Ngritet aktakuzë ndaj 8 personave për keqpërdorim të pozitës zyrtare, dëmi ndaj Lotarisë Shtetërore të RMV-së është mbi 507 milionë denarë

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka ngritur aktakuzë kundër gjithsej 8 personave si bashkëkryerës të veprës penale "Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar", njoftojnë nga PTHP.
"Të akuzuarit, gjatë viteve 2023 dhe 2024, së bashku kanë ndërmarrë veprime me të cilat kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve dhe detyrave të tyre të veçanta, me qëllim që t’i shkaktojnë dëm personit juridik të dëmtuar, Shoqërisë Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit "Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut", në vlerë të konsiderueshme prej 507.632.173 denarësh.
Ata ishin të vetëdijshëm se Shoqëria Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit "Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut" nuk kishte të drejtë të organizonte lojëra elektronike të fatit në terminale videolotarie në territorin e vendit, pasi në vitin 2013 këtë të drejtë e kishte investuar si kontribut jomonetar, me vlerë prej 6.244.898 eurosh, gjatë themelimit të Shoqërisë për Organizimin e Lojërave të Fatit – Lotaria Shtetërore Video e Republikës së Maqedonisë "KASINOS AUSTRIA" SHPK Shkup, për çka kishte fituar pjesëmarrje prej 51% në kapitalin themeltar të shoqërisë.
Pavarësisht kësaj, i akuzuari i parë, drejtor i përgjithshëm dhe kryetar i Bordit Drejtues të “Lotarisë Shtetërore”, më 09.05.2023, i ka dorëzuar të akuzuarit të tretë – Sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Informacionin për nevojën e ndërmarrjes së aktiviteteve për organizimin e pavarur të lojërave elektronike të fatit. Në informacionin, së bashku me propozim-përfundimet, ai kishte theksuar se vlera e prokurimit arrinte në 42% të vlerës kontabël të pasurisë së shoqërisë, të përcaktuar në bazë të raporteve të fundit financiare të shoqërisë, dhe si e tillë do të përbënte një transaksion të madh, ndërsa miratimi i tij ishte në kompetencë të Bordit Mbikëqyrës të shoqërisë.
Sekretari i Përgjithshëm, më 06.06.2023, e kishte propozuar këtë informacion si plotësim të një pike të rendit të ditës të seancës së Qeverisë, duke vepruar në kundërshtim me nenin 119 paragrafi 2 të Rregullores së Punës së Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe nuk e kishte kthyer informacionin te parashtruesi, përkatësisht nuk ia kishte përcjellë organit kompetent.
I akuzuari i dytë, i cili kishte ndikim real në drejtimin e SHA Lotaria Shtetërore, në cilësinë e personit përgjegjës, kishte kryesuar seancën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në cilësinë e Kuvendit të Lotarisë Shtetërore dhe kishte propozuar që pika e rendit të ditës, e plotësuar në këtë mënyrë, të miratohej, megjithëse ishte i vetëdijshëm se vendimi nuk ishte në kompetencë të Qeverisë si Kuvend i Shoqërisë Aksionare.
Informacioni i dorëzuar ishte miratuar dhe Shoqëria Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit – Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut ishte ngarkuar që të ndërmerrte aktivitetet e nevojshme për fillimin e organizimit të pavarur të lojërave elektronike të fatit dhe realizimin e një prokurimi publik për terminale videolotarie.
Të akuzuarit e tjerë, kryetari dhe anëtarët e Bordit Mbikëqyrës, megjithëse e dinin se procedura ligjore nuk ishte respektuar, kishin marrë vendim me të cilin kishin miratuar fillimin e procedurës për prokurim publik të terminaleve videolotarie për organizimin e lojërave elektronike të fatit si një transaksion i madh. Prokurimi publik ishte realizuar dhe ishin marrë obligime për pagesë, me çka SHA Lotaria Shtetërore i ishte shkaktuar dëm në shumën e lartpërmendur.
Duke pasur parasysh se i akuzuari i parë ende është i paarritshëm për organet e ndjekjes, përkatësisht është në arrati, nuk është gjetur dhe nuk është privuar nga liria për gati një vit, prokurori publik ka kërkuar që atij t’i caktohet masa e paraburgimit për 30 ditë, duke filluar nga momenti i gjetjes së tij.
Për të akuzuarin e dytë është propozuar vazhdimi i masës së paraburgimit shtëpiak të caktuar më parë, e cila i ishte caktuar së bashku me masën e kujdesit "marrjen e përkohshme të dokumentit të udhëtimit dhe ndalimin e lëshimit të dokumentit të udhëtimit ose dokumentit tjetër për kalimin e kufirit shtetëror".
Prokurori publik kompetent ka propozuar gjithashtu që për të akuzuarit e tjerë të caktohen masa të kujdesit – detyrimi për t’u paraqitur periodikisht në Gjykatë, marrja e përkohshme e dokumentit të udhëtimit ose dokumentit tjetër për kalimin e kufirit shtetëror, si dhe ndalimi i afrimit ose vendosjes, përkatësisht mbajtjes së kontakteve apo lidhjeve me persona të caktuar", thuhet në njoftimin e PTHP-së./Telegrafi/









































