Po e nis këtë letër filozofike me vështrimin e filozofit austriak Ludwig Wittgenstein, i cili thotë: “Filozofia pikërisht i nxjerr të gjitha gjërat para nesh dhe nuk shpjegon dhe nuk nxjerr përfundime – meqenëse për pamjen është e hapur gjithçka, nuk ka asgjë për t’u shpjeguar. Ngaqë ajo që është e fshehur edhe nuk na intereson”, thotë filozofi austriak i shek. të porsapërfunduar. Ndonëse, një teori tjetër, ndryshe nga Wittgenstein, qëndron ajo e filozofit të racionalizmit francez René Descartes, i cili thotë: “Se filozofia jep mënyrën se si të flasësh drejtë për çdo gjë dhe të fitosh admirimin e njerëzve më pak të mësuar”.

Jo filozofia, por teologjia i nxjerr të gjitha gjërat para nesh. Ky është mendimi im, sepse teologjia është kualifikim qiellor, që më herët ka lindur, dhe ajo ka dhënë filozofinë, si shprehje ndaj njohjes së natyrës, njeriut dhe zotit. Përkundër mendimit të tij, që filozofia nuk shpjegon dhe nuk nxjerr përfundime, mendoj se filozofia interpreton të drejtën natyrore, merret me njohjen e njeriut si njohje e domosdoshme, dhe para së gjithash orienton sistemin e të menduarit drejt të vërtetës së duhur. Ndoshta, filozofia nuk nxjerr përfundime ekzakte si llogaritje matematikore, por nxjerr aplikim të mendjes për gjësendin bazuar nga kritika e arsyes së kulluar. Jo të gjitha përfundimet janë të ngjashme, të kuptueshme, racionale, nganjëherë përkojnë me ambiciet për të kërkuar e shqyrtuar lëndët fizike të këtij universi. Duke vazhduar më tej se, edhe “pamja”, “ajo që është e fshehur edhe nuk na intereson”, për faktin se edhe për një pamje të fshehur ekziston mendimi, arsyeja. Përshtypja ime qëndron se te çdo pamje e dukshme dhe e padukshme duhet të na interesojnë, sepse interesimi lidhet me hulumtimin dhe meditimin mbi të vërtetën e duhur, fundja, dhe Zoti është akti i fshehur, pamje e padukshme, por falë arsyes kritike, ne e zbulojmë ekzistencën e tij duke medituar dhe shqyrtuar krijimin e universit, lëvizjen e natyrës fizike si dhe pikëpamjet e prijësve për orientimin e shoqërisë njerëzore drejt të vërtetës së nevojshme.


Nëse “ajo që është e fshehur edhe nuk ka intereson”, atëherë ne shmangim studimet e mundshme që kanë të bëjnë me pamjen e padukshme, ku hyjnë: natyra si e drejtë natyrore, vullneti i Zotit, krijimi i universit. Ky mos interesim për të njohur botën e shndërron sistemin kontemplativ të të menduarit tonë në mosnjohje të sendit dhe substancës. Edhe e panjohura, edhe e padukshmja janë, pra ekzistojnë, por varet sa vullnet kemi ne ta shqyrtojmë dhe kuptojmë të vërtetën e gjësendit të fshehur. Edhe vdekja është e padukshme, por ndodh si pajtim i vullnetit të Zotit. Edhe shpirti është i padukshëm, por ekziston. Edhe Zoti është i padukshëm, por ekziston. Në botë, asgjë nuk është e padukshme, pos asaj që është jashtë perceptimeve dhe reflekseve tona, por fundja, dhe këto të fundit që janë jashtë mendjes sonë gjejnë aplikim të duhur.

Nisur nga këndvështrimi tjetër, pajtohem me mendimin e Wittgenstein në lidhje me teorinë se, “ajo që është e fshehur edhe nuk na intereson”, vetëm në kontekstin se e padukshmja, pra e fshehura nuk ekziston brenda ndërdijes sonë, ajo mund të arrihet të përfitohet si rezultat i meditimit dhe kërkimeve shkencore. Si koncept, të fshehurën nuk mund ta kuptojmë esencialisht, ta dimë saktësisht se ç’funksion konkret luan në sipërfaqen e këtij planeti, por vetëm nëpërmjet kërkimeve empirike një gjë mund të arrihet. Edhe pse e fshehura nuk na dikton mendjen tonë, ajo kryen funksionin e saj. Unë besoj se ka gjësende të fshehura të cilat në fakt ekzistojnë, por për mendjen tonë janë jashtë njohjes thelbësore, prandaj ne nuk u kushtojmë interes për t’i njohur. Sepse, jo çdo e fshehur mund të njihet dhe kuptohet, andaj, këtu përpjekjet tona intelektuale ndalen së interesuari. Edhe e fshehura, e padukshmja ekzistojnë, varësisht mosnjohjes dhe mosinteresit tonë.

Filozofin, gati se gjithçka e intereson, ai niset prej mendimit bon sens gjer te shqyrtimet më të përpikta në lidhje me botën dhe ecurinë e saj. Pavarësisht që ideja për ta kuptuar të padukshmen mbetet nyje gordiane, është interes i tij të njohë sistemin ekzistencialist të botës. Gjithsesi, edhe filozofi nuk mund të kuptojë thelbësisht gjërat e padukshme, por mjafton të hedh interesimin, vetëdijen për t’i perceptuar brenda imagjinatës dhe vrullit krijimtar të tij. Kuptohet, që dhe Zoti, sot e kësaj dite mbetet enigmë, një pamje e padukshme për të gjithë ne, por fundja, sistemi i të menduarit filozofik shkon gjersa të kuptojë që pos njeriut, ekziston një vullnet hyjnor që dikton këtë ekzistencë kaq të përkorë. Kjo na intereson, dhe deridiku arrijmë ta ndriçojmë ekzistencën e Zotit, gjithnjë me anë të analizave të ndryshme filozofike dhe shkencore. Të gjitha pamjet e padukshme kanë një vullnet të dukshëm, që mund të arrihen vetëm nëpërmjet studimit dhe kërkimeve intelektuale. Edhe shpirti është pamje e padukshme, por nëpërmjet sistemit të të menduar, arrijmë ta njohim nocionin e shpirtit, që është kaq mistik dhe një orientues i vlefshëm në këtë ekzistencë transite. Ndaj mendimin tim se të gjitha gjësendet dhe substancat janë të dukshme, vetëm atëherë kur sistemi ynë përqendrohet drejt kërkimeve dhe hulumtimeve të sigurta. Gjithçka që është përreth nesh, zgjon një interes, dhe një qëllim të nevojshëm.