Kosova është duke u përballur me një valë të madhe zjarresh që po përfshijnë të gjithë territorin e saj, ka bërë të ditur Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME).

Kreu i agjencisë, Genc Metaj, në një konferencë për media, deklaroi se vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar mbi 633 raste të zjarreve, duke e cilësuar situatën si shqetësuese dhe serioze.


“Vendi është duke u përballur me zjarre të shumta të cilat janë duke u shfaqur në gjithë territorin e vendit. Agjencia e Menaxhimit Emergjent në koordinim të plotë me njësitë e zjarrfikësve në terren, qendrat operative emergjente, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë e Kosovës si dhe me autoritetet lokale është e angazhuar maksimalisht dhe po bën përpjekje të vazhdueshme për ta menaxhuar situatën dhe për të parandaluar çdo pasojë nga situata e krijuar. Vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar mbi 633 raste të zjarreve. Gjatë kësaj jave situatë më e rënduar ka qenë në fshatrat Kçiq i vogël, Zasellë, Dumnicë, Merdare, Orllan, ku është rrezikuar tërësisht jeta e njerëzve...”, ka thënë ai.

Metaj tha se fal ndërhyrjes së shpejt zjarret janë lokalizuar.

Ndërsa, drejtori i divizionit të komunikacionit rrugor në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi bëri të ditur se Policia ka arrestuar 23 persona dhe ka iniciuar 193 raste që lidhen me zjarr-vënie të qëllimshme duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim me AME po punon për parandalimin e zjarreve me kapacitete të plota për të parandaluar zjarret dhe pasojat qoftë tek njerëzit apo vendbanimet. Policia në kuadër të bashkëpunimeve iu ka përgjigj të gjithave rasteve të raportuara. Policia e Kosovës deri sot ka arrestuar 23 persona, ka iniciuar 193 raste që kanë të bëjnë me shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm me nenin që ka të bëjë me zjarrëvenie. Apleoj te qytetarët të kenë kujdes që të kemi me pak zjarre por edhe të parandalojmë bashkërisht dhe të kemi më shumë siguri për banorët", tha Rexhepi. /Telegrafi/