LAJMI I FUNDIT:

Marin Mema i përgjigjet gazetës ”Dnevnik” me më shumë fakte për shqiptarët e Ohrit

Marin Mema i përgjigjet gazetës ”Dnevnik” me më shumë fakte për shqiptarët e Ohrit

Gazetari i Top-Channelit dhe autor i emisioneve ”Shqipëria tjetër” ka reaguar me më shumë fakte ndaj akuzave të gazetës ditore ”Dnevnik” nga Maqedonia, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Mema në portalin blitz të Shqipërisë ka publikuar një shkrim me titullin ”Përgjigje përmes fakteve për gazetën “Dnevnik””


”Të flasësh për Ohrin është si të tregosh një ëndërr, ndoshta për atë që fsheh por në të njëjtën kohë edhe për atë që ende dallohet historisë së këtij qyteti të lashtë. Duket si një përplasje mes të vërtetës dhe të gënjeshtrës. E këtu nuk flitet me gjuhën e ekstremizmit, por veç me atë të fakteve kokëforta, që nuk mundet t’i mohojë askush. E faktet sillen e flasin në studimet e veprat e shumë autorëve, historianëve e arkeologëve të huaj veç atyre shqiptarë.

Sllavët e konsiderojnë Jerusalemin e tyre, por në fakt Ohri apo Lyhnidosi i lashtë nuk është asgjë tjetër përveçse një qendër e dikurshme ilire.

Fillesat, sigurisht, duhen kërkuar si gjithkund në kalanë e qytetit…

Sot ajo identifikohet me Samuilin, carin bullgar, emri i të cilit gjendet në të gjitha tabelat orientuese në qytet. Bullgarët, Ohrin e pushtuan në shekullin IX dhe e mbajtën nën drejtimin e tyre deri diku në vitin 1018 .

Por gjetjet arkeologjike në kala japin një tjetër realitet, sa kohë ato datojnë në shekujt VI dhe V para Krishtit. Një tjetër e dhënë, lënë pas nga Theodori i madh, është ajo e vitit 479 kur ostrogotët u mposhtën nga vendasit në betejën për të pushtuar Lyhnidosin. Cilët ishin këta vendas që jetonin në kala shekuj e shekuj para se (sllavët) bullgarët të dukeshin në këto anë?

Të gjithë autorët e antikitetit japin të njëjtën përgjigje. Fiset ilire të Enkelejve, Lynkestëve e Dasaretëve ishin banorët e të gjithë pellgut të Ohrit.

Samuili fortesën e gjeti të ngritur dhe mbi të, si shumë pushtues të tjerë, ndërtoi mure të reja për t’iu përshtatur kohëve. Themelet janë ilire e kushdo qoftë që hulumton vetëm pak, faktet do t’i gjejë lehtësisht në arkivat e ndryshme. E njëjta histori vlen edhe për teatrin antik, që logjikisht ka lidhje vetëm me vendasit që s’ishin tjetër përveçse ilirët.

Le t’u referohemi gjithashtu autorëve antikë. Je se çfarë shkruan historiani i madh grek Polibi për qytetin e Ohrit. ‘’Pleuratit i dhanë Lyhnidin dhe Parthën, qytete të Ilirisë të nënshtruara nga Filipi’’. Të njëjtin pohim bën edhe Tit Livi, historiani më i rëndësishëm romak: “Pleuratit, mbretit ilir, iu dhanë Lyhnidi dhe parthinët; të dyja këto fise ilire ishin nën sundimin e Filipit”. Një tjetër referencë na vjen nga Diodori, ku dallohet qartazi identiteti i banorëve të liqenit Lynid (Ohrit): “Filipi, mbreti i Maqedonisë, i mundi ilirët në një betejë të madhe dhe pasi vuri nën zotërimin e tij të gjithë banorët gjer në liqenin e Lyhnidit u kthye në Maqedoni’’. Pra, edhe Diodori lë të kuptohet qartazi që edhe Maqedonia antike, që sigurisht nuk ka asnjë lidhje më të sotmen, edhe banorët e saj, territoret i kanë shumë larg Lyhnidit. Ptolemeu, gjeografi i lindur në Egjipt, e rendit në botimin e tij qytetin Lyhnidos dhe e vendos në tokat e fisit ilir të Dasaretëve. Po ashtu, Stefan Bizantini, gjeograf dhe leksikograf i njohur i shekullit VI të erës sonë, në veprën e tij ‘‘Urbibus et populis’’ -‘”Mbi qytetet dhe popujt”’, Lyhnidin e rendit si një qytet të Ilirisë. Ka pafund autorë të tjerë që japin qartazi të njëjtat të dhëna, pa asnjë dyshim, për identitetin e Ohrit të lashtë.

Mund të shkojmë edhe më tej… Filipi i dytë ishte djali i Euridikës nga fisi Ilir i Lynkestëve. Vetë Filipi a nuk mori për bashkëshorte Olimbinë, iliren nga Epiri? Pra, çfarë ishte Aleksandri i madh, nipi i tre gjyshërve ilirë? Plini, Ptolemeu e Livi, janë referenca të besueshme e të dhënat e tyre kanë hedhur baza në studimet historike.

E pastaj, kush nuk do të pyeste se ç’lidhje kanë “maqedonasit’’ e sotëm me ata antikë kur Tarm, O. Hoffman, A. Jard, Geigand, O. Muller, P. Jougeut, H. Hirt, Edit Durham… etj. shprehin pikëpamjet e tyre se etnia dhe gjuha e maqedonasve të lashtë ka qenë ilire dhe ilirishte? Sigurisht nuk mund të ketë qenë sllave sa kohë ajo ka ardhur shekuj më vonë.

J.Zeiller, një nga njohësit më të mirë të fillimeve të krishtërimit, i daton rrënjët e tij në Iliri që në kohët apostolike. Këtu krishtërimi është përqafuar herët për shkak të rrugës Egnatia, që lidhte Romën dhe Kostandinopojën. Nëpër këtë rrugë kaloi edhe Shën Erazmo, i cili udhëtoi nga Siçilia drejt Ohrit në kërkim të hyjnores në Jerusalem. Ai do të kthehej kohë më pas në qytet ku do të themelonte kishën e parë paleokristiane, nën themelet e fiseve vendase ilire. Shtytjen më të madhe e dha padyshim perandori ilir i Bizantit, Justiniani i parë, i cili, siç pohon edhe profesor Pëllumb Xhufi, i forcoi lidhjet e selive metropolitane shqiptare me Romën.

Dyndjet sllave shënuan shkatërrimin e kryepeshkopatës së Justiniana Primas, të themeluar nga perandori Justiani i parë. Në shekullin X, Ohri u bë kryeqendër e perandorisë bullgare të Samoilit. Kryepeshkopata e Ohrit u themelua në 1019-n me në krye Joanin nga Dibra. Ajo kishte juridiksion në viset e Durrësit, Lezhës, Beratit, Korçës, Elbasanit, Dibrës, Krujës dhe Matit. Në vitin 1295, në postin e hierakut në Ohër e rrethina ishte një tjetër shqiptar, Progon Zguri. Këtë të fundit edhe vetë autorët sllavë e identifikonin me termin Arbanas. Në shekullin XIV, dinastia shqiptare e Gropajve, që u bënë zotër të Ohrit e shumë pjesëve të tjera, identifikohej për shumë kohë edhe si mbrojtëse e kryepeshkopatës, siç pohojnë mjaft historianë. Familja Gropaj apo Coku (Qoku), siç është mbiemri i origjinës nga Dibra e Madhe, ishte një mbështetëse e fortë edhe e Gjergj Kastriot Skënderbeut. E lidhja e tyre me çështjen kombëtare vijoi edhe më tej me figura si Hamdi Bej Ohri, IIljaz Pashë Dibëra, Mentor bej Coku etj.

Pra, e thënë më qartë, ç’lidhje kanë sllavët me kishën e themeluar nga ilirët? Faktet janë më se të qarta. Edhe pse kishat e Ohrit janë ndërtuar e rindërtuar shumë herë mbi vete, historia e tyre mbetet e shkruar…

Në shekujt në vijim, Ohri banohej nga shqiptarë në shumicë dërrmuese të besimit ortodoks dhe mysliman, edhe për këtë të dhënat gjenden lehtësisht. Autorja britanike Edit Durham, në librin “Brenga e Ballkanit” shprehet qartë për Ohrin kur shkruan: “Ohri kishte një popullsi shumë të përzier. Më shumë se gjysma ishin myslimanë dhe shumica shqiptare”.

Plot tre firmëtarë më 28 nëntor 1912 ishin nga aksi Ohër, Strugë, Dibër. Myrteza Ali Struga, Nuri Sojli e Zyhbi bej Ohri renditën firmat e tyre në Deklaratën e Pavarësisë, ndërsa merrnin pjesë edhe Hamdi bej Ohri, Mustafa Barotçiu e më pas edhe Dervish Hima. Fati i Ohrit, ashtu si i shumë zonave të tjera, u vulos në 1913-n e megjithatë sërish patriotët e tij organizuan një kryengritje të madhe të drejtuar nga Isa Boletini, Hasan Prishtina, Elez Isufi, Sefedin Pustina, me vëllezërit Kaloshi e Dema nën mbështetjen e Ismail Qemalit e Mehmet Pashë Dërrallës. Pas shtypjes së saj, masakrat ishin të frikshme. Dëshmitë e kohës janë rrëqethëse. Jo vetëm burgosje, rrënim e djegie shtëpish, por edhe vrasje makabre, dhjetëra burra të njohur të zonës u hodhën nga çetnikët serbë të gjallë në pusin e kalasë. Të gjendur nën pushtetin sllav, një pjesë e madhe morën rrugën për në Turqi. Të tjerë zgjodhën çadrën turke, duke ndryshuar edhe identitetin, si e vetmja mënyrë për të mbijetuar. Të njëjtën rrugë, të vënë ballë presionit dhe dhunës, zgjodhën edhe ortodoksit shqiptarë, të cilët nisën të konvertohen në masë në sllavë. Aq sa edhe sot, shumë ortodoksë në Ohër flasin shqip e pranojnë që e kanë mbartur nga familjet, por thonë se janë maqedonas. E po ashtu shumë shqiptarë deklarohen si turq.

Kjo është historia e një qyteti që deri rreth 100 vite më parë kishte 80 për qind shqiptarë e që sot ka më pak se 6 për qind.

Sigurisht, këto fakte duhej të renditeshin shumë herë më të detajuara, më të plota, nga Akademia e Shkencave Shqiptare, por mesa duket koha u ka munguar apo nuk kanë dashur, ndoshta sepse tema të tilla do t’i fusnin në debate të mëdha… E pse do të duhej të debatonin kur mund të gëzojnë në rahati të plotë statusin e privilegjuar si anëtarë të një grupimi që, të paktën në letër, do të duhej të prodhonte të vërteta historike?! E po kështu, të njëjtën rehati ka zgjedhur edhe politika shqiptare në Shqipëri (vendin amë) apo Kosovë, ku ka shumë fjalë të bukura, por ku asgjë nuk respektohet. Vështirë të pritet ndonjë reagim nga politika shqiptare në Maqedoni, ata janë në letargji të plotë dhe kanë programe të tjera, që s’kanë të bëjnë as me historinë shqiptare e as me të drejtat e tyre.

Këto janë të vërtetat e Ohrit, që u referohen fakteve, historianëve, arkeologëve, studiuese e sigurisht jo flamurtarëve nacionalistë.” shkruan Mema./Telegrafi/

Mediat maqedonase sulmojnë ashpër gazetarin Marin Mema, u dhemb e vërteta për Shkupin dhe Ohrin ilir (Foto)
Lexo po ashtu Mediat maqedonase sulmojnë ashpër gazetarin Marin Mema, u dhemb e vërteta për Shkupin dhe Ohrin ilir (Foto)
Marin Mema “dridhi” Maqedoninë me ”Shkupi, një histori Ilire” (Video)
Lexo po ashtu Marin Mema “dridhi” Maqedoninë me ”Shkupi, një histori Ilire” (Video)

Në trend Lajme

Më shumë
MPJD refuzon kërkesën e patriarkut serb Porfirije për të vizituar Kosovën

MPJD refuzon kërkesën e patriarkut serb Porfirije për të vizituar Kosovën

Lajme
Kurti fton qytetarët të shfrytëzojnë ditët e fundit për regjistrim: Nuk është vetëm evidentim për statistika

Kurti fton qytetarët të shfrytëzojnë ditët e fundit për regjistrim: Nuk është vetëm evidentim për statistika

Lajme
Alarmoi drejtori i Antikorrupsionit, deputeti Basha kërkon të hetohet rasti i politikanit që fshehu 5 milionë euro në bankën e Zvicrës

Alarmoi drejtori i Antikorrupsionit, deputeti Basha kërkon të hetohet rasti i politikanit që fshehu 5 milionë euro në bankën e Zvicrës

Lajme
Shkupjani Qamuran Hirda arrin në Mekë me biçikletë, rrëfen përjetimin e 4000 kilometrave

Shkupjani Qamuran Hirda arrin në Mekë me biçikletë, rrëfen përjetimin e 4000 kilometrave

Lajme
U merret leja 34 shoferëve në Prishtinë për mosrespektim të semaforit

U merret leja 34 shoferëve në Prishtinë për mosrespektim të semaforit

Kronika e Zezë
Kosova cilësohet jomikpritëse për personat LGBTI+

Kosova cilësohet jomikpritëse për personat LGBTI+

Lajme
Kalo në kategori