Kërkesa globale në rritje për energjinë elektrike e vendos sektorin energjetik në fokusin e zhvillimeve të ardhshme. Maqedonia paralajmëron rikthimin e projekteve të vjetra si “Çebren” dhe “Galishtë”. Nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos, kryeministri Hristijan Mickoski tha se shteti duhet të bëhet faktor aktiv në prodhimin e energjisë elektrike dhe të hapë potencialin energjetik për investime të reja.

“Duhet sërish t’i ristartojmë të gjitha ato projekte energjetike ndoshta të harruara në të kaluarën, si Çebren dhe Galishtë, ura e Boshkut dhe të tjerat, dhe ta ofrojmë potencialin për investime në burime të ripërtëritshme të energjisë për një numër të madh investitorësh, të cilët treguan interes të padiskutueshëm në diskutimet pas përfundimit të panelit”, tha Hristijan Mickoski – kryeministër.


Kryeministri theksoi se kishte edhe një takim me pronarin e kompanisë “4IG”– operatori i tretë mobil që vjen në vend, i cili paralajmëroi se në periudhën e ardhshme do të investojë më shumë se 100 milionë euro.

“Qytetarët fitojnë kompani të re që do të ofrojë shërbime mobile dhe kompani që jam i sigurt se do të ndikojë pozitivisht në uljen e çmimeve të shërbimeve që operatorët mobilë i ofrojnë për qytetarët në Maqedoni”, u shpreh Hristijan Mickoski – kryeministër.

Në një panel të mbajtur në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, iu kushtua vëmendje sfidave të ardhshme me të cilat do të përballet bota, ku një nga temat kyçe ishte inteligjenca artificiale. U theksua se përdorimi më i gjerë dhe serioz i saj nuk është i mundur pa furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, për shkak të nevojave të mëdha të qendrave të të dhënave, si dhe pa një numër të mjaftueshëm inxhinierësh IT të kualifikuar. /Alsat/