën Nderi të Sarajevës”. Po ashtu, festivalit iu bashkuan retrospektiva të veprave të Sorrentinos dhe regjisorit/artistit rus Ilya Khrzhanovsky.
Fituesit kryesorë të edicionit të 31-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë
Zemra Nderi e Sarajevës
Willem Dafoe
Ray Winstone
Stellan Skarsgård
Paolo Sorrentino
Zemra e Sarajevës për filmin më të mirë artistik
Wind Talk to Me, regji: Stefan Dordevic
Zemra e Sarajevës për regjisorin më të mirë
Ivana Mladenović, Sorella di Clausura
Zemra e Sarajevës për aktoren më të mirë
Sarah Al Saleh, Aline Juhart, Mina Milovanović, Mia Skrbinac (Fantasy)
Zemra e Sarajevës për aktorin më të mirë
Andrija Kuzmanović (Yugo Florida)
Zemra e Sarajevës për dokumentarin më të mirë
Our Time Will Come, regji: Ivette Löcker
Çmimi Special i Jurisë
In Hell With Ivo, regji: Kristina Nikolova
Përmendje e veçantë
I Believe the Portrait Saved Me, regji: Alban Muja
Zemra e Sarajevës për dokumentarin e shkurtër më të mirë
The Men’s Land, regji: Mariam Bakacho Khatchvani
Zemra e Sarajevës për filmin e shkurtër më të mirë
Winter in March, regji: Natalia Mirzoyan
Përmendje e veçantë
Eraserhead in a Knitted Shopping Bag, regji: Lili Koss
Zemra e Sarajevës për filmin studentor më të mirë
Tarik, regji: Adem Tutić
Çmimi “Perspektiva e Rinisë”
DJ Ahmet, regji: Georgi M. Unkovski
Çmimi Special për Promovimin e Barazisë Gjinore
God Will Not Help, regji: Hana Jušić
Çmimet e Partnerëve
Kandidat i Akademisë Evropiane të Filmit për Filmin e Shkurtër: Things Hidden Since the Foundation of the World – Kevin Walker, Irene Zahariadis
Çmimi CICAE: White Snail – Elsa Kremser, Levin Peter
Çmimi Cineuropa: DJ Ahmet – Georgi M. Unkovski. /Telegrafi/






















































