LAJMI I FUNDIT:

Matura shtetërore në Shqipëri, sot provimi i gjuhës së huaj

Matura shtetërore në Shqipëri, sot provimi i gjuhës së huaj

Rreth 36 mijë maturantë do t’i nënshtrohen sot provimit të gjuhës së huaj.

Testimi do të nisë në orën 10 dhe do të zgjasë dy orë e gjysmë. Maturantët duhet të paraqiten në gjimnazet përkatëse që në orën 8 sepse do të nisë leximi i emrave një për një si dhe kontrollohen me dedektorë në mënyrë që nxënësit që mos të kenë pajisje elektronike pasi në të kundërt do të ketë penalitete. Ata duhet të kenë me vete një mjet identifikimi.


Në fakt këtë vit ka ndryshime për sa i përket strukturës së provimeve të cilat do të jenë më pak në numër nga pesë në katër, por edhe në përpilimin dhe vlerësimin e tyre këtë vit ka risi.

Një pjesë e tyre do të vlerësohen për herë të parë elektronikisht duke shmangur gabimet njerëzore që mund të jenë bërë në vitet e kaluara, ndërkohë që janë shtuar edhe penalitetet për ata që do të mundohen të kopjojnë.

Përmes udhëzimit të Maturës Shtetërore maturantët janë njoftuar kohë më parë që do të kenë një provim me zgjedhje më pak jo më 2, siç ka ndodhur që nga viti 2006, kur në sistemin e mesëm arsimor u aplikua për herë të parë testimi përmes parimit meritë-preferencë.

Pra, maturantët e vitit 2019 do t’i nënshtrohen provimit të gjuhës së huaj sot, gjuhën shqipe dhe letërsinë në 12 qershor, matematikën në 17 qershor dhe provimin me zgjedhje në 24 qershor. /kp/