LAJMI I FUNDIT:

Mark Kaftalli apo “Paganini” shqiptar

Mark Kaftalli apo “Paganini” shqiptar

Sot është ditëlindja e Mark Kaftallit, një prej artistëve më të mëdhenj të vendit dhe një prej violinistëve më virtuozë.

Kaftalli lindi më 14 dhjetor të vitit 1933 në qytetin e Shkodrës, qytet në të cilin ai mori edhe arsimimin bazë për violinë nën mbikëqyrjen e një tjetër fenomeni muzikor dhe i kompozicionit shqiptar, si Preng Jakova, ndërsa studimet e larta i vazhdoi gjatë viteve 1960 në Institutin e Lartë të Arteve.

Njihet si autori i 750 veprave muzikore nga të cilat shtatë janë opereta të niveleve jashtëzakonisht profesionale. Rreth 400 krijime të tij i përkasin muzikës popullore qytetare. Njihet si një nga kompozitorët që ka krijuar më shumë vepra muzikore sa i takon traditës shkodrane. Gjithashtu, pati një krijimtari të madhe për muzikën për fëmijë. U cilësua edhe si “Paganini” shqiptar për shkak të talentit të tij të rrallë.

Kaftalli vazhdoi punën për 30 vjet në teatrin “Migjeni” në Shkodër. Gjithashtu ka dhënë mësim në Liceun Artistik të qytetit të Shkodrës.

Gjatë karrierës së tij artistike është vlerësuar me shumë çmime dhe medalje ku do të veçonim Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të dytë dhe klasit të parë, Mirënjohje e qytetit të Shkodrës, vlerësim që iu akordua në vitin 2008.

U nda nga jeta në moshën 81-vjeçare, më 16 tetor 2014. /atsh/