Mbi 42 milionë euro, Gjakova miraton buxhetin për vitin 2026

Nën kryesimin e kryesueses Arbënesha Kuqi, sot është mbajtur mbledhja e tetë e rregullt e Kuvendit të Komunës së Gjakovës për vitin 2025, ku me shumicë votash u miratua projektbuxheti komunal për vitin 2026, me vlerë totale prej 42,393,244 euro.
Kryetari i Komunës, Ardian Gjini, vlerësoi këtë buxhet si dëshmi të transformimit të jashtëzakonshëm financiar që ka përjetuar Gjakova gjatë viteve të fundit.
“Në vitin 2017 të hyrat ishin vetëm 2.8 milionë euro, ndërsa sot ato kanë arritur në 7.8 milionë euro. Investimet kapitale kanë qenë rreth 3 milionë, ndërsa sot vetëm në buxhetin fillestar ato kapin shifrën prej 14 milionë euro – një rritje gati pesëfish”, tha Gjini.
Drejtori për Buxhet dhe Financa, Durim Halilaj, theksoi se projektbuxheti është përgatitur në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, duke ofruar një plan gjithëpërfshirës dhe zhvillimor për qytetarët. Ai njoftoi se buxheti ka pësuar një rritje prej 1.8 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar, gjë që reflekton në rritjen e të gjitha kategorive.
Përveç buxhetit, Kuvendi miratoi edhe dy dokumente të rëndësishme për rritjen e transparencës institucionale:
Draft-Rregulloren për Transparencë në Komunën e Gjakovës;
Draft-Planin e Veprimit për Transparencë.
Gjithashtu, kuvendarët votuan unanimisht Deklaratën mbështetëse për eliminimin e dhunës ndaj grave në politikë dhe jetën publike në Kosovë, iniciativë e përbashkët e kuvendeve të komunave të rajonit të Dukagjinit.
Në seancë u prezantua edhe raporti për punën e Kuvendit gjatë periudhës janar–gusht 2025, i cili pasqyron aktivitetet dhe angazhimet e realizuara gjatë këtij viti.
Ky buxhet, i konsideruar si një nga më të mëdhenjtë ndonjëherë për Gjakovën, synon të krijojë kushte më të favorshme për zhvillim ekonomik, infrastrukturor dhe shërbime më të mira për qytetarët. /Telegrafi/









































