LAJMI I FUNDIT:

Mbi 2500 entuziastë të Web3 mblidhen në Prishtinë – Kyrylo Khomiakov i Binance thotë se Kosova ka të ardhme të ndritshme digjitale

Mbi 2500 entuziastë të Web3 mblidhen në Prishtinë – Kyrylo Khomiakov i Binance thotë se Kosova ka të ardhme të ndritshme digjitale

Prishtina u shndërrua në kryeqendrën rajonale ballkanike të inovacionit digjital këtë fundjavë, ndërsa mbi 2,000 entuziastë të teknologjisë blockchain, zhvillues, investitorë dhe profesionistë të kriptovalutave morën pjesë në konferencën BlockTalk Prishtina 2025.

E organizuar për herë të dytë radhazi, ngjarja dyditore solli emra të njohur globalë dhe rajonalë në kryeqytet – me Binance, platformën më të madhe të kriptovalutave në botë, si partner dhe sponsor kryesor.

Gjatë dy ditëve, konferenca përfshiu 27 folës nga e gjithë Evropa dhe më gjerë, punëtori praktike, prezantime të produkteve, diskutime me ekspertë dhe sesione rrjetëzimi. Po ashtu, çmime dhe shpërblime të veçanta iu dhanë shumë pjesëmarrësve.

Në një deklaratë për Telegrafi, Drejtori Rajonal i Binance për Evropën, Afrikën dhe Azinë, Kyrylo Khomiakov theksoi rëndësinë strategjike të kësaj ngjarjeje:

“Pjesëmarrja e Binance në BlockTalk Prishtina 2025 përfaqëson një hap kyç në strategjinë tonë për t’u angazhuar me komunitetin e kriptovalutave në Kosovë dhe në rajonin më të gjerë të Evropës Qendrore dhe Lindore. Kjo konferencë është një platformë e vlefshme për të ndërlidhur pionerët e mendimit dhe inovatorët në fushën e blockchain”, tha ai.

Ai shtoi më tej se “Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm në lëvizjen globale të Web3 falë një popullsie të re dhe të aftë në teknologji, që është e etur të përqafojë risitë. Me edukim dhe mbështetje, kjo gjeneratë mund të jetë shtytës i ndryshimeve të mëdha në botën digjitale.”

Një ndër zërat më të fortë vendorë për kripton në konferencë ishte Memli Krasniqi, Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, i cili theksoi se Kosova ka potencial për të udhëhequr në këtë fushë.

“E ardhmja nuk pret. Blockchain dhe kriptovalutat nuk janë më çështje të së nesërmes – ato po e ndryshojnë botën sot. Diskutuam për potencialin që kanë Kosova dhe rajoni, për sfidat që na presin dhe për rolin që mund të luajmë në ekonominë dixhitale globale”, tha Krasniqi.

Ai shtoi “Kosova ka një rini të talentuar dhe të pasionuar për këtë fushë. Gjithçka që u duhet është një shtet që e kupton këtë potencial, që krijon një mjedis miqësor dhe u qëndron pranë. Nëse e bëjmë këtë, Kosova mund të shndërrohet në një qendër rajonale për teknologjinë blockchain dhe kriptovalutat.”

Njëri nga organizatorët dhe udhëheqësit e konferencës, Labinot Bajrami e vlerësoi si konferencën më të madhe në rajon, dhe faktin që po bashkëpunojnë për herë të parë me Binance.

Përveç diskutimeve dhe sesioneve tematike, Binance prezantoi edhe platformën edukative Binance Academy, e cila vetëm gjatë vitit 2024 arriti të edukojë mbi 44 milionë përdorues në mbarë botën.

Përmes kurseve online, punëtorive dhe programeve interaktive, platforma ofron njohuri të hapura dhe cilësore mbi kriptovalutat, blockchain-in dhe financat digjitale.

BlockTalk 2025 u përmbyll me një mesazh të qartë: Kosova është gati të bëhet pjesë aktive e së ardhmes digjitale globale.