Kos: Shqipëria dhe Mali i Zi mund të përfshihen në BE edhe pa reforma të mëdha

Në Bruksel u zhvillua sot Forumi i Zgjerimit të Bashkimit Evropian, ngjarje që mblodhi udhëheqës evropianë, përfaqësues të vendeve kandidate, ekspertë të politikave dhe aktorë të shoqërisë civile.
Ky forum u zhvillua paralelisht me publikimin e paketës vjetore të Zgjerimit dhe raporteve të progresit, duke vënë theksin tek rëndësia e reformave dhe perspektiva e anëtarësimit për vendet aspirante.
Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos, gjatë debatit ka theksuar se vendet kandidate si Mali i Zi dhe Shqipëria mund të përfshihen në proces, edhe pa reforma të mëdha të brendshme, por për këtë është e nevojshme mbështetja e vendeve anëtare.
“Mali i Zi eshte aq vend i vogel, sigurisht që mund të përfshijmë Malin e Zi pa reforma të mëdha të brendshme. Mund të përfshijmë edhe Shqipërinë me tre milionë banorë, dhe së bashku do të kemi 6.6 milionë – në 2004 ishim 70 milionë, dhe na duhet kjo,” tha Kos.
Ajo bëri thirrje për mbështetje konkrete nga shtetet anëtare, duke theksuar rëndësinë e faktit dhe transparencës.
“Mund të jeni për zgjerimin, por shumica e njerëzve nuk janë. Ndihmoni ne, ndihmoni mua për të përfunduar vendimin. Po, kjo është koha juaj për të ndriçuar,” u shpreh Kos.
Kos, vlerësoi vitin 2025 si një periudhë progresi të konsiderueshëm. Sipas saj, Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina dhe Moldavia kanë shënuar avancime të dukshme në reformat kyçe, dhe me ritmin aktual të reformave, negociatat e pranimit mund të përfundojnë në vitet e ardhshme.
“Mali i Zi ka mbyllur katër kapituj negociatash dhe synon përfundimin e tyre deri në vitin 2026. Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm dhe synon mbylljen e negociatave deri në vitin 2027,” tha Kos.
Nga ana tjetër, Serbia është kritikuar për ngadalësim të reformave dhe rritje të tensioneve politike, ndërsa Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Turqia dhe Gjeorgjia përballen me sfida të ndryshme që pengojnë avancimin.
Ndërkaq në debat nuk u dha shumë hapsirë për Kosovën.
Sipas Raportit të Progresit për Kosovën për vitin 2025, Kosova ka pasur progres të kufizuar e stagnim.
Raporti thekson se Kosova ka pasur përparim të kufizuar në fusha të tilla si pavarësia e gjyqësorit, liria e medias, dhe efikasiteti i administratës publike.
Raporti thekson se bllokadat politike dhe polarizimi kanë penguar funksionimin normal të institucioneve demokratike.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar hapjen e rrugës për marrjen e statusit të kandidatit, duke theksuar se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm drejt integrimit evropian./Telegrafi/


































