Sot, është bërë promovimi i ribotimit të librit “Mbrojtja e shkollës shqipe dhe protesta e Prishtinës”, një vepër që dokumenton një nga ngjarjet më të rëndësishme të rezistencës paqësore në Kosovë gjatë viteve ’90.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve arsimore, dekanë, veteranë të arsimit, drejtues shkollash dhe mësimdhënës.


Iniciatori i botimit të librit, profesori Sadik Krasniqi, vlerësoi kontributin e të gjithë pjesëmarrësve në realizimin e kësaj monografie dhe theksoi rëndësinë e saj për brezat e ardhshëm.

Krasniqi theksoi se qëllimisht libri është botuar pa emër autori, pasi është rezultat i një pune të përbashkët të këshillit organizativ. Ai nënvizoi se synimi kryesor ka qenë të lihet një dëshmi historike për brezat e ardhshëm, e jo të promovohet merita individuale.

“Që në fillim, kjo monografi është rezultat i punës të krejt këshillit organizativ të protestës. Unë vetëm iniciator kam qenë. Ka kontribuuar Dr. Flamur Shala dhe Fetah Bylykbashi, me materialet që i ka pasë në dispozicion, të gjithë kanë kontribuu në mënyrën e vet. Dhe qëllimisht nuk kemi vlu emër, sepse nuk kemi qenë të interesuar për emër, por për me lanë një vepër, një gjurmë historike për brezat e ardhshëm. Prandaj këtu shkruan: "Mbrojtja e shkollës shqipe, protestat në Prishtinë, këshilli organizativ", e jo emër…Unë jam vetëm iniciatori…. Ishte situatë e rëndë, pushtim nga Serbia kudo. Dëbim nga puna i të gjithëve, helmimet e nxënësve, vrasjet e ushtarëve shqiptarë, suprimim i autonomisë, burgosje, rrahje, varfëri, mbyllje e shkollave shqipe. E domosdoshme natyrisht, organizimi i protestave me moton "Mbrojtja e shkollës shqipe", në periudhën kur krimineli serb pat thonë se "shqiptarët janë futë në vrimat e miut"… Dita e parë e protestës ka qenë paqësore, ndërsa dita e dytë ka qenë objektiv që të kthehemi në objektet tona shkollore, qoftë edhe me rezistencë ndaj policisë… Organizimi i protestës nuk ka qenë i vështirë, sepse populli ishte i gatshëm me iu përgjigj ftesës së organizatorëve që njiheshin nga strukturat organizative të asaj kohe. Kemi punu shumë, pa ndalë, me moton: "Dhashtë Zoti u çliroftë Kosova, edhe nëse kurrë emri nuk na përmendet"”, tha Krasniqi.

Duke folur për rëndësinë e kësaj vepre, Dr. Flamur Shala theksoi se libri paraqet një dëshmi të qëndrueshme historike për organizimin dhe rezistencën qytetare të kohës.

“Ish-anëtarët e këshillit organizativ të protestës u mblodhën një ditë e u morën me përgatitjen dhe botimin e këtij libri që në idenë e parë të tij do të kishte protestën e 12 tetorit të vitit 1992.Në krye të kësaj nisme ishte profesor doktor Sadik Krasniqi. Ai që në takimin e parë kishte shpalosur konceptin e tij dhe arsyet e përgatitjes dhe botimit të një libri për protestën. Një libër si ky i botuar do t'u mbijetonte kohëve dhe do të mbetet në duart e brezave si një dëshmi se një popull i organizuar di dhe mund të bashkohet me kërkesa të qarta për të ardhmen e tij, në hapësirat e tij dhe në kushte të rënda historike-politike kombëtare…Se protesta ishte vazhdimi i përpjekjeve në dekada për mbrojtjen e shkollës shqipe. Ishte organizuar për t’i ndalur turrin represionit serb mbi mësimdhënësit, nxënësit dhe studentët që donin me çdo kusht të hynin në shkollat dhe fakultetet e tyre në vendin e tyre. Se protesta jo vetëm që reflektonte përfundimisht shkëputjen nga sistemi arsimor i Serbisë dhe refuzimin politik e institucional ndaj saj, por paralajmëronte edhe fillimin e përgatitjes së rezistencës së plotë ndaj shtetit okupator serb dhe të luftës për pavarësi.”, tha Shala.

Në këtë promovim u theksua se protesta e 12 tetorit 1992 përbën një moment kyç në historinë moderne të Kosovës, duke reflektuar refuzimin e plotë politik dhe institucional ndaj sistemit të atëhershëm dhe duke shënuar fillimin e një faze të re të rezistencës.

Profesori dhe kryetari i këshillit organizativ të protestave të asaj kohe, Fetah Bylykbashi, kujtoi organizimin dhe sfidat gjatë zhvillimit të protestës.

“Koha e asaj, koha e protestës ka qenë e caktume një orë, , gjysmë orës me u protestue këtu para fakultetit filologjik.Aty u shpalosën të gjitha kërkesat e popullit edhe u kundërshtuen të gjitha ato mizori të popullit serb edhe atë detyrë e kanë krye studentët me shumë sukses, edhe me brohoritje edhe me duartrokitje e kanë krye. Edhe tash ndërkohë, derisa u mbajt, kjo ishte pjesa e parë, se vendimi ka qenë brenda një ore me u realizu kjo protestë. Gjatë pjesës parë kam pasë unë dy, dy kërcënime nga policia serbe, edhe policia më u ka drejtuar mu që unë t’i urdhëroj masën që të shpërndahen. Përgjigja ime ka qenë se ne kemi programin tonë dhe do të veprojmë sipas programit. Edhe të dytën herë pas katër pesë minutash përsëri m’ka kërcënu me të njëjtën gjë, që t’urdhëroj që ti t’a urdhërosh masën që të shpërndahen, edhe unë të njëjtën përgjigje e kam dhanë…Atëherë pjesa e dytë ka qenë marshimi i të gjithë protestuesve përmes qendrës së qytetit të Prishtinës…Ato takimet ne përgatitjet i kemi bërë në selinë e partisë fshatare aty, ka ndodhë që edhe nga tri herë në ditë jemi taku që ta bëjmë përgatitjen sa ma të suksesshme”, tha Bylykbashi.

Libri sjell një pasqyrim të gjerë të rrethanave historike, politike dhe shoqërore të kohës, duke trajtuar rolin e arsimit dhe shkollës shqipe në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në organizimin e rezistencës qytetare. Ai përbën një dokument të rëndësishëm për studiuesit, historianët dhe brezat e rinj që synojnë të kuptojnë periudhat kyçe të historisë së Kosovës.