LAJMI I FUNDIT:

Marrëveshja qeveri – veri

Për situatën politike në veri të Kosovës kanë paraqitur mendimet e tyre individ të ndryshëm, subjektet politike, përfaqësues të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare etj. Këto mendime dhe këto projekte ishin shumë kontradiktore me projektin “Ahtisaari” nuk paraqesin zgjidhje të drejtë të kësaj çështje. Kjo është çështje delikate në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe si e tillë kërkon përkushtim më serioz.

Dua të përshëndes përkujdesjen e qeverisë për pjesën veriore të Kosovës qe më në fund filloi ta shohë si Kosovë e jo si një vend fqinj. Pas gjithë atyre problemeve që kanë qenë në veri të Kosovës, që as individualisht, si shqiptar, nuk lejohesh të kalosh mbi urë, sot po fillon diçka që për mua edhe për secilin kosovar është e mirë se ardhur – u nda një fond 5 milionë eurosh. Zyrtarët që i njeh Serbia e që nuk i njeh Kosova e kundërshtuan këtë iniciativë. Pas pak kohesh doli ministri Pushtetit Lokal dhe tha se ‘ne kemi nënshkruar marrëveshje me serbet e veriut për t’i investuar 400 mijë euro në veri’. Një pyetje zoti ministër: po kush janë ata serbë në veri që nënshkruan marrëveshjen për investime? A mos janë strukturat paralele apo rojat e urës?


Nëse ka ndodhur një gjë e tillë, e që për bashkësinë ndërkombëtare nuk është tragjike të bashkëpunohet me ata kriminel, vetëm të futet situata nën kontroll, nuk ofrohet asgjë me këtë veprim, vetëm çka zyrtarizohen strukturat dhe legalizohet plani i Boris Tadiqit që të njihet gjendja faktike në territorin verior të Kosovës. Po nëse nuk qëndron kjo, dhe keni gjetur njerëz që dëshirojnë të inkuadrohen në jetën normale dhe nen legjislacionin e Kosovës, sa do t’i përshkojnë fondet vendbanimet shqiptare dhe sa ato serbe? Si do të ndikojë kjo në rregullimin e mirëqenies së popullatës jo-serbe atje dhe sa i shpejtë do te jetë kthimi i shqiptarëve në veri, të cilët janë shpërngulur gjatë dhe pas luftës? Kjo përbën një hap mjaftë të rëndësishëm për neutralizim e çështjes së veriut.

Gjatë kësaj kohe të investimeve duhet të kihet para sysh edhe investimet strategjike, të ndërtohen më shumë ura që e lidhin veriun dhe jugun në lokacionet ku banohen me shqiptarë, sidomos tek spitali, e cila do të shërbej edhe për Suadollin, lokacioni tek Lagjja e Boshnjakëve, dhe gjithë kjo mundësisht te kalojë jo me shumë pompozitet media, pasi në veri duhet të punohet aktivisht dhe të mos bëhet gjurmë shumë. Gjendja ekonomike është ajo që fillon ta neutralizojë shoqërinë nga të gjitha veprimet destruktive. Gjithsesi nevojitet angazhim serioz që të shihet se qeveria e Kosovës dhe ndërkombëtarët kërkojnë llogari nga ata njerëz për çdo aktivitet dhe të mos lihet asgjë në mëdyshje për të shkaktuar huti, duke filluar së shtrënguari nga pikat kufitare, duke regjistruar çdo aktivitet, mall dhe vetura, duke krijuar një ambient të qetë, investime në shkolla, universitet, çerdhe, shtëpi kulture, biznese, etj, me çka do të demonstrohet prania e institucioneve të Kosovës.