LAJMI I FUNDIT:

Maqedonia e Veriut ka kërkuar nga Kina që të përshpejtojë furnizimin me vaksina kundër koronavirusit

Maqedonia e Veriut ka kërkuar nga Kina që të përshpejtojë furnizimin me vaksina kundër koronavirusit

Maqedonia e Veriut ka kërkuar nga Kina që të përshpejtojë furnizimin me vaksina kundër koronavirusit të kompanisë kineze, Sinopharm. Shkupi zyrtar më herët ka thënë se dëshiron që të blejë 200.000 doza të kësaj vaksine.

Kjo kërkesë është bërë gjatë vizitës së ministrit të Mbrojtjes së Kinës, Wei Fenghe në Maqedoni të Veriut.


Në takimin në mes të ministrit kinez dhe kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, ishte e pranishme edhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.

“Në takim, kryeministri Zaev i bëri thirrje ministrit të Mbrojtjes, gjeneralit Wei Fenghe për të përcjellë në institucionet përkatëse në Republikën Popullore të Kinës që Maqedonia e Veriut pret të përshpejtojë shpërndarjen e 200.000 vaksinave nga kompania Sinopharm, për t’u përfshirë në procesin e imunizimit në vend që do të fillojë nesër”, thuhet në njoftimin për media të Qeverisë maqedonase.

Në këtë komunikatë të Qeverisë maqedonase nuk janë dhëne detaje se kur pritet të arrijnë dozat e para të vaksinës kineze, Sinopharm. Një javë më parë, Zaev kishte deklaruar se gjatë vizitës së zyrtarit të lartë kinez, do të bëhet e qartë se kur do të arrijnë këto vaksina.

Maqedonia e Veriut ishte përpjekur që të sigurojë 200.000 doza të vaksinës së Sinopharmit përmes një kompanie ndërmjetësuese, por autoritetet kineze ia kishin kthyer paradhënien Shkupit zyrtar.

Kina ishte arsyetuar se duhet të kryhen disa procedura, përpara se vaksinat të mund të nisen drejt Maqedonisë së Veriut.

Ish-ambasadori, Muhamed Halili thotë për Radion Evropa e Lirë se problematikë në këtë rast është fati se bashkëpunimi në mes të Shkupit dhe Pekinit për të vënë nën kontroll pandeminë, vjen përmes bashkëpunimit ushtarak, përkatësisht Ministrisë së Mbrojtjes.

Halili thotë se përmes diplomacisë së vaksinave, Kina është e interesuar që ta shtrijë ndikimin e saj ekonomik dhe politik.

“Pikërisht kur ministri i Mbrojtjes së Kinës e viziton këtë rajon sepse një pjesë e këtij rajoni është në NATO dhe një pjesë është anti-NATO, siç është Serbia. Kina e shfrytëzon mundësinë e depërtimit nëpërmjet diplomacisë së vaksinave dhe ofertave ekonomike, njëherë si ndihmë ekonomike e më pas si bashkëpunim real ekonomik. Kjo sepse Kina përmes prodhimit të vaksinave dhe shpërndarjen falas të tyre, tenton të depërtojë në bashkëpunim ekonomik”, thotë Halili.

“Pse këtë bashkëpunim diplomatik Kina e ka nisur përmes bashkëpunimit ushtarak, paraqet pak dilemë dhe unë kam dilema se Maqedonia e Veriut është dashur jo të refuzojë, por që në fillim t’i ikë këtij bashkëpunimi ushtarak, sepse ne jemi pjesë e NATO-s dhe ky bashkëpunim mund të reflektojë me pakënaqësi në strukturat e NATO-s sepse ata e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre se nuk duhet të bashkëpunohet me Rusinë dhe Kinën, gjë që tregon edhe mosmarrëveshjet që SHBA-ja i ka me Turqinë për shkak të blerjes së armatimit nga Rusia”, shtoi ai.

Por, kryetari i Këshillit të ambasadorëve në Maqedoninë e Veriut, Lubço Arsovski, thotë për Radion Evropa e Lirë se vizita e ministrit kinez të Mbrojtjes paraqet mundësi për rritjen e bashkëpunimit në mes të dy vendeve, në aspektin ekonomik.

Arsovski thotë se Kina nuk është shtet armik i Maqedonisë së Veriut dhe për këtë arsye ai vlerëson se nuk duhet të bëhen “drama” nga vizita e këtij zyrtari të lartë kinez.

“Unë nuk shoh asnjë dramë në gjithë këtë situatë, pavarësisht se Maqedonia e Veriut është anëtare e re e NATO-s. Sigurisht se gjatë kësaj vizite, pala maqedonase do të mbetet e fokusuar në kërkesën që një numër i caktuar i vaksinave të arrijnë sa më parë në Maqedoni të Veriut”, thekson Arsovski.

Ministri i Mbrojtjes së Kinës, Wei Fenghe gjatë këtij turneu është duke vizituar edhe Greqinë, Serbinë dhe Hungarinë.

Pikërisht, në këto katër shtete, në kuadër të nismës “Brezi dhe Rruga”, Kina është duke financuar një projekt infrastrukturor që do të lidhë portin e Piresë në Greqi, me Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Hungarinë.

Kompanitë kineze, edhe më herët kanë qenë të përfshira në projekte në Maqedoninë e Veriut. Ato kanë ndërtuar autostradën Shkup-Shtip dhe aktualisht po ndërtojnë autostradën Kërçovë-Ohër.

Gjatë vitit 2020, në kohën kur u shfaq pandemia e koronavirusit, shkëmbimi tregtar mes Maqedonisë së Veriut dhe Kinës ka shënuar rritje, duke arritur në vlerë prej 664.36 milionë euro kundrejt një viti më herët (2019), kur shkëmbimi tregtar mes këtyre dy vendeve kapte shifrën e 636.3 milionë euro.

Gjatë vitit 2020 janë importuar mallra në vlerë prej 522.5 milionë euro dhe janë eksportuar mallra në vlerë prej 141.8 milionë eurosh.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut ende nuk ka filluar vaksinimin e qytetarëve kundër koronavirusit. Të dielën, më 28 mars, ky shtet ka pranuar 24.000 doza të vaksinës së AstraZenecas, përmes programit COVAX. Maqedonia e Veriut pritet që të mërkurën të nisë vaksinimin e të moshuarve, mbi 75 vjeç dhe personave me sëmundje kronike.

Ndërkaq, aktualisht po vazhdon vaksinimi i personelit mjekësor me vaksinat e marra donacion nga Serbia të kompanisë amerikane, Pfizer si dhe me 3.000 dozat e vaksinës ruse, Sputnik V./REL/

Në trend Lajme

Më shumë
​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

Siguri
Kurti përmendi Thaçin në 11 vjetorin e marrëveshjeve në Bruksel, reagon Çitaku: E di që po të mungon, duro dhe pak - dielli do të lind përsëri

Kurti përmendi Thaçin në 11 vjetorin e marrëveshjeve në Bruksel, reagon Çitaku: E di që po të mungon, duro dhe pak - dielli do të lind përsëri

Lajme
SHBA-ja synon ta

SHBA-ja synon ta "fortifikojë" Ballkanin Perëndimor

Lajme
Osmani: Do ta njoftojë qeverinë për sulmin në Banjskë, pastaj do të vendoset për Ballkanin e Hapur

Osmani: Do ta njoftojë qeverinë për sulmin në Banjskë, pastaj do të vendoset për Ballkanin e Hapur

Politikë
Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia të mërkurën do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia të mërkurën do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Siguri
Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, Kurti: Në këtë 11-vjetor shteti serb në Peshter të Sanxhakut do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë

Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, Kurti: Në këtë 11-vjetor shteti serb në Peshter të Sanxhakut do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë

Lajme
Kalo në kategori