LAJMI I FUNDIT:

Maqedonia harron rekomandimet e ndërkombëtarëve për reforma

Maqedonia harron rekomandimet e ndërkombëtarëve për reforma

Përveç krijimit të kushteve për zgjedhje të lira dhe demokratike, partitë në Maqedoni, në veçanti ato në qeveri, nuk kanë ndërmarrë thuajse asgjë për përmbushjen e shumë kërkesave tjera, të domosdoshme në procesin e konsolidimit demokratik të vendit dhe inkuadrimit në strukturat euroatlantike, njofton REL.

Rekomandimet për reforma në ndjekjen e telekomunikimeve, në gjyqësi, administratë publike, ndarjen e shtetit nga partitë, media, e sfera tjera, ishin paraqitur në qershor të vitit të kaluar nga një grup ekspertësh të Komisionit Evropian, i udhëhequr nga gjermani, Reinhard Pribe.

Por, edhe gati një vit e gjysmë nga dorëzimi i listës me prioritetet që duhen përmbushur, partitë përveç premtimeve deklarative, nuk kanë ndërmarrë asgjë për zbatimin e tyre.


Pas gati një vit nga dorëzimi i listës me reformat e kërkuara, qeveria kishte prezantuar një plan aksional, por përveç elaboratit të paraqitur para mediave, ende nuk ka asnjë rezultat konkret.

“Ne kemi caktuar prioritetet e këtyre reformave dhe jeni në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet për zbatimin e masave për të cilat konkretisht janë paraparë edhe afate që duhet të ndërmerren për zbatimin e tyre”, kishte deklaruar në qershor, zëvendëskryeministri për çështje evropiane Arbër Ademi.

Gjatë kësaj periudhe, institucionet më tepër janë përqendruar në çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet, pastrimin e listës së votuesve dhe reformat në media, që edhe kanë shkaktuar përplasje të thella mes partive në pushtet dhe opozitë.

Njohësit e çështjeve evropiane thonë se krijimi i kushteve për zgjedhje të lira është obligim madhor, por institucionet nuk guxojnë t’i shmangen obligimeve tjera që janë po aq të rëndësishme sa edhe mbarëvajtja e procesit zgjedhor.

“Përveç publikimit të planit apo dokumentin për zbatimin e reformave, asgjë tjetër nuk është ndërmarrë nga qeveria, në drejtim të operacionalizimit të reformave apo të ndonjë debati publik ku do të prezantoheshin zgjidhjet ligjore. Përveç ligjit për ndalimin e reklamave qeveritare që mund të thuhet se bën pjesë në këtë pako të reformave të kërkuara, në sfera tjera nuk është bërë asgjë, nuk kishte as propozime, e as debate publike”, thotë Marko Trashanovski nga Instituti për Demokraci.

Ekspertët vlerësojnë se me disa veprime ekzekutivi ka dëshmuar sikur më tepër ka punuar kundër reformave se sa për zbatimin e tyre. Duke u përqendruar në politika populiste dhe në ato që kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Përzhinës.

Institucionet sikur me qëllim kanë harruar apo kanë anashkaluar detyrimet tjera.

Këtë, siç thotë Malinka Jordanova nga Instituti për politika evropiane, e ka bërë edhe opozita e cila më tepër është përqendruar tek zgjedhjet se sa tek konsolidimi i institucioneve tjera.

“Në fakt institucionet kanë ndërmarrë hapa që janë kundër reformave kurse opozita duke shpresuar se do të arrijë në atë që i kanë vënë si qëllim, zgjedhje fer dhe demokratik, nuk është përqendruar sa duhet tek reformat tjera. Këtu më duhet të theksojë edhe rolin e bashkësisë ndërkombëtare e cila sikur më tepër është përqendruar në përmbushjen e kritereve për zgjedhje të lira”, thotë Jordanova.

Ekspertët besojnë se në rast të zgjidhjes së krizës politike dhe mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe demokratike, qeveria e re, pavarësisht se nga kush do të udhëhiqet nuk do të mundet t’i shmanget kursit të reformave, pasi pa përmbushjen e tyre nuk do të mund të pretendojnë anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike./Telegrafi/