LAJMI I FUNDIT:

Mbi 4 mijë zyrtarë të lartë publik do t’i nënshtrohen procesit të rregullt të deklarimit të pasurisë

Mbi 4 mijë zyrtarë të lartë publik do t’i nënshtrohen procesit të rregullt të deklarimit të pasurisë

Në javën e dytë të deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë, kërkesës për deklarimin e pasurisë i janë përgjigjur rreth 600 zyrtarë publik, ndërsa deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë do t’i nënshtrohen rreth 4737 zyrtarë të lartë publik

Agjencia Kundër Korrupsionit, AKK njofton se më 1 mars 2022, ka filluar procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, ku të gjithë zyrtarët e lartë publik janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre në AKK nga data 01 deri më 31 mars 2022.


“Deklarimi do të realizohet në pajtim me Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave, ndërsa deklarimit të pasurisë do t’i nënshtrohen rreth 4737 zyrtarë të lartë publik”, thuhet në njoftim.

Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ri-kujton të gjitha subjektet deklaruese se mos-deklarimi i rregullt i pasurisë nga zyrtarët publik, konform obligimeve ligjore, detyron Agjencinë kundër Korrupsionit që të paraqesë kallëzim penal në pajtim me nenin 430 të Kodit Penal.

Deklarimi i rregullt vjetor i pasurisë mund të bëhet nëpërmjet paraqitjes fizike në zyrën e AKK-së ose nëpërmjet email-adresës akk.deklarimi@rks-gov.net.

Formularët e deklarimit të pasurisë të dërguar nëpërmjet email, duhet të jenë të nënshkruar dhe skanuar nga ana e subjekteve deklarues. /Telegrafi/