Me mbi pesë mijë krijime muzikore për artistët më të njohur shqiptarë, Avni Qahili: Ëndrra ime është të bashkëpunojë edhe me Dua Lipën
Karriera e tij ka nisur në vitet e 90-ta, punë me shumë emra të njohur të estradës dhe mbi pesë mijë krijime muzikore, kompozitori dhe autori i këngëve, Avni Qahili po vazhdon punën pa u ndalur edhe gjatë kësaj periudhe.
I lindur në Shkup, Qahili njihet për punën e tij me disa prej këngëtarëve më të njohur dhe më të suksesshëm shqiptarë si: Sabri Fejzullahu, Elita 5, Leonora Jakupi, Sinan Vllasaliu, Big Mama, Arta Bajrami e shumë të tjerë.
Në shumë festivale të ndryshme ai ka marrë vendin e parë dhe gjithashtu është shpërblyer me çmime të ndryshme për punën e tij, teksa gjithashtu prezanton dhe moderon spektakle të ndryshme që promovojnë kulturën.
Por, Avniu bagazhit të tij artistik ka ëndërr dhe do të dëshironte të ia bashkëngjiste edhe një projekt me yllin shqiptar me famë botërore, Dua Lipa, të cilën e quan ambasadoren më të madhe të muzikës në botë.
Në një intervistë për Telegrafin, Qahili rrëfen për karrierën e tij, ndryshim që ka pësuar industria e muzikës ndër vite dhe projektet e ardhshme.
Ai flet edhe për përfaqësimin e Shqipërisë në “Eurovision 2022” nga Ronela Hajati, për të cilën mendon se do të arrijë të kualifikohet në finale dhe thotë se do të na përfaqësojë denjësisht.
Telegrafi: Si një tekstshkrues dhe kompozitor me karrierë te gjatë dhe të suksesshme, si do ta përshkruaje këtë me pak fjalë?
Avni Qahili: E gjithë kjo është një jetë e tërë, 30 vite punë të pandalshme, përcjellje në vazhdimësi të ngjarjeve muzikore si në vend ashtu edhe jashtë, pa pikë xhelozie ndaj askujt, por me përkushtimin më të madh.
Telegrafi: Keni shkruar tekste të shumta, a keni ndonjë që është më i veçanti për ju?
Avni Qahili: Karriera ime si krijues muzikor mban në ‘background’ me mbi pesë mijë krijime. Kur kthehem në kohë vazhdoj ta dua njëjtë çdo këngë, por në moment më kujtohet kënga “Dashuria nuk ka fe” në interpretim të shkëlqyeshëm të Visar Rexhepit dhe Gerta Hetës.
Telegrafi: Keni punuar dhe punoni me shumë emra të njohur të estradës, sa është e vështirë të shkruani tekste për artistë të ndryshëm dhe tematika po ashtu të ndryshme ?
Avni Qahili: Krijimi i këngëve për mua tani më është bërë profesion kryesor dhe si i tillë sigurisht që ka shumë vështirësi, por këto vështirësi unë zakonisht i kam me vetveten deri sa e krijoj një këngë. Pas kësaj nëse unë jam i sigurt që kam bërë krijim të bukur, sigurisht që edhe artisti do i pëlqejë. Në krijimet e mija dominon motivi i dashurisë me çka lidhet e gjithë jeta jonë. Nuk mungojnë as motivet sociale, ato për fëmijë e sidomos ato patriotike që unë i dua shumë, ku do të veçoja dy perlat e mia “Komandant” dhe “Liria ka emër” që me rastin e ditës së pavarësisë së Kosovës në mënyrë të mrekullueshme i interpretoi e pazëvendësueshmja Leonora Jakupi.
Telegrafi: A ka ndonjë emër të njohur që do të doje të kishe ndonjë bashkëpunim e që nuk e keni punuar akoma ?
Avni Qahili: Ëndrra dhe dëshira ime më e madhe është të bashkëpunoja me Dua Lipën e cila është ambasadorja më e madhe në botë e muzikës dhe gjithashtu edhe promovuesja më e madhe e popullit shqiptar.
Telegrafi: Si do ta përshkruaje muzikën në fillimet e juaja, e si është tani ? Çfarë mendoni se ka ndryshuar?
Avni Qahili: Unë kam filluar të krijoi në vitet e 90-ta, atëherë kur Kosova ishte e okupuar dhe kam qenë ndër adresat e rralla ku janë drejtuar gati se të gjithë këngëtarët mbarë shqiptar. Kur ka okupim, kur ke shtypje, kur ke ndalesa mendoj që krijuesi është më i vetëdijshëm dhe shumë më i kujdesshëm për atë që krijon. Ka qenë kohë entuziazmi dhe dashuri e madhe për atdheun, kur të gjithë ne me mish e me shpirt mundoheshim që të krijonim një gjë të bukur që do të lë gjurmë. Ndërsa tani artin “e shenjtë” sikur e kemi lënë pak pas dore dhe çdo gjë ka kaluar në hiper-produksion. Kemi shumë krijues, kemi shumë studio muzikore, kemi shumë producent muzikor dhe shumë këngëtarë. Është një luftë e pakuptimtë për mua që të arrihet në maja dhe ato maja jo që nuk arrihen por shpejtë zbritet nga to. Kemi prurje me sasi të mëdha dhe kemi hite sezonale që pas 6 muajve harrojmë se kush ishin ata. Këtu dua të theksoi se kemi edhe artistë që në vazhdimësi krijojnë vepra të bukura dhe që po na e zbardhin fytyrën si në vend ashtu edhe jashtë.
Telegrafi: Jemi afër Eurovisionit, Shqipëria këtë vit do të përfaqësohet nga Ronela Hajati, cili është mendimi juaj për këtë nëse keni arritur t’i përcjellin performancat e saj?
Avni Qahili: Festivalin evropian e kam përcjellur shumë vite nga afër dhe është një nga ngjarjet muzikore më të mëdha në botë. Për mua Shqipëria ka qenë shumë e suksesshme ndër vite. Përfaqësuesja e sivjetshme Ronela Hajati ka një super këngë ku në mënyrë shumë maestrale lidhen etno elementet dhe ato modernet. Ajo e ka magjinë e sundimit të skenës dhe çdo paraqitje e saj në skenë zgjon emocion. Kam frikë për votat politike dhe miqësore që po bëhen në këtë festival, përndryshe mendoj se ajo do të futet në finale dhe do të na përfaqësojë në mënyrë të dinjitetshme.
Telegrafi: Krahas kompozimit dhe shkrimit të teksteve ju jeni edhe prezantues dhe gazetar, ku e gjeni veten më shumë?
Avni Qahili: Të them të drejtën kur dal në skenë për të prezantuar një spektakël muzikor e kam shumë të lehtë sepse gazetaria më ka zhvilluar pjesën e oratorisë, e nga ana tjetër prezantoi në shumicën e rasteve artistët që unë u kam shkruar këngë. Këtu bëhet një ndërlidhje shumë e mirë e profesioneve të mia – nëse mund ta quaj këtë sukses timin.
Telegrafi: Çka mund të presim nga ju gjatë kiti viti, a mund të zbuloni ndonjë projekt të ardhshëm që jeni duke punuar aktualisht?
Avni Qahili: Gjatë këtyre tri dekadave që po krijoi, unë asnjëherë nuk kam pas asnjë pauzë të vogël sepse gjithnjë kam pasur kërkesa. Për momentin janë në proces pune shumë këngë nga të cilat do t’i veçoja: duetin Miranda Hashani – Alban Jashari, një serenatë të bukur për Eli Farën, këngë për Irma Libohovën, Leonora Jakupin, Visar Rexhepin dhe shumë të tjerë që për momentin nuk më kujtohen.
Telegrafi: Faleminderit që gjetët kohë për këtë intervistë, për fund a keni ndonjë mesazh për lexuesit e Telegrafit ?
Avni Qahili: Ju falënderoj nga zemra për këtë intervistë aq profesionale dhe me këtë më leni të nënkuptoj se ju nuk i harroni vlerat. Lexuesit le të vazhdojnë edhe më tutje të lexojnë Telegrafin sepse po sjellin lajme dhe emra që meritojnë të mësojmë diçka më tepër për ta. /Telegrafi/
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëTri zakone mund të shkatërrojnë një martesë apo lidhje, paralajmëron një psikolog
BBC: Njihuni me Dea Kurtin e cila synon ta ndryshojë botën
Këshillë e pediatrit: Si të pastrohet hunda e mbyllur te bebet?
Pesë arsye pse seksi më nuk është i njëjtë kur e keni beben në gji
Ekspertja e gjuhës së trupit tregon se si ta kuptoni nëse ai po flirton me ju
Më shumë ka zbuluar se sa ka mbuluar: Manekinia ka veshur me guxim një fustan me dekoltenë më të thellë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Më të lexuarat
Laert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm
Drenusha zbulon testin e ADN-së që e ka bërë në SHBA, habit me rezultatet
Arne Slot befason të gjithë me përforcimin e fundit te LIverpooli
Vrasja e dyfishtë në Klinë, prokurorja dhe drejtori i Policisë japin detaje
Mike Tyson bëri kërkesë të pazakontë për rregulloren në luftën ndaj Jake Paul
Gjigantët brazilian kanë konfirmuar interesimin për Sergio Ramos – ndërsa raportimet për Real Madridin vazhdojnë