LAJMI I FUNDIT:

Mbahet Panairi i Karrierës, Telegrafi Jobs dhe mbi 200 kompani prezantojnë ofertat për nevojat e punëkërkuesve dhe punëdhënësve

Më shumë se 200 kompani dhe institucioneve publike gjatë ditës së enjte kanë prezantuar ofertat e tyre të punës në Panairin e Karrierës dhe Ndërmarrësisë.

Telegrafi Jobs në këtë panair ka prezantuar ofertat dhe platformën për nevojat e punëkërkuesve dhe punëdhënësve.


“Kemi ardhur në Panairin e Punës për të informuar sa më shumë punëkërkuesit për mundësitë që i kanë në Telegrafi Jobs. Ne e kemi zhvilluar një sistem ku këta mund të aplikojnë direkt përmes pozitave që hapen nga punëdhënësit dhe mund të vijnë këtu të informohen më shumë në Telegrafi Jobs këtu në panair”, tregon menaxheri i Telegrafi Jobs, Brezar Xërxa.

Ai shton se ka pasur interesim të madh nga vizitorët për ta njohur nga afër këtë platformë.

“Ka pasur interesim, mirëpo presim që të vijnë të tjerët e të na vizitojnë, jemi të kënaqur”, shtoi ai.

Valiant Ramosaj nga Starlabs shprehet se fokusi i të interesuarve për pozitat e hapura, është në kuadër të studentëve.

“Starlabs kryesisht shërbimet që i ofron është për outsource për tregun ndërkombëtar, si Software Development, Software Testing, Technical IT Support dhe pjesën e Coustomer Sales në gjuhën angleze dhe gjermane”, shprehet Ramosaj, menaxher i Burimeve Njerëzore në këtë kompani.

“Aktualisht pozitat e hapura i kemi për Nework Development dhe kryesisht për Front End Development, PHP dhe WordPress Development. Fokusi është në kuadër të studentëve që janë në pjesën e praktikës që ne e ofrojmë”, theksoi ai.

Për Arjeta Balajn nga Besa Security, interesimi më i madh për pozitat e hapura nga kjo kompani është nga të rinjtë.

“Ne si Besa Security në panair kemi ardhur të ofrojmë pozita të reja të punës. Pozitat i kemi të hapura prej rojës fizike, agjentë të shitjes, inxhinierë, teknikë, administratë, financa dhe pozita të tjera”, potencoi Balaj.

“Ka interesim nga qytetarët. Ajo që po na lë përshtypje është se ka interesim nga studentët dhe kjo është një gjë shumë e mirë, sepse rinia është interesuar që të angazhohet, kështu që kemi mjaftueshëm aplikacione nga panairi”, tregon ajo.

Ndërsa, Antoneta Azemi nga Super Puna thotë se nëpërmjet kësaj platforme po synohet ndërmjetësimi i punëkërkuesve të rinj dhe punëdhënësve.

“Super Puna është platformë e krijuar nga Qeveria e Kosovës. Nëpërmjet kësaj po synohet ndërmjetësimi i punëkërkuesve të rinj dhe punëdhënësve, përmes subvencionimit të pagës”, shpjegon Azemi.

Ajo tha se aktualisht në Super Puna janë të hapura mbi 8,500 pozita të lira të punës.

“Për momentin, Super Puna ka mbi 8,500 pozita të lira të punës, në profile dhe pozita të ndryshme të kualifikimeve. Do të thotë se ka pozita për persona që sapo kanë filluar karrierën e tyre profesionale dhe për ata që synojnë zhvillim të karrierës”, tha ai.

“Si platformë, nga ky panair ne presim më shumë punëkërkues në platformë dhe gjithashtu më shumë biznese”, shtoi Azemi.

Kurse Nora Dragaj nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë nga ky panair pret që të rritet bashkëpunimi i tyre me institucionet, bizneset dhe organizatat e ndryshme.

“Jemi këtu në kuadër të Panairit të Punës bashkë me Shoqatën Alumni. Ne presim që studentët tonë të informohen përmes këtij panairi, po ashtu presim që edhe bashkëpunimet me institucionet, bizneset dhe organizatat të kenë një bashkëpunim me neve”, potencoi Dragaj.

“Universiteti po ofron mundësi shumë të mira për studentë, kushtet tona që i ofrojmë në universitetin tonë dhe për mundësitë shumë të mira për studentë dhe kushtet tona dhe mundësitë në rast se studentët vijnë të regjistrohen, atëherë i mirëpresim”, shtoi ajo.

Në fund, Kaltrina Halimi nga Trenkwalder Kosovo pret që nga ky panair presin që të kenë të interesuar nga ata që e flasin gjuhën angleze dhe atë gjermane.

“Trenkwalder është një firmë austriake e cila merret me shërbime të ndryshme të klientëve. Në tregun e Kosovës kemi ardhur që gjashtë muaj, edhe kemi pasur një rritje të jashtëzakonshme, ku për momentin i kemi 60 punëtorë”, shprehet Halimi.

“Prej Panairit të Karrierës presim sa më shumë klientë dhe punëtorë të interesuar që e flasin gjuhën gjermane, njëkohësisht edhe gjuhën angleze. Kemi projekte të ndryshme, si në gjuhë gjermane dhe atë angleze”, përfundon ajo.

Panairi Kombëtar i Punës, Karrierës dhe Ndërmarrësisë 2023, organizohet Qeveria e Kosovës dhe Agjencia e Punësimit në bashkëpunim me Qeverinë Gjermane përmes Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ), Universitetin i Prishtinës “Hasan Prishtina“ dhe Oden Ekonomike Gjermano-Kosovare. /Telegrafi/