LAJMI I FUNDIT:

Maqedonia vs. Greqia

Raportet midis Maqedonisë me Greqinë 20 vitet e fundit janë në përkeqësim e sipër. Edhe përkundër presioneve diplomatike, këto dy shtete nuk po lëshojnë pe në qëndrimet e tyre dhe po mundohen që të i bëjnë probleme njëri-tjetrit.

Me 7 prill të vitit 1993 Greqia e bllokoi Maqedoninë për anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Atëherë Greqia e akuzoi Maqedoninë për pretendime territoriale ndaj Greqisë dhe se me emrin e saj kushtetues Maqedonia do të rrënonte sovranitetin e shtetit grek. Dhe nën presionin ndërkombëtar, shtetet e OKB u morën vesh që ta pranojnë Maqedoninë në OKB me referencën IRJM- ish Republika Jugosllave e Maqedonisë.


Menjëherë pas pranimit të Maqedonisë në OKB, shtetin grek e kapi një krizë të rëndë politike. Prej qeverie bie Demokracia e Re, dhe vjen në fron partia PASOK e Andreas Papanderut. Kryeministri i ri grek i prishi marrëdhëniet diplomatike me Maqedoninë duke i venduar embargo tregtare. Dhe me 13 shtator të vitit 1995 u nënshkrua një marrëveshje e re midis Greqisë dhe Maqedonisë, ku Maqedonia e ndërroi flamurin e saj shtetëror dhe shtoi në preambulën e Kushtetutës se nuk ka asnjë pretendim territorial ndaj shteteve fqinjë. Ndërsa Greqia sipas kësaj marrëveshjeje detyrohej që të mos pengoj Maqedoninë për kyçje nëpër instanca ndërkombëtare.

Me 10 dhjetor të vitit 2001 për të parën herë lindi ideja e një shtese gjeografike mbi emrin e Republikës së Maqedonisë. Edhe pse marrëveshjet vazhdojnë, ideja thellohet për ndryshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë. Jepen shumë propozime dhe ide.

Me 9 nëntor të vitit 2005, ndërmjetësuesi në kontest Metju Nimic jep propozimin më serioz deri më tani. Ai sjell formulën e dyfishtë që Maqedonia në nivel ndërkombëtar të njihet si Republic of Macedonia, ndërsa qytetarët e saj si qytetar të Republica Macedonia-Skopje (Shkupi). Ky propozim u pranua nga ana e palës maqedonase, ndërsa e refuzuan pala greke. (datat dhe vitet e këtij teksti janë huazuar nga forum.com.mk)

Qysh prej vitit 2005 e këndej ka edhe një mori aktivitetesh dhe takimesh midis dy palëve për zgjidhjen e kontestit rreth emrit kushtetues. Maqedonia u bllokua për anëtarësim në NATO në samitin e Bukureshtit nga ana e palës greke. Bisedimet rreth dy palëve shpesh herë ishin edhe indirekte duke e provokuar njëra tjetrën përmes metodave dhe mënyrave të ndryshme. Garnitura udhëheqëse politike në vend e provokoi Greqinë duke e ndërruar emrin e aerodromit të Shkupit në Aleksandri i Madh, ndërsa mediumet në Greqi vazhduan dezinformimet dhe shantazhet rreth Maqedonisë.

Në takimin e fundit në Shkup, me 24 shkurt 2010, ndërmjetësuesi Metju Nimic ndërmjet tjerash tha: “ Këto diskutime u karakterizuan si shumë serioze dhe konstruktive. Njashtu ka një vullnet të madh për zgjidhjen e problemit. Ekziston një mentalitet tjetër dhe një dëshirë të flaktë për zgjidhjen e këtij problemi. Shpresoj se mbi baza të kësaj dhe diskutimeve në Athinë, ne do të mundemi që të përshpejtojmë procesin i cili është shumë i ngadalshëm në muajt e fundit dhe të shohim se a ka ndonjë mundësi për tejkalimin e këtij kontesti që është në agjendën ndërkombëtare për një periudhë të gjatë”.

Pak para ardhjes në Shkup nga ana e ndërmjetësuesit ndërkombëtar Metju Nimic, ishte edhe shefi për zgjerim në Bashkimin Evropian, Shtefan Fule. Ai ishte në vizitë në Shkup ku u takua me përfaqësues të qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Porositë dhe mesazhet e tij ishin të lexuara nga ana e politikanëve të këtushëm si kushte për zgjidhjen sa më të shpejt të këtij kontesti. Qëllimi është që brenda këtyre muajve ta shohim Maqedoninë si anëtare të NATOS dhe që më pastaj Maqedonia të fitojë datë për bisedime për futje në Bashkimin Evropian.

Maqedonia dhe Greqia e kanë patjetër që të zgjidhin problemet ndërmjet veti. Në Greqi përsëri u riaktivizuan protestat kundër pushtetit. Vendi është i kapluar nga një krizë ekonomike dhe si duket infuzionet e Bashkimit Evropian, më saktësisht të Gjermanisë, nuk do të jenë të mjaftueshme për shërim përfundimtar dhe efikas nga kjo sëmundje. Tashti Greqia është para nënshtrimit dhe bankrotit përballë Bashkimit Evropian. Ajo do të pranonte gjithçka vetëm të dilte nga kriza e thellë ekonomike dhe institucionale.

Supozojmë se kriza ekonomike në Greqi është si rezultat i presionit ndërkombëtar për nënshtrimin e atij vendi ndaj BE dhe largimin e Greqisë nga pozicioni i të ‘ledhatuarit’.

Në Maqedoni po lindin sfida dhe kriza të reja! Vendi po përballet me varfëri, me bllokime ndërkombëtare nga Greqia, me padrejtësi ndaj etniteteve të ndryshme përmes projekteve diskriminuese të qeverisë, me tensionimin e raporteve ndëretnike dhe ndërfetare në vend si dhe është para një katastrofe natyrore.

Për këtë vend, sa më shpejt që tejkalohen problemet me Greqinë është aq më mirë për krijimin e një klime të investimeve në vend si dhe të sigurimit të ardhmërisë për qytetarët e këtij vendi.

Futja e Maqedonisë në NATO dhe BE, nuk ka dyshim se krijon liri ekonomike dhe politike për qytetarët shqiptar të këtij vendi.