Maximiliani, Perandori i Meksikës: Një vizitë zhgënjyese në Durrës (1867)

Ferdinand Maximilian Joseph, Arqiduka i Austrisë (1832–1867), ishte vëllai më i vogël i Perandorit austriak Franz Joseph. Ai kishte një interes të veçantë për udhëtimet. Në vitin 1854, në moshën 22-vjeçare, Maximiliani u emërua komandant i përgjithshëm i Marinës austro-hungareze. Dhjetë vjet më vonë, me mbështetjen e Francës, ai u shpall Perandor i Meksikës (1864–1867), por me ngritjen e forcave republikane nën udhëheqjen e Benito Juárezit, ai u arrestua dhe u ekzekutua. Në veprën e tij me shtatë vëllime në gjuhën gjermane, të titulluar Nga jeta ime: Skica udhëtimesh, aforizma dhe poezi (1867), Maksimiliani botoi një rrëfim prej 170 faqesh për një udhëtim përgjatë bregdetit të Shqipërisë, gjatë të cilit ai shkoi për gjah në Rodon. Kjo vepër përfshin një përshkrim interesant të Durrësit, i cili në atë kohë vuante nën sundimin osman dhe nuk e la aspak të impresionuar autorin.
Nga: Maximiliani I i Meksikës[1]
Përktheu në anglisht (nga gjermanishtja): Robert Elsie
Përkthimi në shqip (nga anglishtja): Telegrafi.com
Udhëtuam gjithë natën dhe ditën tjetër kaluam Kepin e Palit, ndërkaq pasditen e ditës tjetër lundruam pranë grykëderdhjes së gjatë me rërë të Shën Luçisë, që shtrihet në det dhe formon një pengesë mbrojtëse për Durrësin. Pastaj vazhduam në drejtim të ashtuquajturës Pietra Bianka [Shkëmbi i Kavajës], një shkëmb i shndritshëm në kodrat përgjatë bregdetit, dhe u ndalëm në portin e Durrësit. Gjiri i gjerë i Durrësit formohet nga dy vargje kodrash që zgjaten në det, ku ai në Veri është i pyllëzuar teksa zbret drejt fushës.
Rrëzë këtyre kodrave ndodhet Durrësi, i pozicionuar mes fushës dhe kepit, pikërisht pranë portit. Ndërtesat më të largëta të qytetit ngjiten mbi vetë shpatin. Në këtë kohë, është një gropë e trishtuar, e rrethuar me mure të rrënuara dhe parapete të shembura. Në këtë qytet të vogël duket një minare e plotë dhe një tjetër e dëmtuar pjesërisht. Më lart në kodër ndodhet një grumbull rrënojash pallatesh ose kazermash. Njëra prej dy portave të qytetit përballet me portin dhe me një zyrë doganore e cila përbëhet nga një kasolle druri - edhe kjo natyrisht në gjendje të rrënuar. Nëse dëshironi t’i afroheni Durrësit nga deti dhe të ngjiteni mbi të ashtuquajturin quai [platformë zbarkimi], do t’ju këshilloja me ngulm të merrni një sigurim jete në Londër - nëse anglezët dashamirës ndaj përfitimit do të pranonin ndonjëherë të siguronin udhëtarët drejt Durrësit. Është një veprim i tmerrshëm të shkelësh shpejtë mbi dërrasat e kalbura ndërsa kalon përmes trungjeve të skelës për të arritur në tokë. Pikërisht pranë këtij të ashtuquajturi quai, mes detit dhe zyrës doganore, ndodhet një rrap i mrekullueshëm dhe i vjetër i cili, ashtu si minarja, është simboli i çdo qyteti të vërtetë osman.
Në të djathtë të qytetit shtrihet një zonë e rrafshët, e rrethuar nga kodrat që ngrihen gjithnjë e më lart. Ky vargmal piktoresk, i pasur me shkëmbinj dhe pyje, nën të cilët ndodhen fushat dhe livadhet, formon horizontin jugor teksa shtrihet drejt detit. Aty, në mjegullën kaltër, mund të shihet kulla e Guerin Meskinos, heroit të dashur i marinarëve tanë, aventurat e të cilit lexohen në të gjitha anijet tona. Gjiri është shumë i madh ose qyteti shumë i vogël për ta cilësuar tërësinë si tërheqëse apo interesante, megjithëse nuk mungon karakteri. Zona e sheshtë që përmenda më sipër është në të vërtetë një sipërfaqe e madhe me ujë të ndenjur, e cila dikur e kishte bërë kepin dhe qytetin një ishull dhe ua mundësonte galerave greke dhe romake të hynin në port nga gjiri prapa qytetit, në Veri. Por, tani kjo masë uji është ndërprerë nga disa brigje ranore.
Ne e dërguam një kadet në qytetin e zymtë për të njoftuar përfaqësuesin konsullor për mbërritjen tonë. Ai u kthye shpejt dhe vuri gjithë anijen në një gjendje rrëmuje me raportin që solli nga vizita e tij në konsullatë. Duhet pasur parasysh se djali i ri e i thjeshtë sapo kishte qenë në Rodon dhe tani na fliste për një sallon të gjerë, një divan të stolisur me pasuri, aparatura të pasura orientale për temjan dhe vajzën jashtëzakonisht të bukur të konsullit, të zbukuruar me brokadë floriri dhe diamante, “një zonjë me hijeshi të pakrahasueshme, një perlë e rrallë”. Pas përshtypjes së tmerrshme që na kishte lënë ky qytet i vogël, kjo ishte si një hosana. E rimorëm guximin dhe në fakt u emocionuam mjaft me afrimin e barkës së vogël. Në të mbërriti Padre Negri dhe, në shoqërinë e tij, ishte babai fatlum i vajzës së pakrahasueshme, si edhe xhaxhai i tij i nderuar, megjithëse tashmë i moshuar - konsulli i nderit, 86-vjeçari Tedeschini.
Babai fatlum ishte gjithashtu tregtari më i pasur në Durrës, një njeri i këndshëm dhe patriarkal, që kishte shërbyer si në Kishë, ashtu edhe në administratë, dhe që na dha një mbështetje të madhe gjatë qëndrimit tonë, duke na përmbytur me mirësi. Ky konsull nderi, tashmë në pension, kishte një mendje të kthjellët dhe, gjatë viteve të gjata këtu, kishte studiuar dhe njohur vendin, zakonet dhe virtytet e tij. Kishte gjithashtu një sens humori, ndaj ishte shoqëri njëkohësisht e këndshme dhe e dobishme. Ai erdhi në bordin e anijes i veshur me rroba gjahu, pak a shumë siç e përfytyroj një rojtar pyjesh në teatër. Një fustanellë e gjatë e zezë me përparëse gjahu në ngjyrë të gjelbër dhe të artë, varej lirshëm rreth kofshëve të tij të lashta. Koka e tij plot shkëlqim, në pjesën e pasme të së cilës njeriu instinktivisht kërkonte një bishtalec, ishte mbuluar me një kapelë të thjeshtë gjahu, me një strehë të madhe për t’u mbrojtur nga dielli dhe shiu.
Atë mbrëmje zbrita në tokë bashkë me vëllezërit e nderuar Tedeschini. Sapo kishim kaluar mbi molin e rrezikshëm, kur u rrethuam nga turma të rrëmujshme rrugaçësh. Mes tyre ishte një lloj komandanti fortese, i veshur - me autoritetin e një rreshteri - me uniformë të grisur dhe të përdorur, si dhe me stafin e tij akoma më të zhubravitur dhe më të etur për bakshish sesa vetë ai. Ishte një hordhi shitësish alkooli, të rinj pothuajse të zhveshur, qytetarë dhe fshatarë të mbuluar nga papastërtia, e megjithatë të veshur me kostume shumëngjyrëshe, hamallë, si dhe ciganë të zinj si qymyri, të të gjitha moshave, të veshur me lecka - figura të vërteta të nëntokës.
Në degët e rrapeve, nën kupolën e artë të gjetheve nëpër të cilën kaluam për të arritur te porta e qytetit, dëgjoheshin turtullët - mysafirë të hareshëm dhe të gjallë që konsulli ynë i nderit i kishte sjellë në Durrës. Rojet e habitura të fortesës rrinin përreth portës, në anët e së cilës shtriheshin kolona prej graniti, mbetje nga lavdia e dikurshme e qytetit. Zot i madh, çfarë figurash! Një grusht sakatësh, të veshur me rrecka dhe të dehur. Më vonë, nga një bisedë me konsullin e Shkodrës, i cili kishte mbërritur në një natë dhe nuk ishte lejuar të hynte, mësuam se sa e “fortifikuar” dhe e “mbrojtur” ishte kjo portë. Ai thjesht e goditi portën dhe hyri pa asnjë problem në “kryeqytetin e Shqipërisë”.
Zemra e qytetit, brenda mureve të fortesës, dukej edhe më keq. Radhë pa fund shtëpish të rrënuara dhe të ndotura, me çati që rrezikonin të shembeshin dhe me një erë aq të rëndë sa të merrte mendtë. Kjo është poezia e Orientit.
Qyteti ngjan me skenografinë e mbetur nga ndonjë balet i vjetër oriental për një treg turk, braktisur prej dekadash në bodrumin e ndonjë teatri dhe mbuluar me rrjeta merimangash, dhe më pas e nxjerrë rastësisht në dritën e zbehtë të skenës, ende e mbuluar me pluhur dhe rrjeta. Nëse kësaj tabloje i shtoni disa figurantë të pensionuar dhe aktorë të moshuar, të veshur me kostume të blera në tregje të rrobave të përdorura dhe që kutërbojnë kolofon dhe blozë llambash të fikura, mund ta përfytyroni se si dukej Durrësi. Të gjitha qytetet e Orientit duken më shumë a më pak kështu - madje edhe Kajro dhe Izmiri - por, këto të fundit janë të mëdha dhe plot gjallëri dhe, në vend të leckave, gjen brokadë floriri dhe shalle indiane.
Megjithatë, natyra e ka shtuar poezinë dhe romantizmin e vet, sepse një xhami dhe një minare - edhe pse të vogla dhe të rrënuara si këtu në Durrës - janë pamje që nuk harrohen. Edhe nëse çatitë e pazarit shemben, ato shpejt mbulohen me hardhi dhe rrush të artë, të cilët, si zinxhirë, i mbajnë strukturat që të mos shemben fare.
Edhe pse popullsia është e vogël, has ende figura të moçme turke, me çallma të mëdha dhe mjekra të gjata, të cilët, me kamish dhe kafe në dorë, ulen nëpër stalla pazari dhe, me fatalizmin mysliman, presin ndonjë blerës - pa as më të voglën lëvizje apo gjest miqësor që do ta inkurajonte dikë të blinte diçka.
Era e rëndë që endet mes shtëpive dhe pallateve, nëpër rrugë dhe sheshe në gjithë Orientin, është më e pranishme këtu ... Duke u përplasur mbi grumbuj plehrash dhe mbeturinash, arrita te porta e dytë e Durrësit, ku disa roje fshatarake supozohej se kujdeseshin për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve. Menjëherë pas portës ndodhet një varrezë me formë të çrregullt, ku mund të shihje bazamentet e disa kolonave të lashta prej graniti. Ciganët jetojnë nëpër kopshtet aty pranë dhe, në këmbët e mureve buzë detit, shtrihet një moçal që shkon deri në laguna - vendi i lojës për çafkat e mëdha të bardha. Bëra një banjë të shkurtër në muzg dhe u ktheva në anije, jo edhe aq i mahnitur nga mrekullitë e këtij metropoli orientale. /Telegrafi/
__________________[1] Pjesë nga: Ein Stück Albanien. në: Aus meinem Leben: Reiseskizzen, Aphorismen, Gedichte von Maximilian, Kaiser von Mexiko (Leipzig: Duncker & Humblot 1867), vëll. 4, fq. 143-149. Përkthyer nga gjermanishtja nga Robert Elsie.

















































