Mbyllen ndeshjet e Kupës së Kosovës, favoritët kalojnë në fazën e 1/8-tës

Kanë përfunduar gjashtë ndeshjet e ditës së sotme (e enjte) të Kupës së Kosovës, të vlefshme për fazën e 1/16-tës, ku tutje kanë kaluar skuadrat favorite.
Pas ditës së djeshme (e mërkurë), ku fitore morën të gjitha ekipet e Superligës së Kosovës dhe siguruan kualifikimin, edhe gjatë ditës së sotme kanë fituar favoritët.
Fituesi i Kupës së fuqi, Prishtina fitoi në udhëtim te Top Football me rezultat 0-2, duke siguruar kalimin në fazën e 1/8-tës.
Në anën tjetër, Dinamo e Ferizajt mposhti 2 Korrikun në Prishtinë me rezultat 0-3, ndërsa Vushtrria fitoi gjithashtu në udhëtim te Flamurtari me rezultat 0-2.
Me rezultat të njëjtë 0-2 dhe si mysafir fitoi edhe Feronikeli ’74 ndaj Istogut ’03, si dhe Vëllaznimi ndaj KEK-ut.
E vetmja ndeshje e cila nuk u mbyll pas 90 minutave lojë ishte ajo në mes të Lirisë dhe Suharekës, e cila përfundoi me rezultat 1-1 dhe pas vazhdimeve ishin prizrenasit që kaluan tutje pas fitores 2-1.
Gjatë ditës së nesërme (e premte) zhvillohet vetëm ndeshja e fundit e kësaj faze në mes të Kika –Trepça ’89. /Telegrafi/


















































