LAJMI I FUNDIT:

Mbaroi koha e tarifës…

Mbaroi koha e tarifës…

Teuta Nunaj

Pak ditë më parë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se planifikohet heqja e kushtëzuar e tarifës 100 për qind ndaj mallrave serbe, që vijon të zbatohet prej nëntorit 2018. Kjo ndërprerje do të realizohej në dy faza kohore, ndërsa për veprimet e mëtejshme deklaroi se do të kushtëzoheshin nga veprimet e pritshme të qeverisë së Serbisë. Deri këtu, ky veprim mund të klasifikohet si një plan vendimmarrjeje i një qeverie legjitime të një shteti sovran, siç është Kosova.

Në krye të herës, unë e kam mbështetur vendimmarrjen e Qeverisë së atëhershme të Kosovës, kur ish-kryeministri Ramush Haradinaj vendosi tarifën doganore 100 për qind ndaj të gjitha mallrave që importoheshin në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, duke e vlerësuar si një “vendimmarrje të vonuar, por të duhur… si një vendim politik, me kritere ekonomike për të mbrojtur interesin kombëtar të Kosovës…”. Përgjatë 14 muajve të zbatimit të kësaj tarife doganore, efektet ekonomike dhe politike për Kosovën dhe Serbinë, në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë qenë të ndjeshme.


Kështu, anëtarë të qeverisë së Serbisë kanë deklaruar se përgjatë periudhës së zbatimit të kësaj tarife, Serbia ka pësuar humbje mbi 460 milionë euro. Në gjuhën ekonomike, kjo klasifikohet si humbje oportune, e cila përllogaritet si diferencë midis të ardhurave nga alternativa më e mirë (që për Serbinë alternativa më e mirë është eksportimi i produkteve të tyre në Kosovë), me të ardhurën e alternativës së ndodhur (realisht). Pra, nuk është humbje drejtpërdrejt nga tregu, por një humbje që erdhi si pasojë e mospërdorimit të alternativës më të mirë nga Serbia, atë të shitjes së mallrave të saj në tregun e Kosovës dhe kjo për pamundësi të saj. Por, kjo humbje oportune, nuk është objekt i këtij shkrimi për t’u trajtuar.

Nga ana tjetër, tregu i Kosovës reflektoi në mënyrë të menjëhershme me zëvendësimin e mallrave serbe me mallra nga vende të tjera, gjë e cila nuk krijoi mungesë mallrash në treg. Nga të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës rezulton se nga tetori 2018 dhe deri në janar 2020, importet nga Serbia kanë rënë nga 12.3 për qind të totalit të importeve në 0.1 për qind; eksportet nga Kosova në Serbi po ashtu kanë rënie nga 8.2 për qind të totalit të eksporteve kosovare, në 4.7 për qind. Ndërkohë që kemi rritje të importeve të mallrave nga Maqedonia e Veriut nga 5.1 për qind në 5.7 për qind; nga Gjermania nga 10.7 për qind në 12.5 për qind, nga Greqia nga 2.8 për qind në 6.6 për qind etj.

Aktualisht, Qeveria e Kosovës ndodhet përballë një presioni publik gjithnjë e në rritje për heqjen pa kushte të tarifës doganore ndaj mallrave serbë. Kryeministri Kurti ndërmori një hap sa të vështirë, po aq edhe jetik për ardhmërinë e Kosovës, sa profesional apo aq edhe të kujdesshëm, sa të guximshëm, po aq edhe riskioz, ndaj duhet mbështetur dhe jo të sulmohet për përfitime të agjendave individuale, që kërkojnë të arrijnë shumë kolegë të tij. Qasja e drejtuesve politikë kosovarë duhet të jetë në mbrojtje të interesit të Kosovës, në unifikime zyrtare qëndrimesh dhe mbështetur mbi principe. Kjo situatë nuk duhet të përdoret prej tyre për kredo personale, për dukje përpara aleatëve se kush del më i miri, apo për t’u shfaqur si më “properëndimori” i flaktë, ndërsa duhet të jenë së pari një shqiptar Kosove i zjarrtë.

Veprimi i rritjes 100 për qind të tarifës doganore ndaj mallrave serbe i dha efektet e veta: (i) në aspektin ekonomik, produktet serbe u zëvendësuan lehtësisht në treg nga ato të vendeve të tjera, duke ndikuar në ndryshimin e ciklit të jetesës së produkteve serbe dhe duke mos sjellë krizë të produkteve në treg; (ii) në aspektin politik, Qeveria e Kosovës shfaqi pavarësi veprimi, përpos qëndrimit të aleatëve dhe njëkohësisht jo vetëm e ruajti stabilitetin e saj politik, por edhe bëri bashkë pozitë e opozitë që u dakordësuan për këtë vendim; (iii) në aspektin diplomatik, vendimmarrja e qeverisë kosovare kushtëzoi dialogun, gjë e cila tregoi se janë një faktor i rëndësishëm në stabilizimin e marrëdhënieve mes dy republikave, Kosovës dhe Serbisë, dhe jo thjesht në pritje se çfarë do t’u ofrojnë; (iv) në aspektin social, popullata e Kosovës reagoi pozitivisht ndaj vendimmarrjes politike, duke ndryshuar sjelljen e saj si konsumatore, duke ulur shkallën e përdorimit të produkteve serbe dhe duke krijuar një tendencë të re, atë të të jetuarit pa prezencën e mallrave serbe, që e kishin dominuar jetën e tyre për dekada me radhë; (v) në aspektin ligjor, Kosova dëshmoi ekzistencë të një shtetit të pavarur, që ndërmerr veprime ligjore në tregtinë e saj të jashtme, qoftë edhe kur kanë një ndikim të madh në raportet rajonale e më gjerë, njëkohësisht tregoi se indirekt Serbia e njeh dhe e zbaton vendimmarrjen e qeverisë së saj, për sa kohë që Serbia, edhe pse pa dëshirën e saj, i zbatoi ligjet e Kosovës (detyrimi për të paguar kundër vullnetit të saj tarifën 100 për qind për çdo produkt që hynte në Kosovë).

Siç e kemi cekur edhe më parë, vendosja e tarifës 100 për qind ndaj mallrave serbe ishte një vendim politik, me kritere ekonomike, për të mbrojtur interesin kombëtar të Kosovës dhe tani, për të njëjtat arsye, për të mbrojtur interesin kombëtar të Kosovës, u ndërmor vendimi për heqjen e shkallëzuar të tarifë ndaj mallrave serbe. Kjo vendimmarrje shpreh vullnet dhe largpamësi për rifillimin e dialogut me Serbinë dhe mundësi negocimi për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë, që do të ishte edhe fundi i fillimit të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Gjë e cila do ta forcojë edhe më shumë Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe do t’i hapë rrugë anëtarësimit të saj në institucionet ndërkombëtare.

Unë besoj se tarifa doganore nuk po hiqet vetëm sepse e kërkojnë aleatët strategjikë të shqiptarëve, SHBA dhe BE, dhe kaq do të duhej të mjaftonte si arsye, por edhe sepse ajo e realizoi qëllimin e saj dhe çdo gjë që do ta vononte heqjen e saj, do të ishte vetëm në dëm të Kosovës. Për këto arsye, e ndoshta edhe shumë të tjera, tarifa doganore e Kosovës ndaj Serbisë e ka mbaruar kohën e veprimit të saj politik, gjë e cila shënon edhe fillimin e kohës për përmbylljen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi.